Ministry of Finance

Ministri Malaj: Mbetemi të angazhuar në përmirësimin e administrimit fiskal dhe formalizimin e ekonomisë

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi sot konferencën periodike mujore, ku prezantoi performancën fiskale dhe ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2026.
Ministri informoi se të ardhurat totale për periudhën Janar-Mars 2026 arritën në 205.1 miliardë lekë, rreth 250 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë ose 110 milionë euro më shumë në krahasim me planin për tremujorin e parë të vitit 2026. Ndërkohë, shpenzimet arritën në 156 miliardë lekë, 8.7 miliardë lekë më shumë se sa tremujori i parë 2025, ose një realizim në masën 92.9 % e planit të periudhës për T1 2026.
Referuar shifrave, qarkullimi i bizneseve ishte në vlerën 931 miliardë lekë në periudhën janar-mars 2026 ose 60.1 miliardë lekë më shumë se janar-mars 2025, ndërsa numri i bizneseve të reja të regjistruara është 6085, 12 % më shumë krahasuar me janar-mars 2025.
Për tremujorin e parë të vitit janë deklaruar rreth 13,825 punonjës të rinj më shumë se tremujori i parë 2025, ndërkohë që ka pasur rritje të deklarimit te fashat e pagave për të gjithë sektorët e ekonomisë. Për muajin Mars 2026 është rritur me 25 % deklarimi i pagave në fashën 70 001- 100 000 lekë dhe 26 % në fashën 100 001- 120 000 lekë, në krahasim me Mars 2025. Po ashtu, ka pasur rritje të deklarimit te fashat e pagave për sektorin e turizmit dhe për sektorin e ndërtimit.

Këto rezultate, theksoi z.Malaj, reflektojnë jo vetëm një menaxhim më të kujdesshëm financiar, por edhe efektet konkrete të politikave që ka ndërmarrë qeveria për garantimin e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, të mbështetjes së biznesit dhe të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i bëri thirrje të gjithë subjekteve përpunuese dhe grumbulluese në sektorin bujqësor që të lëshojnë autofatura për fermerët, në mënyrë që këta të fundit të kenë mundësi të përfitojnë kompensimin e TVSH në masën 10 %, masë që do të nisë të zbatohet nga data 1 korrik e vitit 2026. Referuar të dhënave paraprake, për tremujorin e parë 2026 ka një rritje me 20 % të transaksioneve midis fermerëve me NIPT dhe grumbulluesve dhe përpunuesve me 20 %. Sipas përllogaritjeve të bëra, shuma potenciale vetëm për tremujorin e parë të vitit 2026 është rreth 400 milionë lekë, e cila do të kalojë në llogaritë e fermerëve.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Përshëndetje të gjithëve.
Ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë komunikim mujor të Ministrisë së Financave ku dua të ndaj me ju performancën fiskale dhe ekonomike përgjatë tremujorit të parë të vitit 2026, pra Janar-Mars 2026.
Kjo periudhë në fakt konfirmon një ecuri pozitive të qëndrueshme ku treguesit kryesorë si rritja e të ardhurave, përmirësimi i administrimit fiskal, formalizimi më i lartë i ekonomisë sonë, por edhe rritja e punësimit si dhe rritja e aktivitetit të biznesit, të gjithë janë tregues me rritje pozitive.
Në fakt këto rezultate reflektojnë jo vetëm një menaxhim më të kujdesshëm financiar nga ana jonë, por edhe efektet konkrete të politikave që ne kemi ndërmarrë për garantimin e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, por edhe të mbështetjes së biznesit dhe qytetarëve tanë.
Më lejoni të filloj me prezantimin dhe në përfundim të tij do të mirëpres çdo pyetje që ju e keni.

Për sa i përket të ardhurave totale, për periudhën janar-mars 2026 ne arritëm të realizonim 205.1 miliardë lekë ose rreth 2 miliardë euro. Këto të ardhura janë realizuar në masën 105.8% të planit të periudhës dhe nëse do t’i krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm kemi mbledhur rreth 13.3% më shumë të ardhura se sa tremujori i parë i vitit 2025. E përkthyer në shifra, të ardhurat që kemi realizuar përgjatë këtij tremujori, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, janë 250 milionë euro më shumë. Nëse do të bëjmë këtë krahasim me planin e periudhës, kemi 110 milion euro më shumë të ardhura sesa kishim planifikuar për këtë periudhë të vitit. Rritja e të ardhurave, natyrisht nuk ka ardhur si rezultat i rritjes së taksave apo të tatimeve, por vjen si rezultat i një miradministrimi më të mirë tatimor dhe doganor. Vjen si rezultat i një implementimi më korrekt të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Nëse do t’i referohemi tabelës së mbledhjes së të ardhurave, do të shikojmë që peshën më të madhe në këto të ardhura e zënë Tatimet me rreth 37.9%, e pasuar më tej me Doganat në masën 25.8% dhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 22.3%.  Të ardhurat e mbledhura nga Administrata Tatimore janë realizuar në shumën 77.7 miliardë lekë ose 7.1 miliardë lekë më shumë se sa tremujori i parë i vitit 2025, pra 71 milionë euro më shumë sesa tremujori i vitit të mëparshëm.
