Ministry of Finance

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Deputetë,

Projektligji i Buxhetit Faktik të vitit 2022, që vjen para jush për shqyrtim, është një detyrim që buron nga Ligji Organik i Buxhetit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si një etapë e rëndësishme e procesit të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë kundrejt zbatimit të vitit të mëparshëm buxhetor, në drejtim të arritjes së objektivave të paracaktuara në çdo sektor, përballimin e sfidave dhe ndikimin në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Buxheti i vitit 2022 synoi konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, tërmeti masiv i 26 Nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19. Njëkohësisht, nëpërmjet politikave fiskale të kujdesshme që u ndërmorën si nga krahu i të ardhurave dhe atyre të shpenzimeve buxhetore, u sigurua ulja e stokut të borxhit publik, që do të vijojë edhe në periudhën afatmesme.

Nga ana tjetër, edhe pse ekonomia e vendit e përballoi relativisht mirë ndikimin e pandemisë dhe tërmetit, ku recesioni gjatë vitit 2020 ishte dukshëm më i butë se pritshmëritë fillestare dhe rimëkëmbja gjatë vitit 2021 ishte dukshëm më e fortë se sa pritej fillimisht, sërish goditjet globale të ofertës në energji dhe mallra të tjera bazë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, sigurisht që kanë patur një ndikim negativ edhe në ekonominë tonë. Sidoqoftë, ekonomia jonë e përballoi relativisht mirë këtë goditje të fundit globale të ofertës së energjisë dhe mallrave, veçanërisht duke e parë atë në kontekstin e problemeve që përjetoi pjesa më e madhe e ekonomive në botë.

Rritja ekonomike ishte e fortë në tremujorin e parë të vitit 2022 me rreth 6.9%, pastaj u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme në 3.1% në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të pasigurisë së menjëhershme të ngritur nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe sjelljes “prit e shih” ku u pozicionuan shumë aktorë ekonomikë gjatë asaj periudhe, fill pas goditjes. Rritja rifitoi përsëri njëfarë force në tremujorin e tretë dhe të katërt, respektivisht me 4.9% dhe 4.7%, për shkak të një sezoni mjaft të mirë turistik.

Pavarësisht kësaj goditje, rritja ekonomike për vitin 2022 në tërësi rezultoi 4.9% e gjeneruar nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimi. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve patën gjithashtu një kontribut të lartë pozitiv, por me një kontribut akoma më të lartë negativ prej importeve. Kjo, për shkak të “goditjes në termat e tregtisë” (apo sic njihet me termin Teknik “terms of trade shock” dhe kërkesës së huaj neto (eksportet neto), që rezultuan me një kontribut negativ në rritjen e PBB gjatë atij viti.

Tregu i punës vazhdoi të përmirësohej gjatë vitit 2022. Punësimi dhe pjesëmarrja në forcën e punës u rikuperuan shpejt, duke mbyllur hendekun e shkaktuar nga pandemia. Rritja vjetore e punësimit u përshpejtua në një mesatare prej 4.8% në vitin 2022. Papunësia ra në nivelin më të ulët rekord prej 10.8% në T4 2022 dhe 11.3% mesatarisht për vitin 2022, ndërsa pjesëmarrja në forcën e punës u rrit në 73.3% nga 69.3% në 2021. Krijimi i vendeve të punës ishte me bazë të gjerë, ndërsa numri i vendeve të lira të punës u rrit duke krijuar kështu presion edhe në rritjen e pagave, veçanërisht tek pjesa më e kualifikuar e të punësuarve. Paga mesatare për ekonominë në tërësi gjatë 2022 pësoi rritje prej rreth 10.8% kundrejt një viti më parë, pra më e lartë se sa niveli mesatar i inflacionit në 2022 prej 6.7%.

