Ministry of Finance

Qeveria ka përmbushur reformën e rritjes së pagave në sektorin publik, duke siguruar një pagë më të lartë në sistemin arsimor, sistemin shëndetësor, sistemin e mbrojtjes dhe atë të sigurisë e të rendit.
Kështu u shpreh Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar sot në ambientet e Ministrisë së Financave, lidhur me të dhënat e fundit mbi tregun e punës të publikuara nga INSTAT.
Referuar këtyre të dhënave, Ministri Malaj tha se paga mesatare mujore për një të punësuar në sektorin publik ka arritur në 96,856 lekë ose 987 euro, rreth 15% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore bruto e përgjithshme, e cila përfshin sektorin publik dhe sektorin privat, është rritur në rreth 77,669 lekë për tremujorin e tretë të vitit 2024, nga rreth 45,000 lekë që ishte në vitin 2013.
Ministri theksoi faktin se reforma e pagave ishte një ndër prioritetet kombëtare, me një efekt financiar vjetor jo të vogël, rreth 40 miliardë lekë ose 400 milionë euro, ndërsa qëllimi kryesor i qeverisë ishte mbështetja e punësimit cilësor dhe vendi të kishte ndër pagat më konkurruese në rajon.
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Ndodhem sot përpara jush në lidhje me treguesit më të fundit të raportuara sa i takon tregut të punës, e më konkretisht në lidhje me ecurinë e pagave.
Reforma që nisëm në vitin 2023 dhe u shtri edhe gjatë këtij viti e që natyrisht ishte dhe një nga prioritetet kombëtare, sot mund të konsiderohet fare mirë një objektiv i arritur dhe i përmbushur nga qeveria shqiptare.
Sipas të dhënave të referuara nga INSTAT-i, paga mesatare mujore për një të punësuar në sektorin publik ka arritur në masën 96,856 lekë ose 987 euro, gati 15% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo reformë madhore që ne ndërmorëm pati natyrisht një efekt financiar vjetor jo të vogël, duke u llogaritur në rreth 40 miliardë lekë ose 400 milionë euro.
Qëllimi kryesor i qeverisë Rama ishte që të mbështesnim një punësimin cilësor dhe të kishim ndër pagat më konkurruese në rajon.
Sot ne e kemi përmbushur objektivin duke arritur të përmirësojmë ndjeshëm pozicionin tonë në rajon.
Me reformën që ndërmorëm ne kemi siguruar një pagë më të lartë në të gjithë sistemin arsimor, një pagë më të lartë në të gjithë sistemin shëndetësor dhe paga më të larta në sistemin e mbrojtjes , të sigurisë dhe të rendit.
Nëse do të bënim një krahasim më të gjatë në kohë:
Paga mesatare mujore bruto e përgjithshme, e cila përfshin sektorin publik dhe sektorin privat, është rritur nga 45,000 lekë që ishte në vitin 2013 në rreth 77,669 lekë për tremujorin e tretë të vitit 2024. E matur në euro, me kurset respektive të dy viteve, paga mesatare mujore bruto e përgjithshme ishte vetëm 322 Euro në vitin 2013, ndërsa në vitin 2024 kjo pagë është 791 Euro, pra kemi një rritje me rreth 2.3 herë më shumë.
Përsa i përket pagës mesatare mujore në sektorin publik, ajo është rritur nga 52,000 lekë që ishte në vitin 2013 në rreth 96,856 në tremujorin e tretë të vitit 2024. Nëse do ta konvertonim në euro, me kurset respektive të dy viteve, në vitin 2013 paga bruto në sektorin publik ishte vetëm 372 Euro, ndërsa në vitin 2024 ajo është 987 Euro, pra kemi një rritje me 2.4 herë më shumë.
Me lejoni të sjell disa shembuj në disa nga sektorët më të rëndësishëm siç është arsimi, ku paga mesatare e mësuesve në arsimin parauniversitar arriti në mbi 103 mijë lekë në muaj, nga rreth 62,000 lekë që ishte në vitin 2013.
Gjithashtu, edhe në sektorin e shëndetësisë, paga mesatare për një mjek llogaritet në masën 150 mijë lekë në muaj, nga rreth 70,594 lekë që ishte mesatarisht në vitin 2013.
Sa i përket pagës mesatare për një infermier, sot ajo llogaritet në masën 87 mijë lekë nga rreth 40,000 lekë që ishte në vitin 2013.
Përsa i përket sigurisë dhe rendit, për të gjithë stafin policor në vend, me reformën që u ndërmor në vitet 2023 dhe 2024, paga mesatare rezultoi në rreth 106,000 mijë lekë pa përfshirë këtu përfitimet e ndryshme që ata marrin, si ushqimi, uniforma etj..
Për mbrojtjen, paga mesatare në Forcat e Armatosura është rritur në mesatarisht 95,000 mijë lekë në muaj.
Nga ana tjetër, ajo që mund të themi me siguri është se tregu i punës vazhdon të jetë një tjetër pikë e fortë e ekonomisë shqiptare.
Papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët historik prej 10.7%, ndërsa ne parashikojmë që gjatë vitit 2025 të kemi një normë papunësie një shifrore në masën 9.8 % dhe që do të thotë se kjo është hera e parë në tre dekadat e fundit që Shqipëria do të ketë një normë papunësie të tillë.
Inkurajues për ne mbetet fakti që ekonomia shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë fuqi punëtore, një dinamikë që mund të na ndihmojë në vijimësi për menaxhimin më efektiv të çështjeve demografike.
Në këtë sfidë, një rol të rëndësishëm natyrisht ka edhe sipërmarrja private, e cila do të duhet të reflektojë të njëjtat dinamika me rritjen e pagave, ashtu siç është bërë edhe në sektorin publik.
Duhet të kuptohet që një pagë më e lartë do të thotë vende pune më tërheqëse, do të thotë një forcë punë e mirë paguar dhe që është e gatshme të jetë më produktive për ekonominë.
Ndaj, ne inkurajojmë të gjithë sipërmarrjen private në mënyrë që të ecim paralelisht drejt një vizioni që i shërben të gjithë ekonomisë së vendit.
Faleminderit.