Ministry of Finance

Zoti Shehaj, në fakt kjo është një mundësi e dyfishtë për të sqaruar raportin e monitorimit të kontratave të koncesionit dhe PPP. Them e dyfishtë, pasi ky raport është pjesë e Buxhetit Faktik, pra është një nga anekset e Buxhetit Faktik dhe si i tillë do të diskutohet në procedurë normale parlamentare me fillimin e sesionit të ri, në Shtator.
Në parim, ato çështje që diskutohen në procedurë normale parlamentare nuk janë pjesë e interpelancave, por në përgjigje të kërkesës suaj për interpelancë, vlerësoj se është një mundësi për ta sqaruar më me detaje si për ju, edhe për ata që na ndjekin, si natyrën e këtij raporti, përmbajtjen e tij, ashtu edhe rolin dhe përgjegjësitë ligjore të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve respektive kontraktore, që mund të jenë ministri linje, bashki, apo entitete të tjera.
Siç e thashë, është një raport i cili shoqëron Buxhetin Faktik dhe ka një arsye pse shoqëron Buxhetin Faktik, sepse së pari, është një raport që ka në fokus monitorimin dhe transparencën lidhur me risqet e mundshme të natyrës buxhetore, fiskale, apo të borxhit publik.
Kjo ka qënë edhe në qëllimet e ndryshimeve ligjore të vitit 2019, të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, pikërisht për të forcuar rolin e Ministrisë së Financave lidhur me monitorimin e kontratave koncesionare, në këndvështrim të raportimit të risqeve të mundshme fiskale dhe implikimeve buxhetore.
Nga ana tjetër, në terma të arkitekturës institucionale, se kjo është e rëndësishme të kuptohet nga ju dhe të tjerët, janë autoritetet kontraktore ato që monitorojnë zbatimin, nëpërmjet njësive të tyre të menaxhimit të kontratave dhe janë ato që raportojnë pranë njësisë së koncesioneve dhe risqeve fiskale në Ministrinë e Financave, që në vijim bëhet ky raport monitorimi, sipas një standardi të caktuar.
Nëpërmjet një angazhimi domethënës të strukturave të Ministrisë së Financave, është bërë e mundur, jo vetëm hartimi i raportit të vitit 2023, por edhe i vitit 2022, që nuk ishte publikuar vitin e kaluar. Këto raporte janë ndarë me Fondin Monetar Ndërkombëtar pasi janë publikuar, i cili pati së fundmi një vizitë në Shqipëri dhe dhe në deklaratën përmbyllëse të misionit, u vlerësuan raportet dhe u theksua shprehimisht nga FMN se u mirëprit publikimi e tyre.
Në vijim, ne po punojmë ngushtësisht me ekspertët e FMN-së, siç u theksua përsëri në deklaratën e tyre përmbyllëse, për të hartuar një dokument të posaçëm të risqeve fiskale, i cili do të jetë një dokument analitik që do të prodhohet për herë të parë. Synimi ynë është që të publikohet në shtator dhe do të jetë i emërtuar Deklarata e Risqeve Fiskale.
Për t’u kthyer tek Raporti, ne sot kemi 11 kontrata Partneriteti Publik Privat me mbështetje buxhetore dhe gjatë vitit 2023, siç e thotë edhe raporti, nuk është lidhur asnjë kontratë e re dhe ju konfirmoj se as gjatë vitit 2024 ne nuk kemi në proces ndonjë kontrate të re PPP me mbështetje buxhetore.
Në total, në Shqipëri deri në vitin 2023 rezultojnë të nënshkruara 230 kontrata koncesionare, ku peshёn mё tё madhe e zё sektori i energjisë me 183 kontrata dhe numri total i kontratave të miratuara për periudhën 2004-2013 shënon shifrën 176 kontrata në total nga 230, ndërsa gjatë periudhës 2014-2023 janë miratuar 54 kontrata në total, detaje që i jep raporti.
Raporti i vitit 2023 rezulton në fakt raporti më i plotë me numrin më të madh të kontratave koncensionare të pasqyruara ku përfshihen edhe kontratat me mbështetje buxhetore.
Siç e theksova, Ministria e Financave bën monitorim në bazë të implikimeve buxhetore dhe rregullave fiskalë të Ligjit Organik të Buxhetit. Një nga këto rregulla kërkon shprehimisht që, “shuma e përgjithshme e pagesave vjetore, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare, apo partneriteti publik privat, si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.”
Ky është fokusi i raportit në këndvështrim të Ministrisë së Financave.
Në këtë drejtim, referuar tё dhёnave tё pasqyruara nё raportin e vitit 2023, konstatohet se përqindja e pagesave buxhetore ndaj totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor, ka rezultuar rreth 2.3% për vitin 2023, në rënie krahasuar me vitin 2022 dhe në bazë të planifikimit që ne kemi për periudhën afatmesme 2024-2027 ky tregues parashikohet të jetë nё rёnie të ndjeshme edhe për vitet në vijim.
