Ministry of Finance

Zëvendësministrja e Financave, znj. Vasilika Vjero, mori pjesë në konferencën “Sfidat dhe arritjet e mbikëqyrjes publike në përmirësimin e cilësisë së auditimit ligjor dhe raportimit financiar”, organizuar nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, si pjesë e projektit për Forcimin e Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit (SQARP), financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe i zbatuar me mbështetjen e Bankës Botërore.
Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të SECO dhe BB, përfaqësues të institucioneve publike dhe profesionistë të fushës së auditimit ligjor dhe kontabilitetit.
Në nisje të fjalës së saj, Zëvendësministrja Vjero vuri theksin në angazhimin e ndërmarrë vitet e fundit nga Ministria e Financave në kuadër të hartimit dhe zbatimit të reformave strukturore në sektorët kyç strategjik që prekin ekonominë, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend, thjeshtimit të procedurave të biznesit dhe përmirësimit të legjislacionin përkatës në një sërë sektorësh, duke rritur në këtë mënyrë më tej dhe investimet e huaja direkte në vend.


Një prej reformave që Ministria e Financave po zbaton me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, tha znj. Vjero, është ajo e përmirësimit të raportimit financiar në sektorin privat, që ka si qëllim kryesor përmirësimin e cilësisë së auditimit ligjor dhe raportimit financiar, si dhe përafrimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator të fushës së kontabilitetit dhe auditimit të vendit tonë me praktikat më të mira, si dhe përafrimin e mëtejshëm me direktivat dhe rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të zbatimit të kësaj reforme, qeveria dhe Ministria e Financave janë fokusuar në disa shtylla të përcaktuara në startegjinë kombëtare për këtë sektor, si: përmirësimi i kuadrit institucional; forcimi i kapacitetit institucional; rritja e ndërgjegjësimit mbi raportimin financiar të njësive ekonomike; përmirësime të mëtejshme të kuadrit rregullator në fushën e auditimit ligjor dhe raportimit financiar për të arritur pajtueshmërinë e plotë me acquis communautaire të BE-së; rritja e numrit të profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit ligjor, të aftë për të përgatitur pasqyra financiare me cilësi të lartë dhe për të kryer auditime me cilësi të lartë.
Pavarësisht zhvillimeve në fushën e raportimit financiar, Zëvendësministrja Vjero tha se kërkohen përpjekje të mëtejshme dhe të vazhdueshme për të harmonizuar me acquis më të fundit të fushës dhe për të forcuar kapacitetin e strukturave standard-vendosëse, strukturave të mbikëqyrjes së auditimit dhe pavarësinë profesionale, si dhe objektivitetin e audituesve. Domosdoshmëria e rregullimit të këtyre profesioneve, sipas znj, Vjero, vjen edhe si rrjedhojë e përgjegjësisë që sjellin këto shërbime ndaj publikut të gjerë dhe nevojës për standarde të larta në raportimin financiar të njësive ekonomike.
Në këtë drejtim, znj. Vjero shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave për zbatimin e reformës dhe për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së raportimit financiar dhe auditimit në vend, në përputhje me praktikat më të mira të BE, edhe në kuadër të aspiratave për integrim.