Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në konferencën “Platforma e dialogut me palët e interesuara për ndihmën e huaj në Shqipëri”, organizuar nga Agjencia Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC). Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte adresimi i sfidave dhe propozimi i zgjidhjeve për koordinimin efektiv të ndihmës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga donatorët, delegacioni i Bashkimit European në Tiranë dhe një sërë institucionesh shtetërore. Ministri Malaj ishte pjesë e sesionit hapës të konferencës, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të SASPAC, znj. Eridana Çano.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për Shqipërinë, mbështetje e cila, si financiare, teknike, por edhe strategjike, ka luajtur një rol jetik në rritjen ekonomike të vendit tonë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Ministri Malaj bëri një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë në vitet e fundit, i cili, siç vuri në dukje z. Malaj, tashmë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi ekonomik, duke e trefishuar potencialin prodhues dhe duke e shndërruar rritjen në mirëqenie të prekshme për qytetarët.
Ndër arritjet kryesore, Ministri Malaj përmendi rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbi 25 miliardë euro aktualisht; rritjen e të ardhurave për frymë në mbi 10,342 euro në vitin 2024; uljen e normës së papunësisë në nivelin njëshifror prej 8.8% në vitin 2024; rritjen e pagës mesatare dhe asaj minimale, ku kjo e fundit pritet të shkojë në 500 euro në vitin 2026; rritjen e investimeve të huaja në 1.58 miliardë euro deri në fund të vitit 2024; uljen e normës së kredive me probleme nën 5% në vitin 2024; apo rritjen e kredisë për ekonominë me rreth 48% që nga viti 2013.
Ministri i Financave veçoi konsolidimin fiskal, i cili është arritur pavarësisht përballjes me tri goditje madhore si tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike. Borxhi publik, tha z. Malaj, është reduktuar ndjeshëm në 54 % të PBB-së, nga niveli 70.3 % që ka qenë në vitin 2013.
“Falë një menaxhimi të kujdesshëm të borxhit, është krijuar më shumë hapësirë fiskale për investime strategjike, duke kursyer rreth 300 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit. Ministria e Financave synon të përmirësojë më tej strukturën e borxhit, e cila, në kombinim me rënien e vazhdueshme të nivelit të borxhit, do të ofrojë një portofol më të qëndrueshëm dhe me kosto më të ulët për buxhetin”, tha z. Malaj, sipas të cilit, deri në vitin 2029, raporti borxh ndaj PBB-së pritet të ulet më tej, duke iu afruar pragut 50%.
Duke iu referuar Strategjisë së re të Menaxhimit të Borxhit për periudhën 2025-2029, e cila sapo është hapur për konsultim publik, Ministri Malaj tha se ajo do të fokusohet në uljen e rreziqeve nga rifinancimi dhe të tjerë të lidhur me borxhin, zhvillimin e tregjeve dhe përputhjen e nevojave tona për financim me objektivat makroekonomikë.
Lidhur me financimet përmes projekteve, Ministri theksoi se Shqipëria ka siguruar mbështetje të rëndësishme buxhetore nga partnerët kryesorë të zhvillimit, për të forcuar hapësirën fiskale dhe për të përshpejtuar reformat. “Instrumentet e mbështetjes buxhetore nga BE, BB, AFD dhe KfW ofrojnë financim fleksibël për zbatimin e reformave, përballimin e goditjeve dhe ruajtjen e ritmit në sektorët prioritarë. Ato gjithashtu reflektojnë besimin që partnerët tanë kanë në institucionet dhe drejtimin tonë politik”, u shpreh z. Malaj.
Nga ana tjetër, Ministri tha se aktualisht po punohet ngushtësisht me institucione si Banka Botërore, FMN, BERZH, KfW, BEI dhe IDB për të siguruar që qasja e Ministrisë së Financave të mbetet e qëndrueshme dhe vizionare. Mbështetja buxhetore nga partnerët ndërkombëtarë, vuri në dukje z. Malaj, jep fleksibilitet për të avancuar reformat, për t’iu përgjigjur goditjeve dhe për të ruajtur ritmin në sektorët kyç.
Në këtë drejtim, Ministri Malaj shprehu përkushtimin që kjo mbështetje të përdoret në mënyrë efikase dhe transparente.
Duke iu referuar fazës së re të zhvillimit, Ministri i Financave theksoi se qasja ndaj financimeve publike udhëhiqet nga dy parime kryesore: së pari, huamarrja e kujdesshme, duke u fokusuar në instrumente fleksibël që ruajnë qëndrueshmërinë fiskale dhe gjenerojnë vlerë afatgjatë; dhe së dyti, shpejtësia dhe cilësia e zbatimit të projekteve, ku vëmendja aktualisht është fokusuar në forcimin e mekanizmave të koordinimit, përshpejtimi i afateve të ekzekutimit dhe investimi në kapacitetin institucional për të siguruar që fondet të përkthehen në ndikim real.
“Rruga fiskale e Shqipërisë është ajo e optimizmit të kujdesshëm. Jemi të përkushtuar për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, thelluar reformat strukturore dhe nxitur rritje gjithëpërfshirëse. Së bashku, le të ecim drejt një Shqipërie rezistente, gjithëpërfshirëse dhe me vizion, ku financimi është strategjik, zbatimi është efikas dhe rezultatet janë të shpërndara gjerësisht”, u shpreh z. Malaj.
Ministri vlerësoi se partneriteti me donatorët është thelbësor jo vetëm për të financuar zhvillimin e vendit tonë, por edhe për të ndërtuar institucionet dhe politikat që do ta mbështesin atë.