Ministry of Finance

Ministri Malaj: Rritja e të ardhurave, përmirësimi i shërbimeve digjitale dhe zhvillimi i sistemeve përmes IA, objektiva strategjikë drejt arritjes së standardeve europiane

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi sot një konferencë të përbashkët për media, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, z. Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Besmir Beja. Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi performancës së dy muajve të parë të vitit 2026, duke vënë theksin në rritjen e të ardhurave, përmirësimin e shërbimeve digjitale dhe zhvillimin e sistemeve përmes Inteligjencës Artificiale, si objektiva strategjikë drejt arritjes së standardeve në rrugën e integrimit europian të vendit.
Në fjalën e tij, Ministri theksoi se ekonomia shqiptare ndodhet në një fazë të re zhvillimi, ku financat publike nuk janë më vetëm një instrument administrimi, por një motor i drejtpërdrejtë i rritjes ekonomike. Z. Malaj nënvizoi se sistemi fiskal aktual mbështet zhvillimin, lufton informalitetin dhe po përafrohet në mënyrë të qëndrueshme me standardet e Bashkimit Europian.
Ministri u shpreh se të ardhurat buxhetore kanë arritur nivele rekord, si rezultat i reformave strukturore, përmirësimit të administrimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit fiskal, ndërsa informoi se janë mbi 1 miliardë euro të ardhura shtesë të cilat planifikohen të mblidhen në buxhetin e shtetit përgjatë periudhës 2025-2026. Këto të ardhura shtesë, tha z. Malaj, përkthehen në më shumë investime, më shumë shkolla, më shumë spitale dhe më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Kjo rritje në të ardhurat e buxhetit të shtetit është një rritje që nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, nuk vjen si rezultat i rritjes së barrës për qytetarët shqiptarë, por vjen si rezultat i forcimit të miradministrimi tatimor dhe doganor”, u shpreh z.  Malaj.

Për periudhën Janar-Shkurt 2026, të ardhurat totale arritën në 130.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11.5% ose 13.4 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas ministrit, kjo ecuri konfirmon formalizimin në rritje të ekonomisë dhe një performancë pozitive që pritet të vijojë gjatë vitit.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj vuri në dukje progresin në kuadër të Planit të Rritjes dhe angazhimeve me Bashkimin Europian, përfshirë luftën kundër mashtrimit tatimor, reduktimin e parasë cash, rritjen e efikasitetit të kontrolleve dhe përshpejtimin e rimbursimit të TVSH-së.
Po ashtu, digjitalizimi mbetet një nga prioritetet kryesore, ku pjesa më e madhe e shërbimeve tatimore dhe doganore ofrohen tashmë online, duke kursyer kohë për qytetarët dhe bizneset dhe duke rritur transparencën.
Në përfundim, Ministri Malaj theksoi se viti 2026 do të jetë vit i rëndësishëm për përafrimin e legjislacionit fiskal dhe doganor me standardet e Bashkimit Europian, zhvillimin e sistemeve teknologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë.
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, në konferencën e sotme për mediat:
Përshëndetje të gjithëve dhe ju falënderoj për pjesëmarrjen.
Jemi sot përpara jush për komunikimin tonë periodik, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, për të komunikuar me ju mbi rezultatet e arritura dhe objektivat që kemi në vijim.
Ashtu sikundër e dini, ekonomia shqiptare është në një fazë të re të zhvillimit të saj, ku financat publike në fakt nuk janë më thjesht një instrument administrimi, por janë një motor real i zhvillimit ekonomik të vendit.
Sot ne kemi një sistem fiskal që mbështet rritjen ekonomike, kemi një sistem që lufton informalitetin dhe, nga ana tjetër, jemi duke punuar për të përafruar të gjithë kuadrin tonë fiskal dhe doganor me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Të Ardhurat:
Përsa i përket të ardhurave, ashtu siç edhe paraqitet në prezantim, të ardhurat kanë arritur nivele historike si rezultat i reformave strukturore, si rezultat i miradministrimit, por padiskutim kemi edhe një rritje të ndërgjegjësimit fiskal nga të gjithë qytetarët shqiptarë, operatorët ekonomikë apo tatimpaguesit.
