Ministry of Finance

Kuvend i Shqipërisë miratoi në seancë plenare, nen për nen dhe në tërësi, projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026 dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.
Projektbuxheti 2026 mbështet objektivat strategjikë të qeverisë, duke siguruar mirëqenie dhe mbrojtje sociale, mbështetje për integrimin europian, rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimin fiskal.
Kryefjala e buxhetit 2026 është: Pensionet, pasi, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, për vitin 2026 do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve me një efekt financiar të parashikuar në rreth 10.4 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, buxheti 2026 parashikon edhe rritjen e pagave. Duke filluar nga 1 janari 2026, paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.


Një tjetër element risi i këtij projektbuxheti është zbatimi i indeksimit periodik të pagave në administratën publike, duke e bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me ndryshimet e normës së inflacionit.
Gjithashtu, janë parashikuar rritje të diferencuara pagash, për të mbështetur në masë më të lartë punonjësit e sektorit mbështetës, por edhe kategori të tjera, me synimin për të garantuar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit në nivele të ndryshme të strukturës së Administratës Publike.
Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në paga, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe nga kjo masë do të përfitojnë mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore.
Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon:
Të ardhura buxhetore në vlerën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB, 52.9 miliardë lekë më shumë se sa viti 2025;
Shpenzime buxhetore në vlerën 886.8 miliardë lekësh, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025.
Investime Publike të planifikuara në masën 179.6 miliardë lekë ose 6.5% e PBB.
Përmes projektbuxhetit 2026 do të vijojë mbështetja e sektorëve prioritarë, si arsimi, bujqësia, infrastruktura, etj.
Në një kohë që rritja ekonomike e vitit 2025 parashikohet të jetë në 3.9% në terma vjetorë, për vitin 2026 dhe për periudhën afatmesme 2026-2028, ajo parashikohet të jetë mesatarisht në 4%/vit.
Nga ana tjetër, do të vijohet me objektivin thelbësor të politikës fiskale, atë të reduktimit të borxhit publik. Borxhi publik pritet të ulet në 53.6% të PBB-së, nga 54.1% e pritshme në vitin 2025, në përputhje të plotë me ligjin organik të buxhetit.
Paketa Fiskale 2026 nuk parashikon rritje taksash, por përmes saj synohet të krijohet një kuadër fiskal më transparent, më të thjeshtë dhe më eficient.
Paketa fiskale mbështet sektorët prioritarë, nxit formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe përmirëson ndjeshëm administrimin tatimor bazuar në rregulla të qarta dhe në barazinë fiskale.
Buxheti 2026 synon të sigurojë një trajektore të re zhvillimi dhe që e përgatit vendin për hapin e madh drejt integrimit europian, jo vetëm si proces politik, por si transformim i standardeve tona ekonomike dhe fiskale.