Të ardhurat nga TVSH-ja të realizuara janë në shumën 25.2 miliardë lekë ose rreth 19.4% më shumë se sa tremujori i vitit 2025, pra rreth 20% më shumë TVSH se sa tremujori i vitit të mëparshëm. Në raport me planin kemi një realizim të TVSH-së me 115.5% përsa i përket tremujorit të parë të vitit 2026.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar në shumën 21.8% ose 4.8% më shumë se sa tremujori i parë i vitit 2025. Në lidhje me të ardhurat e mbledhura nga administrata doganore, ku këtu përfshihet TVSH-ja në import, akciza, taksa doganore si dhe renta minerale, për periudhën janar-mars 2026 kemi realizuar të ardhura në vlerën 52.9 miliardë lekë ose rreth 83 milionë lekë më shumë sesa tremujori i vitit 2025.
Në aspektin e mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ato kanë arritur në masën 45.7 miliardë lekë. Edhe këtu përsëri jemi me një rritje me rreth 37 milionë euro më shumë kontribute të mbledhura përgjatë këtij tremujori krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, ose në përqindje kemi një rritje të kontributeve, krahasuar me këto dy periudha, me 8.9%.
Të ardhurat nga kontributet vijojnë normalisht të shënojnë një ecuri pozitive nga tremujori në tremujor, ashtu siç kemi dhe raportuar më parë, dhe kjo mbështetet natyrisht nga zgjerimi i bazës së kontribuesve si dhe pa diskutim nga rritja e pagave si në sektorin publik ashtu dhe në sektorin privat.
Për sa i përket shpenzimeve, përgjatë këtij tremujori, totali i shpenzimeve buxhetore ka qenë në masën 156 miliardë lekë ose 92.9% e planit të periudhës. Në qoftë se do ta krahasojmë me tremujorin e parë të vitit 2025, kemi një rritje të shpenzimeve buxhetore me rreth 5.9% ose e përkthyer në vlerë monetare 8.7 miliardë lekë më shumë shpenzime buxhetore.
Në lidhje me shpenzimet korrente, ato kapin vlerën 150.7 miliardë lekë ose janë 95.4% e planit të periudhës. Në lidhje me realizimin e shpenzimeve kapitale, jemi në masën 52.6% të planit të periudhës. Natyrisht që realizimi i shpenzimeve për periudhën janar mars 2026 reflekton në fakt një ecuri të kujdesshme fiskale. Në thelb kemi të bëjmë me një aspekt sezonal të shpenzimeve kapitale të cilat kanë një kursim të përkohshëm për sa i përket tremujorit të parë të vitit, por nga ana tjetër krijojnë dhe një bazë rritje më të fortë të këtyre shpenzimeve, pra shpenzimeve për investime, gjatë pjesës së dytë të vitit, kryesisht pas muajit qershor.
Në lidhje me aktivitetin ekonomik të bizneseve, ritmi i rritjes së biznesit vijon të jetë tejet pozitiv. Në total numri i bizneseve është rritur me 5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Në fund të muajit mars, pra me datën 31 mars, numri total i bizneseve të regjistruara dhe aktive është 143.875. Gjithashtu, edhe subjektet e reja të regjistruara kanë shënuar një rritje dyshifrore. Pra, përgjatë këtij tre mujori janë regjistruar 6085 biznese të reja me një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm.
Paralelisht me rritjen e numrit të bizneseve, natyrisht kemi dhe një rritje të qarkullimit apo të xhiros së deklaruar të bizneseve përgjatë periudhës janar-mars 2026.
Në total qarkullimi ose xhiro e deklaruar e bizneseve, deri në fund të marsit, është 931 miliardë lekë dhe po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm kemi një rritje të xhiros vjetore të deklaruar me rreth 600 milionë euro. Ky tregues padyshim që tregon qartazi një zgjerim ekonomik dhe nga ana tjetër edhe një dinamikë pozitive për sa i përket ecurisë së biznesit në Shqipëri. Rritja natyrisht reflekton disa faktorë dhe është një kombinim faktorësh në fakt ku kemi të bëjmë me:
formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, pra ka një xhiro të deklaruar më të drejtë nga ana e bizneseve;
mbështetet pa diskutim edhe nga konsumi i brendshëm, i cili mbetet i fortë dhe kjo vjen edhe si rezultat i rritjes së të ardhurave, por edhe rritjes së punësimit;
nga ana tjetër kemi një performancë të mirë të sektorit të shërbimit dhe të tregtisë që pa diskutim mbeten dy motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Në planin e tregut të punës, përgjatë këtij tremujori kemi të regjistruar 13.825 më shumë punonjës të rinj sesa krahasuar me tremujorin e vitit 2025. Gjithashtu përgjatë këtij tremujor, edhe si rezultat i fushatave sensibilizuese që kemi bërë në sektorin privat, kemi një rritje të deklarimit të pagave në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe po t’i referohemi fashave të pagave nga 70.000 deri në 100.000 ALL, kemi një rritje me 25% të këtyre fashave, të deklarimit të pagave, krahasuar me marsin e vitit 2025.