Sfida më kryesore makroekonomike gjatë vitit 2022 për vendin tonë, si pothuajse kudo gjetkë, ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja e ofertës globale. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, presionet inflacioniste u intensifikuan duke bërë që si Qeveria ashtu edhe Banka Qendrore të ndërmarrnin veprime të menjëhershme si kundërpërgjigje për amortizimin e kësaj goditje. Lufta në Ukrainë, sanksionet e njëpasnjëshme ndaj Rusisë dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit u reflektuan në mënyrë të shpejtë në rritjen e çmimeve të ushqimit, energjisë dhe mineraleve kryesore të përdorura si inpute nga industri të ndryshme në shumicën e vendeve të botës. Këto zhvillime sigurisht impaktuan edhe inflacionin në vendin tonë, me normën vjetore të inflacionit që arriti pikun në nivelin 8.3% në tetor 2022, niveli më i lartë i inflacionit që regjistrohej që nga marsi 2002.

Megjithatë, është me rëndësi thelbësore të theksohet se falë strukturës, tipareve dhe fondamenteve të ekonomisë sonë, rezultantja aggregate e të cilave u reflektua në dinamikën forcuese të monedhës vendase ndaj valutave kryesore, si dhe falë politikave të duhura fiskale, buxhetore e monetare që u ndërmorën nga institucionet respektive në kundërpërgjigje të kësaj goditje, u arrit që inflacioni mesatar për vitin 2022 në vendin tonë të ishte në mënyrë të konsiderueshme shumë më i ulët se rajoni dhe se BE. Inflacioni ynë mesatar për vitin 2022 ishte 6.7%, ndërkohë që mesatarja e rajonit ishte 13%, ndërsaj ajo e BE ishte po ashtu rreth një niveli dyshifror prej gati 10%.

Ndërkohë, që prej kulmit të inflacionit të shënuar në tetorin e vitit të shkuar prej 8.3%, dinamika e inflacionit ka hyrë qartësisht në një trend dezinflacionist me rënie të tij në pothuajse çdo muaj vijues dhe së fundmi, në shtator 2023 ishte 4.1%. Pra, duket qartë trendi i mirë drejt konvergimit së shpejti në një nivel optimal dhe të targetuar prej 3%, natyrisht duke përjashtur këtu ndonjë goditje tjetër në konjukturën e çmimeve globale, rrjedhojë e konfliktit tjetër të nisur tashmë në “Rripin e Gazës”.

Borxhi publik gjatë vitit 2022 përgjithësisht është menaxhuar në përputhje me objektivat strategjikë afatmesëm për ruajtjen e qëndrueshmërisë së raporteve ndërmjet kostos dhe risqeve. Pavarësisht se viti 2022 ishte një vit jo i zakonshëm, i ndikuar nga zhvillime jo të favorshme në tregjet financiare, ndër të cilat rritja e normës bazë të interesit brenda vendit nga Banka Qendrore, portofoli i borxhit të brendshëm është arritur të menaxhohet duke mbajtur në nivele të qendrueshme raportet e riskut dhe mbajtjes së kostove në nivelin më të ulët të mundshëm sipas kushteve të tregut.

Shifrat faktike të vitit 2022 për rritjen nominale të rritjes ekonomike sollën rishikimin e treguesve kryesorë të borxhit dhe të deficitit, kur për vitin 2022 treguesi i borxhit shënoi nivelin 64.5% të PBB nga 78.8% që ishte sipas parashikimeve, ndërsa treguesi i deficitit shënoi nivelin 3.7% nga 5.4% që ishte në parashikimet fillestare. Huamarrja në terma bruto u realizua në vlerën 386.1 miliard lekë, nga të cilat 92.7% u financuan nëpërmjet burimeve të brendshme dhe 7.3% nëpërmjet burimeve të huaja. Financimi i deficitit u realizua kryesisht nëpërmjet burimeve të brendshme, në nivelin prej 4.1% të PBB. Borxhi publik neto për vitin 2022 ishte 63.9% e PBB, në rënie nga 70.6% e PBB për vitin 2021.

Në drejtim të menaxhimit sa më efektiv të borxhit, do të doja të theksoja disa përparime që janë bërë në këtë drejtim gjatë vitit 2022. Në korrik të 2022 u miratua Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2022-2026, e cila u mundësua si rezultat i një pune intensive disa mujore në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të Bankës Botërore. Përgatitja e strategjisë u mbështet në një analizë dhe vlerësime të thelluara për një horizont kohor pesë vjeçar 2022-2026, duke përdorur modelet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në vazhdim të angazhimit të ndërmarrë në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të tregut primar dhe zhvillimin e tregut sekondar të titujve shtetërorë, në dhjetor 2022 MFE hartoi dhe publikoi për herë të parë një Plan Vjetor Huamarrje për vitin 2023. Ky plan, i përgatitur me asistencën e Bankës Botërore, synon të mbështesë aktivitetin e huamarrjes vjetore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe të rrisë transparencën kundrejt investitorëve.

