Ministry of Finance

Më 28 shkurt 2024, Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të Ballkanit Perëndimor, së bashku me përfaqësues të nivelit të lartë nga Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë u mblodhën në Tiranë për Ministerialin Rajonal “Ballkani Perëndimor drejt SEPA”, në një event të organizuar në kuadër të Samitit Rajonal për Planin e Rritjes dhe Konvergjencës. Ky ministerial vijoi diskutimet dhe disa nga prioritetet kryesore të parashtruara më 26 shtator 2023, gjatë “Ministrialit të Ekonomisë së Tiranës”, i cili pati në fokus Tregun e Përbashkët Rajonal.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e integrimit në SEPA, për monitorimin dhe promovimin e gatishmërisë dhe vullnetit të rajonit për t’u anëtarësuar në BE. Duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë që Plani i Ri i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor i jep këtij hapi, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përpjekjeve të bashkërenduara për të mobilizuar burime nga të gjithë partnerët për të ndihmuar rajonin me anëtarësimin në SEPA.
Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për të përfituar nga avantazhet e shumta që përdorimi i pagesave të shpejta, të thjeshta dhe me kosto të favorshme paraqet për aktivitetin ekonomik dhe klimën ekonomike në tërësi në Ballkanit Perëndimor. Të gjithë bizneset dhe konsumatorët në vendet e rajonit duhet të jenë në gjendje të kryejnë pagesa në euro ‘pa para’ – nëpërmjet transfertës dhe debitimit direkt, siç dhe procedohet me pagesat e brendshme – duke eliminuar kështu dallimet ndërmjet pagesave vendase dhe ato ndërkufitare dhe duke harmonizuar standardet në të gjitha vendet pjesëmarrëse. Integrimi në SEPA hap rrugën për ulje të kostove të tregtisë dhe reduktim të ekonomisë informale, duke lehtësuar dërgesat me kosto të ulët, duke mbështetur përfshirjen financiare dhe aksesin në financë dhe duke shtruar rrugën drejt rritjes ekonomike të qëndrueshme.
Gjatë këtij aktiviteti, ministrat, guvernatorët dhe pjesëmarrësit e tjerë diskutuan mbi avantazhet dhe sfidat që karakterizojnë këtë hap të rëndësishëm, por gjithashtu shprehën edhe një herë mbështetjen e tyre politike dhe angazhimin për të vijuar këtë proces deri në finalizimin e suksesshëm të tij.
Përfitimet Makroekonomike dhe Integrimi në SEPA:
Integrimi në SEPA – Çfarë do të thotë kjo për IHD-të dhe sektorin privat?
Pjesëmarrësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor theksuan se Bashkimi Evropian është burimi kryesor i investimeve të huaja dhe flukseve të tjera financiare në rajon. Pesha e IHD-ve nga BE-ja zë jo më pak se 70% të totalit. Një mbizotërim i tillë vërehet edhe në industrinë bankare. Shumë nga bankat në vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e grupeve bankare evropiane, gjë që lejon përhapje të standardeve dhe infrastrukturës bankare evropiane në bankat tona lokale.
Pjesëmarrësit theksuan se fluksi i investimeve të huaja direkte është vendimtar për ekonomitë e vogla ballkanike. Këto flukse përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të aktivitetit ekonomik duke promovuar integrimin në zinxhirët e vlerave evropiane, duke krijuar vende të reja pune dhe duke lejuar prezantimin e teknologjive të reja në rajon. Me anëtarësimin në SEPA, bizneset e rajonit do të kenë akses në një sistem pagesash më efikas, më të sigurt dhe modern. Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve evropiane do të rrisë atraktivitetin tonë si destinacion tek investitorët të cilët do të kenë besim më të madh në stabilitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë financiar. Meqenëse pjesa më e madhe e stokut të IHD-ve buron nga BE-ja, këta investitorë do të ndihen të sigurt se flukset e tyre të kapitalit mund të lëvizin pa probleme drejt dhe nga Bashkimi Evropian pa pengesa ose kosto të panevojshme.
Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan përfitimet në kohë ekzekutimi por dhe benefitet në nivel kostosh për firmat vendase. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor paguajnë gjashtë herë më shumë se homologët e tyre të BE-së gjatë kryerjes së pagesave ndërkombëtare. Për më tepër, firmat dhe klientët tanë përballen me procese të gjata gjatë kryerjes së transaksioneve financiare ndërkufitare, të cilat dëmtojnë efikasitetin dhe funksionimin normal të biznesit. Me SEPA, këto kosto dhe koha e përpunimit do të reduktohen ndjeshëm, duke lehtësuar kështu tregtinë rajonale me Evropën.
SEPA – Ndikimi i saj në një Sektor Strategjik siç është Turizmi
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë strategjike të turizmit për rritjen socio-ekonomike dhe konvergjencën e rajonit tonë. Ata konkluduan se me anëtarësimin në SEPA, po krijohet një fushë e barabartë loje për të gjithë vizitorët evropianë, të cilët do të përballen në rajonin tonë me pagesa plotësisht të krahasueshme, për sa i përket kostos, kohës dhe sigurisë, me ato në vendin e tyre. Vlen gjithashtu të theksohet se rëndësia dhe kontributi i turizmit në PBB po rritet me kalimin e viteve, ndaj dhe futja e pagesave ndërkufitare të thjeshta, të shpejta dhe të besueshme do të mund të mbështesë më tej këto ritme pozitive të industrisë.