Nga ana tjetër, kemi rritje të deklarimit edhe për fashat nga 100.000 deri në 120.000 lekë ku rritja është 26% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Gjithashtu, rritja e pagave në dy sektorët të cilët janë identifikuar si sektor me risk të lartë, siç është ndërtimi dhe turizmi, pas fushatave sensibilizuese të bëra nga administrata tatimore, kemi një rritje të pagave në fashat 70.000 deri në 100.000 lekë me 81% krahasuar me marsin e vitit 2025. Si kundër, kemi një rritje me 61% krahasuar me marsin 2025 për fashat midis 100.000 deri në 120.000 lekë, gjithmonë në sektorin e ndërtimit.
Ndërkohë që në sektorin e turizmit rritja midis këtyre dy fashave ka qenë mesatarisht 32 % deri në 34%.
Natyrisht rritja e deklarimit të pagave sjell edhe një rritje të tatimit mbi të ardhurat personale të paguar. Për sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, kemi një rritje të këtij tatimi në sektorin privat me 17.1% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025 dhe me 9% në sektorin publik.
Për herë të parë këtë vit është bërë raportimi i të tre deklaratave tatimore që lidhen me tatimin e fitimit të thjeshtuar, pra tatimi i fitimit të biznesit të vogël, tatimi i të ardhurave nga korporatat, pra që është tatim fitimi për bizneset e mëdhaja, si dhe diva e individëve.
Në vitet e mëparshme, ashtu siç edhe mund ta dini, datat e këtyre deklarimeve kanë qenë të ndryshme. Biznesi i vogël e ka pasur brenda datës 10 shkurt, biznesi i madh 31 mars, nga ana tjetër individët divën e depozitonin brenda datës 30 prill ndërkohë që, me ndryshimet më të fundit ligjore, është përcaktuar data 31 mars e çdo viti kur bëhen këto deklarime.
Pa diskutim që kjo ka qenë një sfidë e madhe edhe për administratën tatimore pasi kemi pasur në total 310.700 deklarata të depozituara. Megjithatë, procesi është administruar në mënyrë efikase pasi ndërkohë që i afroheshim datës 31 mars nuk u raportuan më as problematika as ngecje të sistemit nga ana e bizneseve apo dhe nga ana e individëve.
Për sa i përket deklaratave individuale të të ardhurave, këtë vit numri total i deklaratave individuale të të ardhurave është 164.263 me një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2025. Nga 164.263 deklarata rezultojnë rreth 77.000 përfitues nga skema për fëmijët nën 18 vjeç. Sipas përllogaritjeve të gjeneruara nga sistemi, janë 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë euro të cilat janë shuma për rimbursim për individët të cilët rezultojnë me tepricë kreditore. Nga këto, deri tani që flasim, janë rreth 670 milionë lekë që janë kërkuar nga ana e individëve për t’u rimbursuar në llogaritë e tyre bankare.
Për sa i përket kompensimit të TVSH-së në bujqësi, ashtu siç është deklaruar dhe më parë, kompensimi i TVSH-së në bujqësi do të fillojë nga data 1 korrik 2026. Megjithatë, Administrata Tatimore është duke bërë një vlerësim të impaktit që ka kjo politikë e re që kemi ndërmarrë për këtë vit. Vërehet se kemi një rritje të transaksioneve midis fermerëve me nipt dhe grumbulluesve dhe përpunuesve. Ka një rritje të këtyre transaksioneve përgjatë këtij tremujori me rreth 20%. Pra është diku te 5642 numri i fermerëve që kanë bërë transaksione me grumbullues ose përpunues.
Sipas përllogaritjeve të bëra nga kjo administratë, shuma potenciale vetëm për tremujorin e parë të vitit 2026 është 400 milionë lekë, shumë e cila do të kalojë në llogaritë e fermerëve. Mbani parasysh që bujqësia ende nuk ka filluar me potencialin e saj të plotë për të shitur produkte tek grumbulluesit apo tek përpunuesit. Këto në fakt janë disa nga treguesit e efekteve të politikës së re tatimore për vitin 2026 përsa i përket kompensimit të TVSH-së në bujqësi. Gjej dhe rastin këtu që t’ju bëj thirrje të gjithë përpunuesve dhe grumbulluesve që të lëshojnë autofaturat tek fermerët, pasi në rast se nuk e bëjnë do të jenë pastaj edhe subjekte të kontrollit nga Administratata Tatimore.