Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Punësimin, Ekonominë dhe Financat dhe në komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 87/2025 “Për Buxhetin e vitit 2026’”.
Gjatë fjalës së tij, Ministri shpjegoi se Akti Normativ u hartua si një domosdoshmëri për të reflektuar zhvillimet e evidentuara gjatë zbatimit të buxhetit të vitit 2026, të cilat krijuan rrethana të reja financiare dhe fiskale që nuk mund të parashikoheshin në momentin e miratimit të ligjit të buxhetit.


Analiza e performancës për periudhën janar–maj evidentoi një realizim më të lartë të të ardhurave buxhetore, duke krijuar mundësinë për financimin e prioriteteve të reja me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe social.
Ndër politikat kryesore që financohen përmes Aktit Normativ, Ministri përmendi indeksimin e pensioneve me efekt financiar nga 1 korriku 2026, dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbulimin nga shteti të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, si edhe financime shtesë për përmbushjen e angazhimeve në fushën e mbrojtjes dhe procesin e integrimit evropian.


Ministri Malaj theksoi se ndërhyrja me Akt Normativ ishte e domosdoshme për të garantuar zbatimin në kohë të këtyre politikave dhe për ta kthyer ecurinë pozitive të të ardhurave buxhetore në masa konkrete në mbështetje të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit.
Ministri vuri në dukje se përmes Aktit Normativ financohen me fonde shtesë sektorët prioritarë, duke mbështetur politikat sociale, shëndetësinë, mbrojtjen, arsimin, bujqësinë dhe investimet publike. Konkretisht, janë alokuar 1.6 miliardë lekë për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, 3.9 miliardë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rreth 10.3 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, rreth 750 milionë lekë për Ministrinë e Arsimit, 164 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, rreth 704 milionë lekë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, 200 milionë lekë për SPAK, 99 milionë lekë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe 1 miliard lekë financim të huaj shtesë për projektet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, për Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.87/2025 “Për Buxhetin e vitit 2026”:

Akti Normativ, i miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe që sot po e paraqesim përpara jush për diskutim dhe miratim, u hartua si një domosdoshmëri për të reflektuar disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2026.
Nevoja për ndërhyrjen me Akt Normativ buron nga zhvillimet e evidentuara gjatë zbatimit të buxhetit të vitit 2026, të cilat kanë krijuar rrethana të reja financiare dhe fiskale që nuk kanë qenë të parashikuara në momentin e miratimit të ligjit nr.87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026“.


Analiza e performancës 5- mujore për periudhën janar-maj 2026 evidentoi një realizim më të lartë të të ardhurave buxhetore dhe njëkohësisht nevoja të reja prioritare për financim, të cilat kërkonin reflektim të menjëhershëm në buxhetin e shtetit.
Ndaj, nga ana e Ministrisë së Financave, u pa e nevojshme për një ndërhyjrje në Buxhetin e këtij viti, për të adresuar prioritetet e reja buxhetore, të lindura tashmë.
Urgjenca e kësaj ndërhyrjeje lidhet ngushtësisht me garantimin e zbatimit në kohë të politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe  social, të lidhura ngushtë me afate të përcaktuara ligjore dhe buxhetore.
Më konkretisht, nëpërmjet këtij Akti Normativ:

  • Afruam indeksimin e pensioneve me efekt financiar nga 1 korriku (pra jo më nga 1 tetori). Plani i qeverisë është që vitin e ardhshëm indeksimi i pensioneve të bëhet në muajin prill siç ka qenë dhe më parë.
  • Kemi dyfishuar pagesën për fëmijët me aftësi të kufizuara me efekt financiar nga 1 korrik 2026. Efekti financiar i plotë vjetor në buxhet 5 miliardë lekë.
  • Mbulimin nga shteti të pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për kujdestarët e personave PAK, me efekt nga data 1 tetor 2026 dhe me një kosto vjetore prej 2 miliardë lekësh.
  • Sigurimin e financimit të menjëhershëm të shpenzimeve prioritare në fushën e mbrojtjes, në funksion të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj NATO-s, gjatë vitit buxhetor 2026;
  • Garantimin e burimeve financiare të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian, me qëllim përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve të lidhur me të.

