Ministry of Finance

Nën drejtimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Tatimor, me qëllim diskutimin mbi aktet nënligjore në fuqi të legjislacionit fiskal dhe analizimin e përputhshmërisë së këtyre akteve me ligjet fiskale. Kjo mbledhje u zhvillua pas miratimit në Këshillin e Ministrave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit, 2024-2027.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj vlerësoi kontributin e dhënë nga Këshilli Tatimor sa i përket Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe shprehu angazhimin për vijimin e bashkëpunimit në funksion të diskutimit të çështjeve të politikës fiskale, administrimit tatimor dhe doganor.
Në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave është përcaktuar se në katër vitet e ardhshme fokusi do të jetë analizimi plotë i politikës tatimore në vend dhe vlerësimi i çdo përjashtimi tatimor apo norme të reduktuara.
Ministri Malaj theksoi se ky analizim do të bëhet jo vetëm në aspektin e sasisë së të ardhurave të munguara në buxhet, por të efekteve në zhvillimin e një sektori dhe në sektorët e tjerë që ndërveprohen.
“Do të vlerësojmë efektivitetin e iniciatiave, nëse ato i kanë shërbyer qëllimit për të cilat janë dhënë dhe në bazë të këtyre analizave do të dalim me rekomandimet përkatëse”, tha z. Malaj.
Në kuadër të rishikimit të politikës tatimore, Ministri tha se përveç rishikimit të akteve ligjore fiskale do të bëhet edhe rishikimi i akteve nënligjore në zbatim të tyre, bazuar edhe në komentet dhe sugjerimet e ndryshme që janë bërë gjatë hartimit të Strategjisë.
“Rishikimi i akteve nënligjore ka në fokus krahasimin dhe analizimin e tyre në lidhje me përputhshmërinë me ligjin. Ky rishikim synon që të sigurohemi se kemi një kuadër fiskal në përputhshmëri të plotë dhe lehtësisht të kuptueshëm për tatimpaguesit, duke shmangur çdo pikëpyetje apo paqartësi që individët, bizneset apo çdo grup interesi mund të ketë”, u shpreh Ministri.