Ministry of Finance

Deklaratë e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Të dashur qytetarë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam Aktin Normativ të fundit të vitit për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.
Disa nga çështjet kryesore që miratuam nëpërmjet këtij Akti Normativ janë:
Mbështetja financiare për familjet të cilat përfitojnë Ndihmë Ekonomike si dhe për Personat me Aftësi të Kufizuar, apo kujdestarët e tyre.
Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit, do të jetë 15 mijë lekë apo rreth 150 euro.
Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148,500 qytetarë me një fond total prej 2.2 miliardë lekë.
Një nga vendimet më të rëndësishme të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve nga ana e ministrive apo institucioneve buxhetore.
Është vendosur që për të gjitha ato fonde të cilat nuk do të shpenzohen nga ministritë apo institucionet buxhetore, do të kalojnë në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, vlerësohet se shuma që minimalisht do të kalojë në këtë llogari do të jetë në masën 150 milionë euro.
Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve të cilën kjo qeveri tashmë e ka nisur. Nëpërmjet këtij Akti Normativ ne do të mbështesim edhe sektorin e bujqësisë ku fermerët do të përfitojnë një shumë prej rreth 2 miliardë lekë shtesë nëpërmjet skemave mbështetëse.
Në total fondi i alokuar për vitin 2025, ku fermerët kanë përfituar drejtpërdrejt nëpërmjet këtyre skemave mbështetëse, shkon në masën 6.4 miliardë lekë, krahasuar me 5.3 miliardë lekë që ishte në vitin 2024.
Shëndetësia është një tjetër sektor që do të mbështetet nëpërmjet këtij Akti Normativ ku do të përfitojë 18 milionë euro shtesë, mbështetje për ilaçe në spitale.
Edhe pushteti vendor do të përfitojë nëpërmjet këtij Akti Normativ duke u mbështetur me rreth 1.2 miliardë lekë shtesë, fonde të cilat do të përdoren për të shlyer detyrimet më të vjetra të prapambetura.
Në total, vlera që po i alokojmë pushtetit vendor është e barasvlefshme me rreth 40% të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki.
Këto janë vetëm disa nga politikat që kemi parashikuar në këtë Akt Normativ, natyrisht për të garantuar që fondet publike të përdoren aty ku nevoja është më e madhe.
Ministria e Financave, nga ana tjetër, është këtu për të garantuar stabilitetin ekonomik, si dhe të zbatojë politika të cilat synojnë mirëqenien sociale të qytetarëve të vendit tonë.
Ju faleminderit!