Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar me rastin e prezantimit të studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministres znj. Belinda Balluku, Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovë, z. Liburn Aliu, kryetarit të bashkisë së Shkodrës, z. Benet Beci dhe kryetarit të komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e projektit të ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
E nderuar Zv/Kryeministre,
I nderuar koleg Liburn,
Të nderuar kryetarë të bashkive,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është vërtet një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e këtij takimi mjaft domethënës, i cili ka në fokus një nga projektet me të jashtëzakonshme për të dy vendet tona, por edhe përtej, një projekt i cili në fakt ka një rëndësi për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, siç është ndërtimi linjës së re hekurudhore nga Durrësi në Prishtinë, apo le ta quajmë “Hekurudha e Kombit”.
Ky është një projekt madhor, që natyrisht parashikohet të ketë një kosto të konsiderueshme, ashtu siç edhe u prezantua, ndaj financimi i tij do të kalojë nëpër disa faza, të cilat do të kërkojnë jo vetëm angazhimin dhe mbështetjen buxhetore të vendeve tona, por edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Vlerësimi gjithnjë e në rritje i Republikës së Shqipërisë nga agjencitë prestigjioze, si Standard&Poors dhe Moody’s, e klasifikojnë ekonominë shqiptare si një ekonomi me qëndrueshmëri të lartë, çka do të bëjë që edhe financimi i këtij projekti të vijë me një kosto më të lehtë për xhepat e qytetarëve shqiptarë, por edhe me një mundësi për tu financuar nga institucione financiare ndërkombëtare.
Ne jemi optimistë se kemi hapur tashmë “trasenë” e duhur. Kemi hedhur një hap përpara, atë të realizimit të studimit të fizibilitetit, i cili është financuar përmes buxheteve të dy vendeve tona.
Si qeveri, një nga objektivat tona madhore është garantimi i avancimit apo përfundimit të të gjithë projekteve të konektivitetit, qofshin ato rrugorë, hekurudhorë, portualë dhe aeroportualë.
Në këtë kuadër, ne po vijojmë të mbështesim me financime projekte që kanë një rëndësi të veçantë sa i takon ndërlidhjes, e këtu mund të përmendim linjën hekurudhore Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit të VIII dhe që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më tej edhe me Bullgarinë, për të cilën vetëm pak ditë më parë u nënshkrua marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve, apo edhe projekti tjetër që ka të bëjë me rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, e cila parashikohet të përfundojë në vitin 2030 dhe që do të shkurtojë distancën me Malin e Zi.
Ndaj edhe ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë nuk mund të konsiderohet thjesht një investim në infrastrukturë, por një investim në zhvillim, në lidhje, dhe mbi të gjitha, në të ardhmen tonë të përbashkët.
Natyrisht, nuk do të “guxoja” të flisja për elementët teknikë, sfidat e ndërtimit sepse me siguri do të gaboja, por ajo çka mund të them me siguri është se përfitimet ekonomike të këtij projekti do të jenë të shumta dhe të prekshme.
Së pari, linjat hekurudhore do të rrisin ndjeshëm efikasitetin në transport, si për mallrat, ashtu edhe për udhëtarët. Ato do të sjellin ulje të kostove logjistike, kursim kohe dhe rritje të konkurrueshmërisë të sipërmarrjeve tona prodhuese dhe eksportuese, por gjithashtu edhe do të rrisin aksesin më të shpejtë e më të lirë drejt tregjeve më të mëdha.
Ato do të sjellin lehtësimin e qarkullimit, përmes zhvendosjes së një pjesë të ndjeshme të ngarkesës së transportit nga rrugët në hekurudha, por edhe reduktim të ndotjes urbane dhe emetimeve të karbonit, gjë e cila do të na ndihmonte në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, sipas angazhimeve që kemi marrë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kjo hekurudhë do të shërbejë dhe si urë lidhëse mes Korridoreve Panevropiane VIII dhe X, duke ofruar lidhjen më të shkurtër dhe më të shpejtë ndërmjet tyre. E pra kjo nuk është vetëm një përparësi gjeostrategjike, por edhe një avantazh ekonomik për të dy vendet tona, që synojnë të bëhen nyje të rëndësishme të transportit dhe tregtisë rajonale.
Një aspekt tjetër thelbësor është fakti që ky projekt përputhet me Axhendën e Konektivitetit të Bashkimit Evropian, duke përmbushur standardet më të larta të infrastrukturës moderne.
Por natyrisht, përfitimi më strategjik është ai i shndërrimit të Portit të Durrësit në një qendër logjistike me ndikim rajonal, për të nxitur transportin për të gjithë Ballkanin Perëndimor në tregjet ndërkombëtare.
Kjo e kthen Shqipërinë në një portë hyrëse për Kosovën, për rajonin, drejt Mesdheut dhe më gjerë, duke gjeneruar punësim, investime dhe rritje ekonomike të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, ky investim do t’i hapë një tjetër impuls strategjik “Portit të Thatë të Prishtinës”, i cili në këtë mënyrë do të shërbejë për një ndërlidhje me shumë palë të tregtisë në aspektin rajonal.
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni të shpreh edhe një herë bindjen time të thellë se projekte të tilla, nuk janë thjesht struktura fizike prej hekuri dhe betoni – ato janë ura të zhvillimit, simbole të bashkëpunimit dhe motorë të progresit ekonomik dhe social.
Linja hekurudhore Durrës–Prishtinë është një hap i guximshëm drejt një të ardhmeje ku lëvizshmëria, tregtia dhe bashkëpunimi do të rrëzojnë kufijtë dhe do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët e kombit tonë.
Ju faleminderit!