Sa i përket rolit të Ministrisë së Financave, gjithnjë e lidhur kjo me funksionin e saj primar të mirëmenaxhimit të sistemit buxhetor, kryhet monitorimi i pagesave faktike të planifikuara të vitit korrent buxhetor dhe realizimi i tyre dhe në termat e këtij monitorimi, në raportin e publikuar, ka një tabelë të pagesave ndër vite për të gjitha ato koncesione, apo PPP me mbështetje buxhetore. Prandaj raporti fokusohet në atë informacion që ju e përmendët.
Pikërisht në kuadër të transparencës, në paketën që shoqëron Buxhetin Faktik, sepse e theksoj, është pjesë e paketës së Buxhetit Faktik që ne do të kemi mundësi ta diskutojmë në shtator edhe në komision edhe në seancë, i dorëzuar tashmë në Kuvend, ka një seksion të posaçëm në relacionin e këtij buxheti, ku parashtrohen risqet fiskale dhe veçanërisht risqet lidhur me kontratat koncesionare.
Për më tepër, edhe në relacionin e buxhetit vjetor, ka një seksion të veçantë ku veçanërisht për kontratat koncensionare parashtrohen risqet e tyre.
Përveç paketës që shoqëron buxhetin faktik, informacioni i detajuar mbi pagesat faktike të planifikuara për kontratat koncesionare me mbështetje buxhetore paraqitet dhe publikohet edhe në të gjitha raportet buxhetore, si “Raporti i Mes-Vitit mbi zbatimin e buxhetit të vitit korent”, si dhe në “Relacionin e projektbuxhetit vjetor”.
Ministria e Financave ka qënë dhe mbetet e angazhuar për zgjerimin dhe pasurimin e informacionit që ka të bëjë me risqet fiskale, të cilat mund të sjellin efekte buxhetore, duke ofruar transparencë të plotë, si për Kuvendin, ashtu edhe për qytetarët.
Por janë autoritetet kontraktore të cilat nëpërmjet njësive të zbatimit të kontratave monitorojnë dhe ndjekin periodikisht ecurinë e zbatimit të të drejtave dhe detyrimeve, objekt kontrate. Monitorimi dhe mbikëqyrja periodike e një kontrate është atribut ligjor i këtyre autoriteteve kontraktore.
Në rastet kur Ministria e Financave është vetë autoritet kontraktor, këto detyrime janë të Ministrisë së Financave. Specifikisht, për dy koncensione ku autoritet kontraktues është Ministria e Financave, koncesioni për pullat fiskale dhe koncesioni i markimit të karburanteve, po ndiqen procedurat për mbylljen e tyre.
Për miratim, nesër besoj pika e parë e rendit të ditës në seancë, janë ndryshimet ligjore për të hequr koncesionarin nga dispozitat e ligjit të akcizave, si dhe për të hequr prerogativat e koncensionarit nga ky ligj. Ky shërbim, nga 1 Janari 2025 kalon në menaxhim shtetëror. Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohet me tarifa më të ulëta se ato që aplikohen sot nga koncesionari dhe për të cilat ka pasur ankesa të vazhdueshme nga biznesi.
Besojmë që kjo do të jetë lehtësi, si për komunitetin e biznesit, ashtu dhe për qytetarët të cilëve u transferohet kjo tarifë.
Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes për këtë kontratë koncesionare dhe tani po ndiqen të gjitha procedurat, në mënyrë që, duke nisur nga 1 janari 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të bëhet nga një person juridik shtetëror, i autorizuar nga Këshilli i Ministrave, që do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë. Edhe kjo është pjesë e raportit.
Në të njëjtën kohë, në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit. Dhe besojmë se dhe ky do të jetë një lehtësim për qytetarët që e paguajnë koston e këtij markimi në çdo litër karburant sot.
Patjetër që në rolin e ministrit të Financave ngelem i interesuar që të ketë një monitorim sa të më të mirë të kontratave të koncensionit dhe për këtë arsye kemi nisur edhe hartimin e ndryshimeve ligjore lidhur me ligjin e PPP së bashku me ekspertët e FMN dhe të Bankës Botërore, së bashku edhe me ekspertët e Bashkimit Europian, ndryshime të cilat në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Ekonomisë, që tashmë ka tagrin e koncensioneve, do t’i paraqesim në Kuvend dhe për të cilat shpresoj edhe në mbështetjen tuaj.
Gjithashtu, siç e thashë, do kemi mundësi që këtë raport, por edhe aspektet që lidhen me koncensionet sa i përket buxhetit, t’i diskutojmë në Buxhetin Faktik dhe më gjerë të shohim edhe aspektet e risqeve fiskale që do të paraqiten në Deklaratën e Risqeve Fiskale në shtator, siç ju thashë që po punojmë me FMN dhe publikohet për herë të parë.
Faleminderit!