Programimi i të ardhurave buxhetore përgjatë vitit 2022 mbështeti synimet e Qeverisë për rritjen ekonomike, krahas mbajtjes nën kontroll të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky programim u bazua kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike pas pasojave të tërmetit dhe pandemisë gjatë 2020-2021, përmes nxitjes së prodhimit vendas dhe eksporteve. Krahas përpjekjeve për rritjen e nivelit të mirëadministrimit, e suportuar kjo edhe nga projekti i fiskalizimit, u implementuan edhe një sërë masash në kuadrin e një strategjie gjithpërfshirëse të rritjes së të ardhurave në një periudhë afatmesme, nëpërmjet përmirësimit të politikave fiskale.

Politika fiskale gjatë vitit 2022 ka vijuar të synojë balancimin e sistemit tatimor, përmirësimin e neutralitetit të tatimit, shpërndarjen më të drejtë të barrës tatimore si dhe, rritjen e të ardhurave të buxhetit me qëllim përballimin e shpenzimeve në rritje në kushtet e kërkesave për uljen e defiçitit buxhetor dhe borxhit publik. Dizenjimi i një sistemi taksimi të drejtë dhe të balancuar nxit produktivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër, ndryshimet në paketën fiskale 2022 synuan përgjithësisht korrektime në elementë të veçantë tatimesh dhe taksash, si tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi të ardhurat, akcizat dhe taksat kombëtare. Qëllimi i paketës fiskale pati në fokus rishikimin dhe vlerësimin e normave të reduktuara e të përjashtimeve tatimore, kryesisht në lidhje me tatimet indirekte, si dhe lehtësimin e barrës tatimore për të punësuarit në lidhje me tatimin mbi të ardhurat nga punësimi. Paketa bazohej në rekomandimet e FMN-së që sugjerojnë ndërtimin e një sistemi tatimor të barabartë dhe më gjithpërfshirës, që pritet të shmangë hapësirat për abuzime në fushën tatimore.

Pas goditjes më të fundit të jashtme si pasojë e luftës në Ukrainë, ekonomia jonë u përshtat dhe arriti të mirëperformojë. Niveli i lartë i inflacionit dhe rritja e çmimeve të të gjithë produkteve dhe shërbimeve, në veçanti e energjisë elektrike dhe karburantit, ndikuan dukshëm në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit, sidomos nga TVSH për produktet energjitike të importuara.

Në terma konkretë, të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar 2022 arritën në 572.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2% të planit vjetor kundrejt aktit të fundit normativ të datës 29 dhjetor 2022. Ky nivel ishte rreth 12.1% ose 62 miliardë lekë më shumë se realizimi 12 mujor i vitit 2021. Kontributin me të ndjeshëm dhanë të ardhurat tatimore, ndër të cilat peshën kryesore e zë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi Fitimin, me përkatësisht 25.4 miliardë lekë dhe 12.1 miliardë lekë më shumë se parashikimi.

Shpenzimet Buxhetore përgjatë vitit 2022 arritën në rreth 651 miliardë lekë, të cilat u realizuan në nivelin optimal prej 102.1 përqind të planit fillestar ose 98 përqind e planit të rishikuar 2022. Krahasuar me vitin 2021 ato rezultuan 9.2 përqind më të larta ose rreth 55.1 miliardë lekë më shumë në vlerë absolute.

Buxheti 2022 financoi një nivel të lartë investimesh publike, të cilat u realizuan në masën 112.1 miliardë lekë ose 93.4 përqind e planit, duke u përqendruar në procesin e rindërtimit, si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike. Ato synuan finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe programeve të aftësimit e punësimit të të rinjve, si dhe një mbështetje më të madhe financiare për shtresat në nevojë dhe moshën e tretë. Veçanërisht performues ka qenë zëri i financimit të brendshëm, me një realizim faktik në masën 99 përqind të planit ose rreth 63.7 miliardë lekë në vlerë nominale, pa përfshirë Fondin e Rindërtimit.

