Ministry of Finance

Ministri i Financave, Petrit Malaj, merr pjesë në takimin me furnizuesit e naftës për impaktin e krizës aktuale globale

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në takimin e zhvilluar me furnizuesit e naftës për impaktin e krizës aktuale globale, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe drejtuesve të Administratës Tatimore dhe Doganore.
Në fillim të fjalës së tij, Ministri Malaj vuri në dukje faktin se Ministria e Financave ngriti një javë më parë Task Forcën mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në funksion të monitorimit të situatës në tregun e hidrokarbureve në vendin tonë.


Plani Operacional i Task Forcës, tha z. Malaj, do të zbatohet në dy drejtime kryesore: në monitorimin e çmimeve dhe të marzheve të fitimit të aplikuara nga tregtarët me shumicë dhe me pakicë të hidrokarbureve, si dhe në rritjen e efikasitetit dhe kontrollit tatimor dhe doganor, me qëllim uljen e evazionit fiskal apo kontrabandës në këtë sektor.
“Task Forca tashmë prej një jave është në terren, në gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk janë vërejtur rritje abuzive të çmimeve apo të marzheve nga operatorët grosistë apo ata me pakicë, por kemi evidentuar shkelje të tjera për të cilat Task Forca ka ndërmarrë masa. Strukturat do të vijojnë monitorimin e vazhdueshëm në terren. Në rast se do të evidentohet se ka rritje të çmimeve apo të marzheve të fitimit në mënyrë abuzive do të detyrohemi pastaj që të ringremë Bordin e Transparencës, në mënyrë që të marrim masat e nevojshme”, u shpreh z. Malaj.
Ministri informoi më tej se Plani Operacional do të vijojë të zbatohet në një afat të pa caktuar, deri në stabilizimin e plotë të situatës në tregun e karburanteve, duke garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin e drejtë të tregut.