Në vetëm dy vite, në vitin 2025 dhe ajo që ne planifikojmë për vitin 2026, janë mbi 1 miliardë euro të ardhura shtesë të cilat ne planifikojmë dhe që në fakt përkthehen në më shumë investime, në më shumë shkolla, në më shumë spitale dhe në më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë. Kjo rritje në të ardhurat e buxhetit të shtetit është një rritje që nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, nuk vjen si rezultat i rritjes së barrës për qytetarët shqiptarë, por vjen si rezultat i forcimit të miradministrimi tatimor dhe doganor.
Në qoftë se do t’i bënim një përkthim vlerës në të ardhurat shtesë që kemi në buxhetin e shtetit, ato do të mund të përktheheshin lehtësisht në:
Ndërtimin e 8 spitaleve të reja rajonale;
Në ndërtimin e mbi 60 shkollave në Republikën e Shqipërisë;
E padiskutim në një rritje më të madhe të mirëqenies për qytetarët shqiptarë.
Performanca paraprake e të ardhurave:
Përsa i përket performancës paraprake, pra për muajt Janar-Shkurt 2026, ecuria e mbledhjes së të ardhurave është pozitive dhe shumë premtuese. Në vetëm këto dy muaj, pra Janar-Shkurt 2026, totali i të ardhurave të realizuara nga Tatimet dhe Doganat është 130.3 miliardë lekë. Në qoftë se do të bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, pra Janar-Shkurt 2025, rritja është 11.5 % ose përkthyer në vlerë monetare janë 135 milionë euro të ardhura më shumë të mbledhura në periudhën Janar-Shkurt 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo nënkupton që tendenca do të vijojë të jetë pozitive. Kjo nënkupton që ekonomia shqiptare po performon mirë, por nga ana tjetër kemi edhe një formalizim më të madh të sektorëve në tregun shqiptar.
Plani i Rritjes: 
Nga tjetër kemi edhe një ecuri shumë të mirë dhe në linjë me angazhimet që kemi marrë përsa i përket Planit të Rritjes apo GROWTH PLAN.
Janë objektiva që tashmë i kemi dakordësuar me Bashkimin Europian dhe janë angazhime të cilat një pjesë të mirë të tyre i kemi përmbushur edhe përpara afateve të dakordësuara.
Këtu mund të nënvizoj disa nga arritjet më kryesore:
Me institucionet ndërkombëtare patëm dakordësuar që për vitin 2025 do të ushtronim rreth 133 hetime kundër mashtrimit tatimor, ndërkohë që për vitin 2025 kemi 168 hetime kundër mashtrimit tatimor. Nëse do ta vendosnim në plan krahasimor me vitin 2024, kemi një rritje të hetimit të mashtrimeve tatimore me rreth 20 % krahasuar me vitin 2024.
Gjithashtu, përsa i përket kontrollit mbi bazë risku, për individët me të ardhura të larta, në bazë edhe të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave por edhe Planit të Rritjes, me Bashkimin Europian patëm dakordësuar që deri në fund të 2026 do të hetonim rreth 200 individë të identifikuar nga administrata tatimore. Këtë objektiv e kemi përmbushur brenda vitit 2025 dhe gjetjet kanë qenë domethënëse.
Një angazhim tjetër i dakordësuar me Bashkimin Europian dhe i dakordësuar edhe në Planin e Rritjes ka qenë edhe reduktimi i parasë cash. Edhe ky një objektiv, i cili ishte parashikuar për tu përmbushur brenda vitit 2026, është një objektiv i cili është përmbushur brenda vitit 2025, nëpërmjet ndryshimeve ligjore që paraqitëm me Paketën Fiskale në fund të vitit 2025 dhe me ndryshimet e nevojshme që bëmë në ligjin për procedurat tatimore.