Ndaj, edhe çdo vonesë deri në përfundim të një procedure të zakonshme parlamentare do të krijonte pamundësi objektive për realizimin e këtyre politikave brenda buxhetit të vitit 2026, duke cënuar kështu interesin publik dhe efektivitetin e administrimit të financave publike.
Në të njëjtën kohë, rishikimi i treguesve makrofiskalë dhe ecuria e të ardhurave buxhetore diktuan nevojën për një përshtatje të menjëhershme të shpërndarjes së fondeve buxhetore, në mënyrë që të ardhurat shtesë të krijuara nga ecuria pozitive e ekonomisë të ktheheshin në politika konkrete në mbështetje të qytetarëve, të sipërmarrjes, por edhe në mbështetje të zhvillimit të vendit.
Për sa më sipër, ne vlerësojmë se në këtë rast plotësohen kriteret kushtetuese të “nevojës” dhe “urgjencës”, në kuptimin e nenit 101 të Kushtetutës.
Për këtë arsye, miratimi i Aktit Normativ përbën një instrument juridik që garanton ndërhyrjen në kohën e duhur dhe realizimin efektiv të politikave të përcaktuara për buxhetin e vitit 2026.
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Përpara sesa të vijoj me elementët kryesorë të këtij Akti Normativ, më lejoni të paraqes shkurtimisht ecurinë e performancës së treguesve fiskalë për periudhën Janar-Maj 2026.
TË ARDHURAT E PËRGJITHSHME:
U realizuan në masën 341 miliardë lekë ose me realizim në masën 105.3% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (5M/2025) të ardhurat e përgjithshme u rritën me 34.8 miliardë lekë ose 11.4 % më shumë.
Bazuar në performancën pozitive të 5M 2026 dhe parashikimit për periudhën e mbetur të vitit, kemi propozuar  që të ardhurat e përgjithshme të rriten në nivelin 843.1 miliardë lekë, 20.1 miliardë lekë më shumë se sa plani fillestar. Pra, një rritje e planit fillestar me 2.4%.
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat:
Përsa i përket performancës së të ardhurave nga tatimet dhe doganat,   5-mujori i parë i vitit 2026 ka qenë mbi planin e parashikuar për këtë periudhë.
Gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar 298.4 miliardë lekë të ardhura nga tatimet, doganat dhe kontributet ose 2.2% më shumë se plani i periudhës.
Në mënyrë më të detajuar :
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat për 5M 2026  kanë qënë në shumën 215.5 miliardë lekë ose +1.9% mbi planin ose 4.1 miliardë lekë më shumë se Buxheti fillestar. Krahasuar me 5M e vitit 2025 kemi rritur të ardhurat me 12.1 miliardë lekë ose mbi 120 milionë euro më shumë.
Të ardhurat nga kontributet shoqërore e shëndetësore u realizuan në masën 82.9 miliardë lekë ose +2.7% mbi planin ose rreth 2.2 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar. Krahasuar me 5M2025 këto të ardhura u rritën me 9.4 miliardë lekë ose 12.8%.
Në total, janë mbledhur 6.3 miliardë lekë më shumë në krahasimin me planin fillestar të 5M 2026 ose me 2.2 % më shumë.
Në funksion të përditësimit të treguesve në krahasim me buxhetin fillestar me këtë Akt Normativ kemi rritur:

  • Të ardhurat nga tatimet dhe doganat me +7.1 miliardë lekë më shumë në krahasim me planifikimin fillestar, duke arritur në shumën 538.3 miliardë lekë. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga tatimet dhe doganat do të jenë 42 miliardë lekë më shumë.
  • Të ardhurat nga kontributet, me +3.9 miliardë lekë më shumë në krahasim me planifikimin fillestar, duke arritur në shumën 200.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga kontributet do të jenë 22.7 miliardë lekë më shumë.

