Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat aktin normativ nr.5, datë 19.12.2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj u shpreh se përmes aktit normativ u synua kryesisht mbështetja për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, përmes një pakete prej rreth 2.2 miliardë lekë, si dhe krijimi i një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve, me një transfertë fillestare prej rreth 6.3 miliardë lekë.
Ministri theksoi faktin se ndryshimet e propozuara në këtë akt do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj:
I nderuar kryetar i komisionit,
Të nderuar anëtarë,
Rishikimi i fundit i buxhetit për vitin 2024, që u miratua nga qeveria më 19 Dhjetor në formën e një akti normativ, reflekton në buxhetin vjetor disa rishikime në zërat e të ardhurave e shpenzimeve, për garantimin e finalizimit në terma optimalë të vitit buxhetor, sa i takon performancës së parametrave makroekonomikë në tërësi, si dhe rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike në veçanti.
Nëpërmjet këtij Akti Normativ u synua kryesisht mbështetja për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, nëpërmjet shpërndarjes së një pakete shpërblimesh të fundvitit me një kosto rreth 2.2 miliardë lekë, krahas krijimit të një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve, me një transfertë fillestare prej rreth 6.3 miliardë lekë. Nga ana tjetër, në logjikën e viteve të mëparshme, ky rishikim i buxhetit 2024 materializoi gjithashtu rialokimin e shpenzimeve buxhetore drejt atyre me ecuri më të lartë, duke realizuar në masë të konsiderueshme pagesën e detyrimeve.
Përsa i përket zhvillimeve makroekonomike, më lejoni të parashtroj një panoramë të përmbledhur të ecurisë së ekonomisë dhe perspektivës së saj, si bazë për diskutimin e ndryshimeve buxhetore që janë propozuar.
Viti 2024 shënoi një konsolidim të mëtejshëm të themeleve ekonomike të vendit tonë. Të dhënat tregojnë një rritje ekonomike prej 4% për 9-mujorin, me një dinamikë përshpejtuese nga tremujori në tremujor. Ky zgjerim ekonomik është gjithëpërfshirës, i udhëhequr nga dinamizmi i sektorit të shërbimeve, aktiviteti i shtuar në ndërtim dhe një bazë e shëndetshme e konsumit privat. Klima e biznesit, e reflektuar në treguesit e besimit ekonomik, vazhdon të qëndrojë mbi nivelet mesatare historike.
Një arritje e rëndësishme për stabilitetin makroekonomik është edhe performanca e çmimeve. Inflacioni mesatar gjatë vitit 2024 ka zbritur në 2.2%, një përmirësim i dukshëm nga 4.8% që ishte në 2023. Veçanërisht inkurajues është edhe fakti që ky nivel inflacioni ka qenë përgjatë gjithë periudhës së goditjes globale të çmimeve (veçanërisht gjatë 2022) dhe vijon të qëndrojë më i ulët se sa mesatarka e vendeve të rajonit apo Bashkimit Evropian.
Sektori i jashtëm i ekonomisë ka shfaqur një përmirësim thelbësor. Deficiti i llogarisë korrente ka rënë në një minimum historik prej vetëm 1.2% të PBB në 2023, një përmirësim drastik nga 5.9% që ishte në 2022. Investimet e Huaja Direkte vijojnë trendin pozitiv, me një rritje prej 8.1% në gjysmën e parë të 2024 dhe po ashtu me rritje pozitive edhe në tremujorin e tretë, duke arritur në mbi 1 miliard EUR si 9-mujor në 2024. Pozicioni ynë valutor është forcuar ndjeshëm, me rezerva valutore që arrijnë në mbi 6 miliardë euro.
Progres reflektohet qartë edhe në tregun e punës. Në fund të vitit 2023, norma e papunësisë zbriti në nivelin më të ulët historik prej 10.7%. Pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 75.1%, ndërsa shkalla e punësimit është rritur në 66.7%.
Performanca fiskale konfirmon efektivitetin e politikave tona. Deri në nëntor 2024, të ardhurat buxhetore tejkaluan planin me 3% dhe shënuan një rritje vjetore prej pothuaj 10%. Ndërkohë që të dhënat paraprake për 12 mujorin e vitit që lamë pas tregojnë për një realizim të plotë të planit dhe tejkalim të të ardhurave me 9 % krahasuar me vitin 2023. Si rezultat, borxhi publik pritet të ulet në 55.2% të PBB deri në fund të 2024, niveli më i ulët që nga viti 2008. Cilësia e menaxhimit të borxhit është përmirësuar ndjeshëm, ku pjesa e borxhit në valutë të huaj është ulur nën 45%, ndërsa mbi 80% e portofolit total është me norma fikse interesi.