Kontrollet:
Nga ana tjetër, kemi një rritje efikasitetit të kontrolleve të ushtruara qoftë nga administrata tatimore, ashtu edhe nga administrata doganore, falë një qasje të re që po ushtrohet nga të dy administratat. Është një qasje e cila bazohet në analiza të thelluara të riskut dhe jo më kontrolle rastësore :
Nga ana e administratës doganore, kemi një ulje të kohës së kontrolleve fizike në kanalin e kuq me rreth 92 minuta për çdo kontroll krahasuar me vitin 2024. Kjo do të thotë që përgjatë vitit 2025 kemi përmirësuar efikasitetin e përpunimit të deklaratave doganore dhe nga ana tjetër kemi dhe një çlirim më të shpejtë të mallrave në tregun shqiptar.
Në lidhje me administratën tatimore, numri i kontrolleve të ushtruara ndaj tatimpaguesve përgjatë gjithë vitit 2025 ka qenë vetëm 3 % e totalit të tatimpaguesve. E përkthyer në numra, janë ushtruar kontrolle në 3,700 subjekte, pra kontrolle në terren, nga 142 mijë tatimpagues aktivë që janë të regjistruar pranë administratës tatimore.
Pra, me këtë dua të them që kemi një rritje të efikasitetit të kontrolleve në aspektin e gjetjeve  dhe ndërkohë kemi një ulje të numrit të kontrolleve të ushtruara fizikisht. Kontrollet kryesisht tashmë bëhen në distancë, nëpërmjet sistemeve të dixhitalizuara dhe nuk ka më nevojë për prezencë fizike të inspektorëve.
Një indikator tjetër shumë i rëndësishëm është edhe rimbursimi i TVSH-së. Për vitin 2025, vlera totale e planifikuar për tu rimbursuar ishte rreth 255 milionë euro ose 25.3 miliardë lekë, vlerë kjo që ishte 13 % më e lartë se sa viti 2024 ose rreth 30 milionë euro më e lartë se sa viti 2024. Por, ajo që vlen për tu theksuar këtu është që 80 % e tatimpaguesve të cilët kanë aplikuar për rimbursim të TVSH-së iu është bërë rimbursimi pa kontroll në vend. Pra, vetëm 20 % e këtyre tatimpaguesve iu është bërë kontrolli e më pas iu është rimbursuar TVSH-ja.
Të gjitha këto tregojnë një model të ri pune dhe qasje që ka si administrata tatimore, ashtu edhe administrata doganore, që padiskutim i kursen kohë biznesit por është edhe më transparente.
Digjitalizimi:
Digjitalizimi mbetet një nga objektivat kryesorë të qeverisë, por padiskutim është dhe një nga objektivat kryesorë të administratës tatimore dhe doganore.
Më duhet të them që pjesa më e madhe e shërbimeve që ofrohen sot nga administrata doganore dhe tatimore është e dixhitalizuar dhe padiskutim mund të themi që kemi një administratë e cila është “paperless”dhe në shërbim të qytetarëve 24/7.
Po i referohem shërbimeve të ofruara nga Administrata Doganore: janë gjithsej 47 shërbime të tilla që ofrohen nga AD dhe të 47-ta janë shërbime të cilat ofrohen online, pra janë të dixhitalizuara.
Kemi bërë një ushtrim me AD, ku për vitin 2025 ka pasur 8 mijë aplikime nga operatorët ekonomikë për këto shërbime dhe koha mesatare e kursyer për çdo aplikim është  26.5 ditë. Pra, përpara se sa të dixhitalizoheshin shërbimet doganore koha për të zgjidhur një aplikim ishte mesatarisht 30 ditë, për shkak të shkresave apo pyetje-përgjigjeve, ndërkohë që sot që sot që flasim për çdo aplikim koha e trajtimit është 3.4 ditë.
