Ministry of Finance

Vareze, Itali – Ministri i Financave z. Petrit Malaj, në datat 26-27 qershor 2025, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB) që u zhvillua në Vareze të Italisë.

Në këtë takim morrën pjesë Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të kësaj konstituence, si  Italia, Shqipëria, Greqia, Portugalia, Malta, San Marino dhe Timori Lindor.

Në këto takime u diskutuan zhvillimet më të fundit të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare, në kuadrin e Konstituencës dhe rritjes së bashkëpunumit midis vendeve anëtare.

Një vend të rëndësishëm në diskutimet mes pjesëmarrësve ishin zhvillimet e fundit gjeopolitike, sfidat që po kalojnë ekonomitë e vendeve të Europës, si dhe mënyrat për kapërcimin e tyre.

Gjatë takimit, ndër të tjera, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e vijimësisë së koordinimit midis vendeve dhe mbështetjes nëpërmjet këtyre dy institucioneve partnere.

“Ekonomia jonë ka vijuar të rritet me ritme relativisht të larta e të qëndrueshme. Në vitin 2024, Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në rreth 25 miliardë euro, me një rritje reale prej 4%, ndërsa financat publike vijuan trajektoren e tyre konsoliduese, ku borxhi publik shënoi nivelin më të ulët prej 54% të PBB-së”, tha Ministri Malaj.

Mbledhja e Konstituencës ishte gjithashtu një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvojat midis vendeve në përballimin e sfidave të ndryshme.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mbeten partnerë kyç në përparimin e agjendës së reformave për Shqipërinë.

————-

* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën San Marinon dhe Timorin Lindor.