Perspektiva jonë për të ardhmen mbetet optimiste. Si për vitin 2024 që lamë pas, ashtu edhe për periudhën afatmesme, parashikojmë një rritje ekonomike rreth nivelit 4%. Në tregun e punës, projektojmë se shkalla e papunësinë do vijojë të ulet më tej, duke zbritur për herë të parë historikisht në një nivel një shifror (nën 10%) gjatë periudhës afatmesme në vijim.
Angazhimi ynë për konsolidim fiskal mbetet i palëkundur, me objektiv vijimësinë e uljes graduale të borxhit publik. Por sigurisht në të njëjtën kohë, mbajtjen në një nivel relativisht të lartë të investimeve strategjike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, të cilat mbeten prioritete kyçe për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Në reflektim të këtyre zhvillimeve mjaft të mira të ekonomisë në tërësi dhe përmirësimeve të parametrave të financave publike në veçanti, kemi marrë së fundmi edhe vlerësim në rritje të perspekivës nga dy agjencitë vlerësuese prestigjoze, respektivisht ‘Moody’s’ dhe ‘Standard & Poor’s.
Sa i takon aktit normativ, përmes tij sigurojmë:
• Ruajtjen të pandryshuar të nivelit të planifikuar të defiçitit buxhetor në vlerën 57.28 miliardë lekë.
• Ruajtjen të pandryshuar të nivelit të të ardhurave të përgjithshme.
• Rishpërndarjen e rreth 50 miliardë lekë mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, me synimin e realizimit sa më të plotë të shpenzimeve publike për vitin 2024.
Me konkretisht, propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore konsistojnë në rishpërndarjen e një volumi prej rreth 50 miliardë lekë te shpenzimeve të përgjithshme, me një efekt neutral në buxhet, pasi mbulohet tërësisht nga fondet e lira të rezultuara pas vlerësimit të realizimit në nivel 11 mujor të shpenzimeve të institucioneve buxhetore. Rrjedhimisht, të gjitha ndryshimet që propozohen mbështeten në një sërë faktorësh realë dhe projeksionesh të pritshme, të cilat garantojnë zbatueshmërinë e tij.
Sa i takon Shpenzimeve Publike, ndryshimet thelbësore konsistojnë kryesisht në:
Mbështetjen financiare të disa kategorive më vulnerabël në masën 15.000 lekë për përfituesit e kategorive sociale në Ndihmë Ekonomike dhe Aftësi të Kufizuar, me një efekt financiar prej 2.2 miliardë lekë;
Krijimin e Llogarisë së Mbështetjes për Pensionistët në Bankën e Shqipërisë, në të cilën transferohen përmes këtij akti normativ rreth 6.3 miliardë lekë, me qëllim sigurimin e implementimit të politikës së mbështetjes së pensioneve për vitin 2025;
Shtesën e fondeve në masën 1.6 mld lekë për Ministrinë e Brendshme, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orë jashtëorarit/dieta/karburant në kuadër të sezonit intensiv turistik, krahas shlyerjes së detyrimeve nga vendimet gjyqësore;
Financimin shtesë për Skemën e Fermerëve në masën 1.4 mld lekë, me qëllim mbulimin e të gjithë kërkesave të aplikantëve që plotësojnë kriteret e përfitimit për masat mbështetëse për vitin 2024;
Shtesën e fondeve për AKSHI-n në masën 2.6mld lekë, me qëllim shlyerjen e detyrimeve në kuadër të kontratave për mirëmbajtjen e sistemeve IT të Qeverisë dhe pagesës së shërbimit nga Microsoft;
Shtesën e fondeve në masën 1.1 mld lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim mbulimin e detyrimeve financiare ndaj NATO dhe misioneve ushtarake jashtë vendit;
Shtesën e fondeve në masën 1.3 mld lekë për MIE, për financimin e detyrimeve të kontratave të mirëmbajtjes rrugore, krahas vendimeve gjyqësore të shpronësimeve;
Financimin shtesë prej 300 mln lekë, përkatësisht për:
Në masën 100 mln lekë, me qëllim organizimin e tre tureve të para të ‘Giro d’Italia’ në Republikën e Shqipërisë.
Në masën 200 mln lekë, me qëllim vijimin e financimit të projektit të KOKSH “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe aktiviteteve në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve.
