Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, paraqiti sot në komisionin parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe në komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjet e Paketës Fiskale 2026. Në fillim të fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi faktin se Paketa Fiskale nuk parashikon rritje të taksave, por përbën një kuadër fiskal më transparent, më të thjeshtë dhe më eficient, që mbështet sektorët prioritarë dhe forcon administrimin.

Duke iu referuar dy projektligjeve më të rëndësishme që përbëjnë “Paqen Fiskale”, projektligjin për “Marrëveshjen e Paqes’’ dhe projektligjin për “Faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore”, Ministri nënvizoi faktin se përmes tyre nuk po ndërmerret asnjë amnisti.

“Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’ nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore. Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor”, u shpreh z. Malaj.
Marrëveshja e Paqes Fiskale, tha më tej Ministri, do të zbatohet për periudhën 2026-2028 dhe synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj:
Vijmë sot për të paraqitur përpara jush “Paketën Fiskale 2026” të miratuar tashmë edhe nga Këshilli i Ministrave dhe që përmban 8 projektligje.
Kjo paketë nuk është thjesht një listë masash fiskale, por një dokument i rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me Programin Qeverisës 2025–2029 dhe veçanërisht me shtyllën e dytë, “Rritja Ekonomike e Qëndrueshme”.
Pas një pune voluminoze të stafit të Ministrisë së Financave, si dhe me kontributin e rëndësishëm të grupeve të interesit, përmes proceseve konsultuese, mund të themi me bindje se kjo paketë, e cila në asnjë rast nuk parashikon rritje të taksave, përbën një kuadër fiskal më transparent, më të thjeshtë dhe më eficient, që mbështet sektorët prioritarë, si dhe forcon administrimin.
Ajo përfaqëson një filozofi të qartë qeverisëse, për një ekonomi më moderne që ndërtohet mbi rregulla të qarta dhe mbi barazinë fiskale.
Të nderuar anëtarë,
Më lejoni ta nis paraqitjen e kësaj Pakete me dy projektligjet më të rëndësishme dhe më të diskutuara, të asaj që tashmë njihet si “Paqja Fiskale’’ dhe përfshin : Projektligjin për “Marëveshjen e Paqes’’ dhe projektligjin për “Faljen e deyrimeve tatimore dhe doganore”.
Këto iniciativa, në jo pak raste janë bërë shkas edhe për keqinterpretime. Por, e vërteta është shumë e thjeshtë: Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti.
Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’ nuk falim përgjegjësi penale, nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore.
Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme, dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor.
Gjithashtu, me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore.
Më konkretisht mund të themi se:
Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare.
Marrëveshja parashikon përshkallëzim në ulje të normave tatimore.
Përtej një rritje prej 18% të fitimit të tatueshëm, do të aplikohet normë e reduktuar tatimi prej 5%;
Subjektet që do të futen në marrëveshje, do të kenë të drejtë të kërkojnë vetkorrigjim për të shkuarën e tyre, nëpërmjet rishikimit të pasqyrave financiare të 3 viteve të fundit, kundrejt pagesës së tatimit të fitimit prej 5%.
Ky model është bazuar në disa elementë e parime të Paqes Fiskale, që Italia ka aplikuar në vitin 2018.
Projektligji i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, parashikon fshirjen plotësisht të çdo borxhi që është më i vjetër se 10 vjet.
për borxhet me vjetërsi 5 – 10 vjet ofrohet mundësia që, duke marrë në konsideratë edhe gjendjen financiare, kundrejt një pagese të detyrimit tatimor në masën 50% ose në masën 75%, biznesit, t’i falet pjesa tjetër e borxhit, si dhe gjobat e kamatvonesat;
ndërsa për borxhet me vjetërsi nga 0 deri në 5 vjet, do të fshihen gjobat e kamatvonesat, kundrejt pagimit 100% të detyrimit tatimor. (pagesa brenda 31/12/2026)
Sikurse e kemi premtuar, ky projektligj iu ofron mundësi bizneseve dhe individëve që të çlirohen nga këto borxhe.
Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat.
Ndaj ky është shansi i fundit që ne ju japim debitorëve, përpara se sa të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore.
Nga ana tjetër, kjo “Paketë Fiskale” parashikon edhe disa lehtësi të tjera.
Dëshiroj të ndalem pak tek një pjesë e rëndësishme që i dedikohet bujqësisë, përmes skemës së re të kompensimit të TVSH-së me 10%.
Për herë të parë, po krijojmë një instrument të qartë që garanton mbështetjeje të drejtëpërdrejtë për fermerët.
Për vitin 2026 parashikojmë që minimalisht 1.5 miliardë lekë do t’ju mbeten në duar fermerëve. Ndërsa deri në vitin 2027 ky fond i mbështetjes pritet të arrijë në mbi 3 miliardë lekë në vit apo 30 milionë euro në vit.
Përmes këtij projektligji synojmë të mbështesim dhe të lehtësojmë prodhuesin bujqësor dhe blegtoral, nëpërmjet rishikimit të skemës së kompensimit, duke prezantuar një normë dhe procedurë të re, bazuar në praktikat më të mira europiane, të cilat ne i kemi analizuar për një kohë të gjatë.
Pra, fermeri do të të kompensohet drejtëperdrejt me një normë prej 10% të vlerës së faturave të shitjes së mallit të tij te grumbullluesi, përpunuesi dhe/apo te agrobiznesi.
Kompensimi i shumave do të bëhet nga Administrata Tatimore mbi bazë 6-mujore.
Kërkesat do të mund të paraqiten:
brenda datës 31 Dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Janar-Qershor të vitit përkatës;
brenda datës 30 Qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Korrik-Dhjetor të vitit paraardhës.