Shpenzimet korente rezultuan në rreth 500 miliardë lekë ose 100 përqind të planit të rishikuar. Në këtë zë përfshihet mbështetja me prioritet e politikave të Qeverisë si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, zhvillimi i turizmit dhe mbështetja për arsimin e sportin.

Shpenzimet për Fondet Speciale rezultuan në nivelin 216.5 miliardë lekë, me një realizim prej 100 përqind të planit të rishikuar, ku:

Shpenzimet për sigurime shoqërore u realizuan në masën 163 miliardë lekë ose 100 përqind;
Shpenzimet për sigurime shëndetësore u realizuan në masën 52.2 miliardë lekë ose 98.9 përqind;
Shpenzimet për kompensimin e pronarëve u realizuan në masën 1.23 miliardë lekë ose 61.7 përqind.

Sektori me peshën më të lartë në shpenzimet buxhetore 2022 rezultoi Mbrojtja Sociale me 39 përqind të shpenzimeve të përgjithshme publike, dominuar kjo nga shpenzimet për fondin e pensioneve si edhe programet në mbështetje të familjeve dhe individëve në nevojë (ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar), e pasuar nga sektori i Shëndetësisë me 14 përqind, ai i Arsimit me 10 përqind, etj. Në rezultatin faktik të shpenzimeve të vitit 2022 ka ndikuar shpërndarja e shpenzimeve të lidhura kryesisht me fondin rezervë, fondin e rindërtimit, mbështetjen buxhetore për sektorin energjitik, si dhe financimi i masave të ndërmarra me qëllim zbutjen e impaktit nga rritja e çmimeve dhe pasojave që solli lufta Ukrainë-Rusi, të cilat kanë qenë në fokus të Qeverisë përgjatë katër akteve normative të miratuara për vitin 2022.

Që në fillesë të vitit buxhetor 2022, u shfaq domosdoshmëria për një mbështetje financiare imediate dhe të qenësishme të sektorit energjitik, krahas mbështetjes për shtresat dhe sektorët e tjerë të impaktuar nga situata emergjente e krizës energjitike në shkallë të gjerë. Kjo u materializua përmes aktit normativ të muajit Mars 2022, që u pasua nga tre akte të tjera normative, të cilët së bashku arritën të sigurojnë një mbështetje financiare prej rreth 40 miliard lekë gjithsej, që konsistonte në:

Mbështetjen e konsiderueshme prej 20 miliardë lekë për t’u përdorur nga KESH sh.a, me qëllim zbutjen e goditjes nga rritja e ndjeshme në bursë e çmimit të importit të energjisë. Kjo mbështetje, pasonte kreditimin përmes instrumentit të huadhënies po nga buxheti i shtetit të këtij sektori në masën 8 miliardë lekë, të planifikuar dhe lëvruar që në buxhetin fillestar 2022.
Akordimin e nje pakete gjithëpërfshirëse ndihme financiare në vlerë totale prej 12.1 miliardë lekë për popullatën për të përballuar pasojat e rritjes së cmimeve të konsumit, në formën e fondit ‘Kontigjencë të Rezistencës Sociale ndaj Pasojave të Krizës’. Kjo paketë, e cila iu dedikua shtresave në nevojë, sektorit të bujqësisë dhe sektorit të transportit publik, u bë efektive në dy momente përgjatë vitit 2022, përkatësisht përmes akteve normative të muajit Mars dhe Korrik 2022.
Po në këtë kontekst, dhjetori 2022 dhe akti normativ i fundit për vitin buxhetor 2022, shënuan edhe ndërmarrjen nga ana e Qeverisë të nismës finale në mbështetje të popullatës, përmes akordimit të një fondi prej 7.8 miliardë lekë me qëllim mbështetjen financiare të menjëhershme për përballimin e inflacionit të shkaktuar nga lufta. Ky fond konsistonte në akordimin e një ndihme prej 8.000 lekë përçdo pensionistët (5.6mld lekë në total) dhe përçdo përfitues të skemave të Ndihmës Ekonomike dhe Aftësisë së Kufizuar (1.2mld lekë në total), krahas ndihmesës në një masë të diferencuar edhe për të gjithë punonjësit buxhetorë, përfshirë mjekë/infermierë/arsimtarë/policë/zjarrfikës (1mld lekë në total).

Sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë:

Në Arsim, është ofruar shërbimi i mësimdhënies për mbi 313 000 fëmijë të arsimit parashkollor e arsimit bazë si edhe 73 000 nxënës në atë të mesëm. Vëmendje e veçantë i është kushtuar shmangies së braktisjes shkollore, integrimit të fëmijëve romë/egjiptianë dhe me aftësi të kufizuara. Performanca e produkteve në funksion të objektivave ka qenë si vijon:

Niveli i braktisjes së shkollës është ulur në 0.46%, duke synuar braktisjen zero.
U ofrua shërbimi i transportit me fonde të buxhetit për rreth 35 000 nxënës në arsimin bazë që kanë vendbanimi mbi 2 km nga shkolla, si dhe 9 700 mësues të arsimit bazë e 5 300 mësues të arsimit të mesëm që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë me një kosto prej rreth 1.3 miliard lekë.
Përfituan tekste shkollore falas për përdorim rreth 251 000 nxënës nga klasa e parë në klasën e nëntë, me një efekt financiar prej 799 milionë lekë, si edhe 16 000 nxënës të grupeve sociale në nevojë me një kosto prej 101 milionë lekë.
Në arsimin e lartë, vijoi me prioritet financimi me bursa i studentëve me rezultate të larta, i kategorive sociale në nevojë, si dhe përjashtimi 100% nga tarifa vjetore e shkollimit apo reduktimi në masën 50% nga tarifa vjetore e shkollimit për studentët e ciklit të dytë. Gjithashtu, përfituan bursa dhe mbështetje financiare për akomodim në shtëpitë e studentëve rreth 19 000 studentë me një kosto vjetore prej 1.2 miliardë lekë. Ndërkohë, përfundoi ndërtimi e rikonstruktruksioni i 16 laboratorëve, me një kosto 93 milionë lekë.

Në Shëndetësi, programi “Shërbime të Kujdesit Shëndetësor Parësor” ka realizuar qëllimin për një mbulim universal të nevojave të popullatës për kujdes mjekësor parësor. Performanca e produkteve që ndikuan, rezultoi si mëposhtë:

U realizuan rreth 8 milionë vizita tek mjeku i familjes, me një kosto faktike rreth 1.5 miliardë lekë.
U krye chek-up për rreth 455 000 pacientë të moshës 35-70 vjeç, me një kosto faktike rreth 876 milionë lekë.
U trajtuan rreth 401 000 pacientë me rimbursim nga mjeku i familjes, me një kosto faktike prej 5.1 miliardë lekë.

Sa i përket programit “Shërbime të Kujdesit Shëndetësor Dytësor”, ai ka realizuar mbulim universal të nevojave të popullatës për kujdes mjekësor të specializuar, ku gjatë vitit 2022 janë trajtuar në shërbimet me shtretër rreth 278 000 pacientë ose rreth 20 000 më shumë nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndër arritjet kryesore përmendim:

Realizimin e rreth 194 000 seanca për trajtimin e pacientëve me dializë, shoqëruar me një kosto faktike prej rreth 2.5 miliardë lekë.
Kryerjen e rreth 4.2 milionë ekzaminime laboratorike, shoqëruar me një kosto prej 1.6 miliardë lekë.
Trajtimin e rreth 9 000 pacientëve me paketat spitalore të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me një kosto faktike prej 1.14 miliardë lekë.

Programi “Përkujdesi Social” ka financuar mbështetjen nëpërmjet pagesave në cash dhe shërbimeve sociale, për familjet në nevojë dhe individët me aftësi të kufizuara, për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike. Ndër produktet e financuara nga ky program veçojmë:

Trajtimin e rreth 62 700 familje dhe individë që përfitojnë nga skema e Ndihmës Ekonomike, me një kosto faktike 6.7 miliard lekë.
Trajtimin e rreth 161 700 personave me aftësi të kufizuar, një një kosto faktike prej 18.4 miliardë lekë.
Dhënien e shpërblimit të lindjes për rreth 42 500 bebe, me një kosto faktike prej rreth 3.1 miliardë lekë.