Akomodimin e pjesës së mbetur në masën rreth 520 mln lekë, me qëllim pagesën e diferencës së pagës së magjistratëve në zbatim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.35 datë 22.11.2022;
Akordimin e një fondi në masën 2 mld lekë për shoqërinë AlbControl sh.a, si huadhënie në formën e transfertës përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim garantimin e veprimtarisë normale të këtij institucioni të rëndësisë së veçantë;
Financimin shtesë në masën rreth 1.57 mld lekë për dy projektet e Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, me qëllim financimin për dy projektet “Digjitalizimi i të dhënave kadastrale të pasurive të paluajtshme” dhe “Regjistrimi fillestar i zonave kadastrale”.
Sa i takon specifikisht Shpenzimeve Kapitale, në terma të akomodimeve përmes këtij Akti Normativ, ato konsistojnë kryesisht në:
Financimin shtesë për MIE në masën rreth 3.6 miliardë lekë, me qëllim përballimin e nevojave për projektet me financim të brendshëm të cilat kanë patur ecuri të mirë fizike gjatë vitit 2024, kryesisht projektet e Unazës së Madhe të Tiranës, Lotet e Rrugës Elbasan – Qafë Thanë, etj.
Financimin shtesë në masën 240 mln lekë për MEPJ, me qëllim blerjen e godinës së Ambasadës së RSH në Bruksel.
Në këndvështrimin e financave vendore, në këtë akt normativ propozohet:
Rritja me 2.2 miliardë lekë e të ardhurave të NJVQV, bazuar në performancën pozitive të mbledhjes së të ardhurave përgjatë muajve janar – dhjetor 2024. Plani vjetor i rishikuar i të ardhurave tatimore të pushtetit vendor është propozuar në shumën 39.3 miliardë lekë nga 37.1 miliardë lekë i miratuar me Aktin Normativ të muajit gusht 2024. Kjo, bazuar në tejkalimin faktik të periudhës 11 mujore, që mundësoi në këtë Akt Normativ:
Rritjen e planit të ‘Taksave lokale’ me 1.7 miliardë lekë;
Rritjen e planit të ‘Taksës mbi pasurinë” me 500 milionë lekë.
Rritja me rreth 1.6 mld lekë e transfertës buxhetore të Pushtetit Vendor, me qëllim mbështetjen e bashkive për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve, nga të cilat:
Në lidhje me deficitin dhe borxhin:
Deficiti buxhetor, si rrjedhojë e ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, mbetet i njëjtë sipas atij të miratuar me anë të AN nr.3 datë 28.8.2024.
Borxhi publik për buxhetin 2024, rishikohet duke reflektuar ndryshimet si vijon:
• Zëri i huave të huaja afatgjatë ulet me 8.34 mld lekë, duke reflektuar ndryshimet e propozuara sa i takon projekteve me financim të huaj kredi.
• Shpenzimet e parashikuara për interesat gjatë vitit 2024 vlerësohen me një kursim prej 4 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i efektit te kursit të këmbimit.
Sa i takon pritshmërive, sipas vlerësimeve dhe parashikimeve më të fundit ai pritet të jetë në nivelin prej rreth 1 377 miliardë lekë në fund të vitit 2024 ose rreth 55% e PBB në terma relativë. Ky vlerësim i pritshëm reflekton të gjitha statistikat dhe projeksionet më të fundit, të lëvizjeve rrjedhëse (floës) të huamarrjeve neto të pritshme për këtë vit apo edhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në stokun total të borxhit.
Huamarrja e brendshme vijon të mbetet e njëjtë si në planin fillestar të projektbuxhetit në nivelin prej 50 miliardë lekë. Zëri i financimit të huaj, konkretisht ai i huave afatgjata ulet me rreth 8 mld lekë, duke reflektuar ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ sa i takon projekteve me financim të huaj me kredi.
Në terma afatmesëm, niveli i borxhit në raport me PBB do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, ku konkretisht gjatë vitit 2024 niveli i borxhit pritet të ulet me rreth 2.3 pikë përqindje (nga 57.5% në 55.2%), gjatë vitit 2025 pritet të ulet me 0.4 pikë përqindje (në 54.8%) dhe gjatë vitit 2026 pritet të ulet me 0.8 pikë përqindje.
Në mbyllje të fjalës sime, mbështetur në sa më sipër gjerësisht parashtruar, dëshiroj të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, në përputhje me rregullin fiskal respektiv të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në tërësi.
Faleminderit!