Rritja e Efikasitetit të Politikës Monetare dhe Ndërmjetësimit Financiar
Pjesëmarrësit ranë dakord se një sistem pagesash i shëndoshë dhe efikas mbështet një mekanizëm efikas të transmetimit të politikës monetare. Ai rrit gjithashtu ndërmjetësimin financiar, zhvillimin dhe thellimin e tregjeve financiare dhe stabilitetin financiar. Si rezultat, këto sisteme moderne, efikase të pagesave hedhin themelet për një rritje të qëndrueshme ekonomike.
SEPA – Çelësi për Konkurrencë dhe Produktivitet më të lartë
Duke pasur parasysh madhësinë e vendeve të Ballkanit, sistemet e pagesave luajnë një rol vendimtar në promovimin e konkurrencës dhe produktivitetit. Ato mbështesin mirëfunksionimin e tregjeve financiare dhe të ekonomisë në një kontekst të brendshëm dhe ndërkombëtar. Sistemet e pagesave, të cilat kanë në bazë të tyre koston dhe efikasitetin në kohë, përmirësojnë marrëdhëniet ekonomike midis vendeve, duke rezultuar në një normë produktiviteti më të lartë dhe një pozicion konkurrues më të mirë.
SEPA – Një instrument për të luftuar Ekonominë Informale dhe Korrupsionin
Ballkani Perëndimor e konsideron integrimin në SEPA si një hap i cili do ketë ndikim të drejtpërdrejtë në transaksionet e remitancave. Sipas raportit të OECD-së, një nga arsyet pse emigrantët e Ballkanit Perëndimor përdorin kanale informale për dërgimin e remitancave lidhet me kostot e larta, të cilat arrijnë deri në 6 % të shumës së transaksionit ose dhe më tepër. Rrjedhimisht, SEPA do të ndihmojë në rritjen e kursimeve dhe mirëqenies së familjeve që mbështeten tek to, si dhe në uljen e informalitetit në marrjen e remitancave.
Për më tepër, prezantimi i opsioneve më efikase të pagesave do të rrisë popullaritetin e pagesave digjitale, krahasuar me transaksionet me para në dorë. Largimi nga transaksionet me para në dorë jo vetëm që rezulton në kursime monetare, në nivel kostoje, por gjithashtu kontribuon në reduktimin e ekonomisë informale, përfshirjen financiare dhe zvogëlimin e boshllëkut social.
Tregtia në kuadër të SEPA
Pjesëmarrësit theksuan se integrimi në zonën e vetme të pagesave në euro dhe modernizimi i sistemeve të pagesave do të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomitë tona dhe qytetarët tanë. BE-ja është partneri ynë më i madh tregtar, siç shihet në një peshë relative prej dy të tretave të tregtisë totale të rajonit. Mbi 70 % e eksporteve nga Ballkani Perëndimor kanë si destinacion përfundimtar vendet anëtare të BE-së. Ky moment historik do të ulë kostot e tregtisë, veçanërisht për bizneset mikro dhe të vogla të cilat, sipas llogaritjeve të Bankës Botërore, hasin kosto deri në 6 herë më të larta se homologët e tyre të BE-së. Duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në kostot operative, SEPA i ndihmon këto ndërmarrje të konkurrojnë më mirë në arenën ndërkombëtare, duke ofruar më shumë mundësi për rritjen dhe zgjerimin e tyre.
Gatishmëria për anëtarësim në SEPA
Gjatë Ministerialit, fokusi u vu gjithashtu në dallimet midis vendeve pjesëmarrëse në lidhje me infrastrukturën e pagesave, thellimin financiar, shkallën e zhvillimit si dhe në përafrimin e kuadrit ligjor me BE-në.
Duke vlerësuar mbështetjen e ofruar nga BE-ja përmes asistencës teknike të Bankës Botërore, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ndërtimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator si dhe infrastrukturës së nevojshme, në përputhje me kriteret e SEPA-s. Stafi i BB-së, paralelisht, ka organizuar dhe koordinuar seminare me palë të interesuara të sektorit privat me synim ndërtimin e kapaciteteve, ndërgjegjësimin, dhe arritjen e një niveli më të mirë të të kuptuarit të implikimeve të anëtarësimit në SEPA.
Rruga përpara drejt së ardhmes
Në përfundim të eventit, Ministrat, Guvernatorët dhe partnerët ndërkombëtarë shfrytëzuan rastin për të hedhur dritë mbi disa çështje të tjera me rëndësi si: krijimi i sistemeve të pagesave të menjëhershme në rajon, lehtësimi i ofrimit të shërbimeve, zhvillimi i mëtejshëm i industrisë FinTech duke mundësuar përdorimin e pagesave të iniciuara me kod QR në kontekstin rajonal dhe europian, si dhe miratimin e një kuadri për kufizimin e kostos së pagesave brenda CEFTA-s.