Në Bujqësi, u realizuan një sërë produktesh të rëndësishme, ku veçojmë:

Mbështetjen nga skema kombëtare për rreth 13 925 fermerë, ku 14% e tyre ishin përfituese gra.
Subvencionimi me naftë për bujqësinë për rreth 34 731 përfitues, me rreth 8.3 milion litra naftë, ku fondi i planifikuar u realizua 100% ose në vlerën 1.9 miliard lekë.
Kryerjen e rreth 33 200 kontrolleve në terren për shkak të gripit të shpendëve, me një kosto faktike prej 535 milion lekë.
Realizimin e rreth 101 500 inspektimeve në fushën e sigurisë ushqimore, me një kosto faktike prej 497 milion lekë.

Në Turizëm, është realizuar objektivi i kthimit të Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar potencialet dhe burimet lokale, ku gjatë vitit 2022:

Kanë hyrë 7.5 milionë shtetas të huaj në Shqipëri, nga të cilët 5.7 milionë janë turistë brenda sezonit veror dhe 1.8 jashtë sezonit veror.
Rreth 1482 struktura akomoduese kanë marrë certifikatën e kategorizimit.
Është realizuar plotësisht produkti i ri për mbështetjen e katër bashkive (Durrës, Kavajë, Himarë, Sarandë) në procesin e pastrimit të vijës bregdetare, me një kosto faktike prej rreth 104 milion lekë.

Procesi i Rindërtimit dhe financimi me prioritet i tij ka qënë një ndër objektivat primarë të Qeverisë që pas fatkeqësisë natyrore të vitit 2019. Në të gjitha buxhetet vjetore pas atij viti, fondet për Rindërtimin kanë zënë një vend të rëndësishëm në shpenzimet buxhetore. Kjo ka bërë të mundur që Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjatë periudhës 2020-2022 të programojë dhe financojë me prioritet projektet e Rindërtimit gjë që do të vijojë deri në përmbylljen e plotë të këtij procesi, duke reflektuar prioritetin e Qeverisë për financimin e të të gjithë punimeve të kryera dhe avancimin me përfundimin e tyre. Kështu, edhe gjatë vitit 2022 shpenzimet dedikuar Rindërtimit vazhduan me prioritet për të mbështetur familjet në nevojë përmes ndërtimit të banesave dhe objekteve të tjera sociale e infrastrukturore. Fondet e akorduara përmes buxhetit 2022 arritën nivelin 32.4 miliardë lekë, të cilat u ekzekutuan në masën 28.9 miliardë lekë ose rreth 90 përqind e tyre. Në terma konkretë, dëshiroj të bëj prezent para jush, sa vijon:

Për njësitë e qeverisjes qendrore deri në 31 dhjetor 2022, u akorduan fonde në projekte specifike të Rindërtimit në masën 8.2 miliardë lekë dhe 263 milionë lekë janë trashëguar në buxhetin e vitit 2022, si fonde të papërdorura nga viti 2021. Nga këto:

Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpenzoi 8.06 miliardë lekë (nga 8.07 miliardë lekë të akorduara, pra në masën 99.8%).
Ndërkohë që, sa i takon skemës së Strehimit, në fund të dhjetorit 2022 rreth 11 300 familje të prekura nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 ishin të akomoduara në apartamente me qira të subvencionuar nga shteti, me një kosto faktike totale 2.2mld lekë ose 96% e planit të rishikuar 2022.

Për njësitë e vetëqeverisjes vendore në tërësi për vitin 2022, u akorduan fonde në projekte specifike në masën 17.2 miliardë lekë dhe 9.5 miliard lekë janë trashëguar në buxhetin e vitit 2022, si fonde të papërdorura nga viti 2021. Nga këto, njësitë zbatuese shpenzuan rreth 20.9 miliardë lekë ose 78.5% të fondeve të akorduara; ndërsa pjesa tjetër është mbartur në buxhetin e vitit 2023 në formën e transfertës së pakushtëzuar për NJVQV, në përputhje me parashikimet e veçanta ligjore.

Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore ishte një ndër prioritetet e Qeverisë edhe gjatë vitit 2022. Reformat e ndërmarra deri më tani pritet të kenë impakt pozitiv në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë refoma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Qeveria shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë Qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, ka bërë të mundur që të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike dhe njëkohësisht pesha e buxhetit vendor të shënojë rritje kundrejt PBB.

Krjimi i një pushteti vendor të fortë financiarisht, por edhe me kapacitete njerëzore të qëndrueshme, është një tregues i rëndësishëm që siguron cilësi në standardin e jetesës së qytetarëve. Treguesit fiskalë të vitit 2022 evidentojnë qartë rritjen e qëndrueshme të të ardhurave dhe shpenzimeve të pushtetit vendor. Konsolidimi i buxhetit vendor në afërsisht 3% të PBB apo mbi 9% të buxhetin e shtetit, tregojnë qartazi potencialin në rritje të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve. Rritja e transfertave të pakushtëzuara të përgjithshme dhe sektoriale, shpërndaja e taksave të ndara për bashkitë dhe hartimi i politikave fiskale që ndihmojnë kapacitetin fiskal të pushtetit vendor, janë disa prej masave konkrete të ndërmarra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjatë vitit 2022.

Treguesit fiskalë të pushtetit vendor për vitin 2022 shënuan një përmirësim të dukshëm si në drejtim të kapacitetit fiskal ashtu edhe të planifikimit të shpenzimeve, krahasuar jo vetëm me një vit më parë, por edhe me parashikimin vjetor të treguesve në përgjithësi. Përmirësimi ardhurave të veta vendore mbi planin e parashikuar, implementimi i metodologjisë e buxhetimit mbi bazën e produkteve dhe gjithashtu rritja e transparencës së përdorimit me disiplinë të fondeve buxhetore në raport me qytetarët, janë tregues të rëndësishëm lidhur me kapacitetin e njësive te vetëqeverisjes vendore për të ofruar shërbime publike cilësore.

Referuar vitit buxhetor 2022, njësitë vendore kanë mbledhur të ardhura nga taksat dhe tarifat e tyre në masën 30.9 miliard lekë, nga të cilat rreth 27.6 miliard lekë ose 89.2% e zënë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore dhe pjesa tjetër prej 3.3 miliard lekë ose 10.8% janë të ardhurat jotatimore të pushtetit vendor. Ndërkohë, sa i takon shpenzimeve, në vlerë absolute njësitë vendore kanë realizuar rreth 58.6 miliard lekë shpenzime ose rreth 2 miliard lekë më shumë krahasuar me vitin 2021. Ndër to, shpenzimet e personelit gjatë 2022 përbënë rreth 43% të totalit të shpenzimeve vendore dhe shpenzimet për investime rreth 20.3% të këtij totali.

Të gjitha sa më sipër parashtruar, në nivel qendror e vendor, në kahun e të ardhurave e shpenzimeve, në këndvështrimin makroekonomik e atë të borxhit publik janë rezultat i një sërë masash të ndërmarra nga Qeveria ndër vite, si rrjedhojë e reformave dhe orientimit të burimeve drejt sektorëve prioritarë, gjë që ka garantuar stimuj pozitivë të sigurt për rritjen ekonomike të vendit në periudhën afatmesme.

Pas krizave të njëpasnjëshme që kemi kaluar, jemi të vetëdijshëm që viti 2022 nuk ishte aspak i lehtë, e ndaj në një sfond të ndjeshëm pasigurie, hartuam buxhetin e rezistencës për t’i bërë ballë krizës së çmimeve dhe inflacionit të lartë, të cilat ndikuan jo pak ekonominë botërore, të rajonit, e pashmangshmërisht edhe vendin tonë.

Por, kjo Qeveri ka qenë dhe vazhdon të jetë e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor për të qenë pranë të gjithë shqiptarëve. Përmes politikave ekonomike, sociale e fiskale që synojnë të ndihmojnë çdo familje dhe çdo biznes. E gjithë kjo, natyrshëm, përkthehet në një mirëqenie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë!

Në mbyllje të fjalës sime, ju ftoj ta votoni Buxhetin Faktik të vitit 2022.

Ju falënderoj për vëmendjen!