Ministry of Finance

Ministri Malaj: Ekonomia pritet të rritet me 3.9 % në 2025, vijojmë angazhimin për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe nxitur rritjen ekonomike

Në përfundim të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, u zhvillua sot, në ambientet e Ministrisë së Financave, konferenca e përbashkët për shtyp e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, shefes së misionit të FMN-së, znj. Anke Weber, dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Gjatë këtij misioni, u zhvillua një analizë e detajuar e performancës ekonomike të vendit tonë, financave publike, stabilitetit financiar dhe efikasitetit të politikave makroekonomike.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj falënderoi ekipin e FMN-së për bashkëpunimin dhe dialogun e frytshëm, ndërsa u shpreh se vlerësimet e FMN përbëjnë një orientim të vlefshëm drejt politikave më efektive që qeveria shqiptare do të duhet të ndërmarrë në të ardhmen.

Ministria e Financave, tha z. Malaj, do të vijojë të mbetet e palëkundur në angazhimin për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të nxitur një rritje që sjell përfitime për të gjithë qytetarët.
Ministri Malaj bëri një prezantim të shkurtër të treguesve kryesorë makroekonomik të vendit tonë dhe theksoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.6 % në gjashtë mujorin e parë të vitit 2025, ndërsa parashikohet që të rritet me 3.9 % për gjithë vitin.
Duke iu referuar projektbuxhetit 2026 që po diskutohet aktualisht në komisionet parlamentare, Ministri u shpreh se ai garanton ruajtjen e balancës primare pozitive, një raport optimal midis huamarrjes dhe investimeve kapitale, si dhe hapësirë fiskale për reagim ndaj situatave emergjente që mund të ndodhin në të ardhmen.

Nga ana e saj, shefja e misionit të FMN-së, znj. Anke Weber, ndër të tjera, vlerësoi se Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive me rritje më të shpejtë në Europë, ndërsa politikat e kujdesshme fiskale kanë çuar në një ulje të jashtëzakonshme të borxhit publik në vitet e fundit, ndërkohë që politika proaktive monetare ka ndihmuar që inflacioni të ulet nën objektiv.
Znj. Weber tha se për të përmbushur angazhimin e qeverisë për tu anëtarësuar në BE deri në 2030 do të duhen reforma gjithëpërfshirëse.
“Ne në FMN mbetemi thellësisht të përkushtuar të mbështesim Shqipërinë në këtë rrugëtim. Ne do vazhdojmë të punojmë me autoritetet për të nxitur stabilitetin makroekonomik dhe standarde më të larta jetese”, u shpreh shefja e misionit të FMN.
Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ndër të tjera, shprehu përkushtimin e BSH në respektimin e objektivit të saj primar: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe përmbushjen e detyrave të tjera të saj, në kuadrin e stabilitetit financiar, zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave, si dhe në procesin e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Deklarata e Ministrit Petrit Malaj në konferencën e përbashkët për shtyp mes MF-FMN-BSH:

Sot ne përmbyllëm diskutimet intensive me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në kuadër edhe të misionit të tyre vlerësues për Nenin IV të marrëveshjes që kemi me këtë institucion.
Dëshiroj që, së bashku me Shefen e Misionit znj. Anke Weber dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, të ndaj me ju konkluzionet kryesore nga kjo periudhë e rëndësishme vlerësimi që i është bërë ekonomisë shqiptare.
Fillimisht, dua të shpreh mirënjohjen time për znj. Anke Weber dhe të gjithë ekipin e saj për frymën dhe dialogun konstruktiv që kemi patur gjatë ditëve të fundit, si dhe përsa i përket analizës së thelluar që kanë bërë për ekonominë shqiptare.
Vlerësimet e tyre, padyshim objektive, parashtrojnë ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe një orientim të vlefshëm drejt politikave më efektive që do duhet të ndërmarrim në të ardhmen.
Gjatë këtij misioni është analizuar në detaje performanca ekonomike, financat publike, stabiliteti financiar dhe efikasiteti i politikave makroekonomike.
Rekomandimet e FMN-së janë një udhërrëfyes i çmuar, jo vetëm për Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë, por për të gjithë vendimmarrësit në fushën e ekonomisë.
Vitet e fundit kanë qenë një sprovë e vërtetë për ekonominë tonë së cilës i është dashur të përballet me sfida jo vetëm të brendshme, por edhe me sfida globale të paprecedenta.
Megjithatë, Shqipëria ka dëshmuar që ka një kapacitet për t’u përshtatur dhe për të mbrojtur trajektoren e saj të zhvillimit ekonomik.
Institucionet tona, si në aspektin fiskal, ashtu edhe në atë monetar, kanë treguar maturitet në menaxhimin e rreziqeve dhe në hartimin e politikave që kanë ndihmuar në minimizimin e kostove të ardhura nga goditjet të jashtme. Kjo përvojë na ka shërbyer edhe për të forcuar besimin përballë sfidave të ardhshme.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ekonomia shqiptare është zgjeruar me 3.6%, një performancë që dëshmon shëndetin e saj të mirë. Kjo rritje ka qenë gjithëpërfshirëse, duke prekur praktikisht të gjithë sektorët e ekonomisë.
Parashikimi për vitin 2025 mbetet optimist, me një rritjeje prej 3.9%, e mbështetur në dinamikat solide të ekonomisë reale.
Konsumi privat është rritur me 3.3%, ndërkohë që investimet totale janë rritur me 4.1%, ndërsa projektet strategjike në infrastrukturë dhe energji  ato do të vazhdojnë të kenë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të vendit tonë.
Tregu i punës po përjeton një transformim historik. Papunësia ka rënë në minimumin e saj historik prej 8.5% dhe punësimi vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe pagat po përmirësohen gradualisht në të gjithë sektorët, qoftë në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Këto zhvillime tregojnë se rritja ekonomike po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët e vendit tonë.
Inflacioni vijon të mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Mesatarja për vitin 2024 dhe për dhjetë muajt e parë të  vitit 2025-ës është në masën 2.2%.
Në aspektin e pozicionit të jashtëm, deficiti i llogarisë korente qëndron në nivele të ulta dhe mjaft të menaxhueshme për ekonominë tonë.
Deficiti i llogarisë korente për vitin 2024 ishte në masën 2.4% të PBB-së, pra nën mesataren historike prej 6-7% që ka qenë në të shkuarën. Ky zhvillim lidhet ngushtë me reduktimin e deficitit fiskal dhe menaxhimin e kujdesshëm të financave publike.
Turizmi vazhdon të jetë një prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë dhe motori kryesor i eksporteve shqiptare, në kuadrin e shërbimeve që ne ofrojme, me të ardhura që janë rritur me 7.7% në gjysmën e parë të vitit. Sektori do të vijojë të mbetet një nga kontribuesit kryesor në bilancin e shërbimeve.
Ndërkohë edhe politika fiskale konsoliduese, me një suficit primar për të tretin vit rradhazi, mbetet një faktor kyç në përmirësim e balancës sonë korente.
Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar rritje prej 7% në vitin 2024, duke vazhduar trendin pozitiv edhe përgjatë vitit 2025. Fokusi kryesor i investimeve vijon të mbeten në turizëm, pasuri të paluajtshme, energjetikë dhe sektorin financiar.
Rezervat valutore janë më të lartat historikisht, me rreth 7 miliardë euro deri në vitin 2025 dhe mbulim për 7.3 muaj importesh mallrash dhe shërbimesh, një nivel optimal për përballimin e çdo goditjeje të mundshme.
Në fushën e financave publike, konsolidimi fiskal përbën një progres shumë fondamental. Balanca primare për vitin 2024 ishte pozitive me 1.4% të PBB-së, ndërsa borxhi publik gjatë vitit 2024 ka rënë në 54.2%, niveli më i ulët që nga viti 2008.
Edhe gjatë këtij viti pritet sërisht një balancë primare pozitive dhe reduktim i mëtejshëm i borxhit publik. Ky progres është njohur edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, si Standard & Poor’s dhe Moody’s.
Projektbuxheti për vitin 2026, por edhe për periudhën afatmesme 2026–2028, që po diskutohet tashmë në Kuvend, mbështet prioritete strategjike, si:
Forcimin e mbrojtjes sociale me fokus të veçantë pensionistët, me një impakt të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit për vitin 2026, rreth 105 milionë euro;
Rritjen e qëndrueshme ekonomike rreth 4% në vit;
Investime publike që arrijnë në 6.5% të PBB-së në 2026;
reduktim të vazhdueshëm të borxhit publik, nga 54.1% që e parashikojmë në fund të 2025-ës në 53.6% në fund të vitit 2026.
Projektbuxheti garanton ruajtjen e balancës primare pozitive, një raport optimal midis huamarrjes dhe investimeve kapitale, si dhe hapësirë fiskale për një reagim ndaj situatave emergjente që mund të kemi.
Për Ministrinë e Financave, do të vijojë të mbetet i palëkundur angazhimi për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të nxitur një rritje që sjell përfitime për të gjithë qytetarët.
Në mbyllje dhe duke respektuar protokollin e kësaj konference, dëshiroj t’ia kaloj fjalën znj. Anke Weber për të prezantuar vlerësimet e misionit të FMN-së, e më pas Guvernatorit Sejko për perspektivën e politikës monetare.