E njëjta gjë edhe për Administratën Tatimore. Administrata Tatimore sot ofron 49 shërbime elektronike nga 60 shërbime në total. Edhe për 11 shërbimet e mbetura ka një angazhim maksimal nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që të digjitalizohen brenda vitit 2026. Edhe këtu kemi bërë ushtrimin e kohës së kursyer për qytetarët shqiptarë dhe për tatimpaguesit, koha e kursyer si rezultat i shërbimeve të ofruara në mënyrë digjitale nga Administrata Tatimore, për gjithë vitin 2025, ka qenë 4,1 milionë orë ose e përkthyer në vite, 468 vite. Nëse do ta shqyrtojmë në mënyrë më analitike, kemi kursyer 7 minuta për çdo deklaratë tatimore dhe 1 orë për çdo vërtetim të lëshuar nga kjo administratë.
Besoj një pjesë prej jush kush ka plotësuar DIVA-n, e ka parë vetë drejtpërdrejt që deklarata e DIVA-s tashmë del e populluar paraprakisht dhe ajo që mbetet nga ana e qytetarëve apo tatimpaguesve është vetëm thjesht të verifikojnë shifrat dhe të bëjnë korigjimet respektive.
E thënë kjo, unë besoj se digjitalizimi është një nga arritjet më të mëdha të kësaj qeverie sepse, së pari, ka rritur cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve të ofruara por, ajo që është me e rëndësishme, të gjitha këto shërbime ofrohen me kosto zero, qoftë për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.
Formalizimi i sektorëve me risk:
Përgjatë vitit të kaluar, ne kemi pasur edhe disa dalje publike. Kemi vijuar me punën përsa i përket formalizimit të sektorëve të cilët ne i kemi identifikuar me risk. Ka qenë sektori i turizimit, sektori i ndërtimit, por edhe sektori i hidrokarbureve. Këto nisma kanë dhënë rezultate konkrete. Pra, ndërgjegjësimi i operatorëve që operojnë në këta sektorë dhe monitorimi në distancë, si edhe kontrollet në vend, kanë dhënë rezultate të prekshme. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve do të japë disa rezultate, por ajo që dua të theksoj është që si rezultat i qasjes së administratës tatimore kemi një rritje të ndjeshme përsa i përket tatimit mbi të ardhurat personale të paguar apo të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Gjithashtu, kemi ulje të ndjeshme edhe në fenomenin e deklarimit të pagave minimale në këta sektorë që në fakt reflekton edhe një realitet më të drejtë përsa i përket tregut të punës.
Hapi i radhës do të jetë edhe kontrolli i sektorit mjekësor dhe i atij të kujdesit personal/estetik. Është një sektor të cilin ne e kemi identifikuar me rist të lartë dhe do të jetë objekt i punës së AT në muajt në vijim.
Integrimi europian:
Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe çështjet e angazhimit të Ministrisë së Financave, por edhe të administratave respektive, përsa i përket proceseve integruese në Bashkimin Europian.
Viti 2026 do të jetë padiskutim vit i përafrimit të standardeve tona me standardet e Bashkimit European, do të jetë viti i zhvillimit të sistemeve teknologjike, do të jetë padiskutim edhe viti i aplikimit më të zgjeruar të inteligjencës artificiale.
Ne synojmë që brenda vitit 2026 të bëjmë përafrim të plotë të gjithë legjislacionit fiskal dhe të Kodit Doganor me direktivat dhe kërkesat e Bashkimit European.
Gjithashtu, jemi duke punuar në mënyrë intensive për ndërtimin e sistemeve teknologjike të cilat do të jenë të afta të ndërveprojnë në kohë reale me sistemet e Bashkimit European, qofshin këto në aspektin tatimor apo dhe atë doganor.
Një çështje tjetër për të cilën Ministria e Financave është e angazhuar është padiskutim rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore për administratën tatimore dhe doganore, pasi kapacitetet e burimeve njerëzore duhet të jenë në të njëjtin nivel dhe të kenë të njëjtat aftësi njësoj si ato në vendet anëtare.