Ndaj, fermerët do të duhet të jenë të kujdesshëm pasi, në mënyrë që të përfitojnë nga kjo nismë, duhet që për çdo produkt që do të shesin te grumbulluesit, përpunuesit apo edhe te agrobiznesi, duhet të marrin fatura të mallrave që kanë shitur.
Vijmë te një tjetër reformë, ajo e Rivlerësimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të përcaktimit të metodologjisë për çmimeve të reja të referencës për të gjithë territorin e vendit (përjashtuar këtu Tiranën).
Jo pa qëllim, Ministria e Financave gjykoi që këto dy nisma të prezantoheshin paralelisht, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin mundësi të përfitonin nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, duke i përafruar ato me vlerat e tregut, por nga ana tjetër do të kenë mundësinë ta kryejnë këtë rivlerësim me një normë më të reduktuar tatimore në masën 5% nga 15% që është aktualisht.
Ndalemi pak edhe tek disa propozime që synojnë të disiplinojnë veprimtaritë tregtare, kryesisht në ekonominë e ditëve të sotme që po bëhet gjithnjë e më shumë e digjitalizuar. Vendosim për herë të parë detyrimin që bizneset online të publikojnë të dhënat identifikuese (Emri tregtar, NIPT, adresa, etj). Kjo është një masë që ne e konsiderojmë të drejtë dhe të domosdoshme që i shërben mbrojtjes së konsumatorëve.
AKEP-i, në rast shkeljesh, do të ketë të drejtën për të pezulluar aktivitetin e subjektit që operon online. Pra, japim një mesazh të qartë: Tregu digjital nuk mund dhe nuk duhet të funksionojë më jashtë rregullave të lojës.
Paketa gjithashtu adreson fort edhe luftën kundër informalitetit. Kemi ashpërsim të masave për aktivitetet tregtare pa regjistrim gjithashtu është një garanci më shumë në mbrojtje të konkurrencës së ndershme. Nga ana tjetër, kjo ndërhyrje synon të rrisë edhe efektivitetin e Administratës Tatimore në luftën kundër informalitetit, të garantojë një trajtim të barabartë, si dhe të kufizojë hapësirat për abuzim apo shmangie nga përgjegjësia tatimore.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e kësaj pakete është edhe ulja e përdorimit të parasë cash, një synim që qeveria e ka shpallur si prioritet të saj. Ndaj me propozimet që do t’i rendis më poshtë, hedhim hapa konkretë, për ta çuar Shqipërinë në standardet e ekonomive, ku transaksionet janë të gjurmueshme, të sigurta dhe të formalizuara.
Në këtë Paketë janë parashikuar 4 masa:
Bizneset do të lejohen të kryejnë me njëri- tjetrin pagesa cash deri në shumën 100,000 lekë. Mbi këtë shumë, çdo pagesë do të duhet të bëhet përmes bankës;
Bizneset do të lejohen të shesin për konsumatorët, mallra dhe shërbime me para në dorë, deri në shumën e 500,000 lekëve. Mbi këtë shumë, çdo shitje do të duhet të realizohet sërish nëpërmjet transaksioneve bankare apo në formë elektronike;
Vitin e ardhshëm, brenda datës 30 Maj 2026, çdo biznes që operon në sektorin e turizmit edhe në atë të transportit, përveç pagesave cash, do të duhet të garantojë forma alternative të pagesave elektronike, ku përfshihen pajisjet POS, apo forma të tjera elektronike;
Ndërkohë ky detyrim duhet të përmbushet nga të gjithë bizneset e tjera, brenda datës 31/12/2026.
Këto masa do të na shërbejnë jo vetëm për të reduktuar përdorimin e parasë cash në ekonomi por edhe për të reduktuar informalitetin.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi nuk mund të ndodh pa teknologji, pa inovacion dhe pa kulturë. Prandaj paketa sjell lehtësi edhe për kërkimin shkencor, për sportin dhe për kulturën, përfshirë mbështetjen për artistët e huaj që operojnë në vendin tonë. Shqipëria duhet të jetë konkurruese jo vetëm me ekonominë, por edhe në fushën e kërkimit, shkencës dhe sportit.
Ndryshimet e propozuara në projektligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, përfshijnë një sërë masash, lidhur me:
Zgjerimin e kategorisë së subjekteve të cilat përfitojnë nga njohja si shpenzim i zbritshëm, sa trefishi i shumës së sponsorizuar, ku shuma e sponsorizuar njihet deri në nivelin 5% të fitimit para tatimit;
Përveç ekipeve sportive, propozohet përfshirja edhe e sponsorizimeve për veprimtarinë e federatave sportive, si dhe sportistëve, të cilët kanë fituar tituj për meritë në sport;
Njohjen e të ardhurave nga sponsorizimet, si të ardhura të përjashtuara nga tatimi;
Rritjen në masën 5% nga 3% që është sot, të shumës së fitimit para tatimit, të njohur për sponsorizime për kërkimin dhe zhvillim.
Gjithashtu, në Paketën Fiskale propozohet edhe përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë e investimeve të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtes sociale.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme:
Duke filluar nga viti i ardhshëm do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.
Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë.
Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto)  ulet ndjeshëm.
Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare.
Të nderuar anëtarë,
Paketat fiskale nuk duhet t’i shikojmë thjesht si instrument me natyre matematikore e që i shërbejnë të ardhurave të buxhetit të shtetit, por si politika që nxisin zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Ndaj, më duhet të theksoj edhe një herë se, me Paketën Fiskale 2026 nuk parashikojmë rritje të taksave, por vendosim baza të reja për të forcuar besimin e sipërmarrjes, për mbrojtjen e familjeve, për rritjen e produktivitetit, por edhe për një administrim fiskal modern, të përgjegjshëm e më afër standardeve europiane.