Totali i të ardhurave për vitin 2026, për këto zëra do të arrijë në 739.2 miliardë lekë ose +11 miliardë lekë ose +1.5% mbi buxhetin fillestar. Krahasuar me vitin 2025, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet do të jenë 64.7 miliardë lekë ose 650 milionë euro më shumë.

Sa i takon Shpenzimeve të Përgjithshme Publike, për 5M2026 ato llogariten në 287.3 miliardë lekë, me një realizim në masën 96.9% të planit të periudhës. Krahasuar me 5M 2025 ky zë ka rezultuar 7.5% më i lartë ose rreth 20 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente, për periudhën 5M/ 2026, rezultuan në rreth 261 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.2% më i lartë ose rreth 17.5 miliardë lekë më shumë. Realizimi për periudhën Janar – Maj 2026 ishte në masën 96.2%.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 5M/2026 rezultuan në 26.3 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 11.2% më i lartë ose rreth 2.7 miliardë lekë më shumë. Këto shpenzime u realizuan në masën 104.7% të planit të periudhës.
Niveli i suficitit për periudhën 5M/2026 rezultoi në rreth 53.7 miliardë lekë.
Të nderuar anëtarë,
Pas kësaj paraqitje të ecurisë së treguesve kryesorë, me lejoni të vijoj me shtesat/alokimet kryesore, që propozohen përmes këtij Akti Normativ.

Për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit/MEI :

1.6 miliardë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për:

  • 872 milionë lekë për përshpejtimin e indeksimit të pensioneve, duke bërë të mundur që rritja prej 2.7% të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2026, në vend të 1 tetorit, siç ishte planifikuar fillimisht. (efekti financiar 6 -mujor 2.53 miliardë lekë, ndërsa efekti total vjetor 5 miliardë lekë)
  • 300 milionë lekë shtesë për skemën e granteve Start-up, pasi numri i aplikimeve është trefishuar.
  • 80 milionë lekë shtesë për programin “Dyfisho Biznesin Tënd”, për të zgjeruar aksesin e SME-ve në financim dhe për dhënien e .
  • 40 milionë lekë shtesë për organizimin e Forumit të Investimeve, në kuadër të forcimit të klimës së investimeve në Shqipëri.

Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale/ MSHMS:

3.9 miliardë lekë shtesë, konkretisht:

  • 750 milionë lekë për dyfishimin e pagesës për 10,720 fëmijë me aftësi të kufizuara, me efekt nga 1 korriku 2026 ( efekti vjetor 1.5 miliardë lekë).
  • 674 milionë lekë për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14,657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara, nga 1 tetori 2026. ( kosto e plotë vjetore 2 miliardë lekë)
  • 1.5 miliardë lekë për sigurimin e barnave onkologjike në spitalet publike.
  • 150 milionë lekë për rritjen e pagave të rreth 400 mjekëve dhe 1,200 teknikëve të shkencave mjekësore në shërbimet e urgjencës. ( kosto vjetore 300 milionë lekë)
  • 100 milionë lekë shtesë për fondin e kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, bazuar në ecurinë pozitive të likuidimit të dosjeve. ( Buxheti vjetor i parashikuar rritet nga 1.5 mld në 1.6 mld lekë)
  • 700 milionë lekë për pajisje spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale në shëndetësi, për vitin 2027 e në vijim.

Për Ministrinë e Mbrojtjes/MM:

  • Financim shtesë prej rreth 10.3 miliardë lekësh, si dhe 300 efektivë të rinj, për të mbështetur modernizimin e sektorit të mbrojtjes dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s.
  • Me këtë financim, buxheti i mbrojtjes arrin në 2.6% të PBB-së, nga të cilat 2.2% të PBB-së ( 61.3 miliardë lekë) e zënë shpenzimet “Core Defence” dhe 0.4% e zënë shpenzimet e tjera të lidhura më mbrojten, si emergjencat civile, etj..

Për Ministrinë e Arsimit:

Rreth 750 milionë lekë shtesë, nga të cilat:

  • 500 milionë lekë për programin e arsimit bazë, tekstet falas dhe mbështetjen e studentëve.
  • 250 milionë lekë për investime në infrastrukturën shkollore dhe universitare.

Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural/MBZHR:

  • 164 milionë lekë shtesë për projektet e ujitjes dhe kullimit, përfshirë rialokime me efekt neutral, dhe vijimi i tyre edhe gjatë viteve 2027–2028.

Për Ministrinë e Punëve të Brendshme:

Rreth 704 milionë lekë shtesë, konkretisht:

  • 278 milionë lekë për Policinë e Shtetit për efektet e indeksimit dhe shtesat mbi pagë.
  • 100 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit Live Scanner.
  • 258 milionë lekë për shërbimet e Gjendjes Civile.
  • 28 milionë lekë për AAPSK dhe prefekturave në rang vendi.

SPAK

  • 200 milionë lekë shtesë për rikonstruksion, pajisje elektronike dhe forcimin e sigurisë kibernetike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve:

  • 99 milionë lekë shtesë për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit:

1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë.

  • 6.5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare. Nga kjo shumë, 3 miliardë lekë do të përdoren për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Logjistikës Bashkiake, me qëllim mbështetjen e bashkive me makineri, pajisje dhe logjistikë.

Institucione të tjera:

  • Rreth 300 milionë lekë shtesë për rritjen e kapaciteteve institucionale të disa institucioneve të pavarura, si ILDKPKI, AKSK, Autoriteti i Konkurrencës, ATSH dhe institucione të tjera.

Riorganizimet institucionale:
Akti Normativ reflekton gjithashtu ndryshimet në strukturat organizative dhe në numrin e punonjësve në funksion të proceseve integruese, si dhe në kuadër të zbatimit të reformës së inspektoriateve.
Buxheti Vendor:
Në këtë Akt Normativ, buxheti vendor paraqet ndryshime thuajse në të njëjtin nivel, si në kahun e të ardhurave me një rritje në masën 14 miliardë lekë, ashtu edhe të shpenzimeve me një shtesë në masën 14.2 miliardë lekë.
Më konkretisht :
Të ardhurat vendore propozohen të rriten në masën 14 miliardë lekë, bazuar kjo dhe në performancën e realizimit të tyre gjatë gjysmës së parë të vitit 2026  (13.5 mld lekë). Për 5M 2026, njësitë e vetëqeverisjes vendore, në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura të veta tatimore në masën 28.5 miliardë lekë, 13,5 miliardë lekë ose 90% më shumë në krahasim me 5M/2025.
Rritja më e lartë i dedikohet taksave lokale:
Taksës së ndikimit në infrastrukturë me një rritje prej 10.8 miliard lekë, kryesisht në bashkinë Tiranë dhe bashkitë bregdetare, si ajo Himarë ku ka ndërtime të reja në zhvillim;
Taksës së pasurisë, mbledhja e së cilës ka avancuar përtej pritshmërive. Për 5M/2026 janë realizuar 784 milionë lekë më shumë se 5M/2025.
Krahas rritjes, së të ardhurave të veta, edhe Shpenzimet vendore pësojnë rritje, si në kahun e trasfertës së kushtëzuar, ku kemi parashikuar :
114 milionë lekë shtesë për funksionin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Ky financim mbulon pagesat për orët shtesë për 1,250 punonjës në të gjithë vendin. Efekti financiar  i plotë vjetor i politikës arrin në 228 milionë lekë.
Dhe 90 milionë lekë shtesë, si transfertë e pakushtëzuar për bashkitë, si rezultat i rishikimit të treguesve makrofiskalë dhe në zbatim të ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, i cili përcakton që kjo transfertë nuk mund të jetë më e ulët se 1% e PBB-së. Kjo shumë shpërndahet ndërmjet bashkive sipas formulës ligjore në fuqi.
Të nderuar Anëtarë,
Në përfundim të fjalës sime dëshiroj të theksoj se të gjitha ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ financohen brenda hapësirës fiskale të krijuar nga rritja e të ardhurave buxhetore. Ato nuk ndryshojnë nivelin e deficitit buxhetor, ruajnë trajektoren rënëse të borxhit publik dhe garantojnë vijimin e konsolidimit fiskal dhe të stabilitetit makroekonomik në vend.