Ministry of Finance

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Deputetë,

Një nga objektivat e vazhdueshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është konsolidimi i mëtejshëm fiskal.

Projektbuxheti parashikon që vitin e ardhshëm borxhi publik të zbresë nën nivelin 60% të PBB-së, për herë të parë që nga viti 2011.

Borxhi publik gjatë vitit 2023 u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskalë, buxhetin e planifikuar për vitin 2023 dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit.

Borxhi aktualisht përbëhet nga borxhi i brendshëm, i cili zë 53.9% të totalit të borxhit dhe borxhi i jashtëm, i cili zë 46.1% të tij.

Pas disa viteve sfiduese 2019-2022, viti aktual ka shënuar disa përmirësime përsa i përket treguesve të borxhit publik dhe realizimit të huamarrjes. Treguesi i peshës së borxhit të jashtëm është ulur krahasuar me fundvitin 2022. Synohet ulja e mëtejshme e tij në periudhën afatmesme, në linjë me strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit.

Nga këndvështrimi i jetëgjatësisë së borxhit, kemi borxh afatshkurtër që përbën 17% të totalit të borxhit, ndërsa borxhi afatgjatë në nivelin prej 83% të totalit të borxhit.

Një sfidë kryesore nga pikëpamja e jetëgjatësisë së borxhit, mbetet borxhi i brendshëm, me një risk rifinancimi më të lartë përsa i përket volumit. Ndaj, fokusi i menaxhimit të borxhit vijon në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë së borxhit të brendshëm, vit pas viti. Ky tregues në fund të nëntëmujorit 2023, është në nivelin e 832 ditëve, që shënon një përmirësim të mëtejshëm krahasuar me fundvitin 2022, kur ishte në nivelin 780 ditë.

Gjatë viteve të fundit, ekspozimi ndaj riskut të normave të interesit është menaxhuar nëpërmjet zgjerimit të portofolit të borxhit me norma interesi fikse.

Më konkretisht, borxhi i brendshëm përbëhet në masën prej 98.7% nga instrumente me normë interesi fikse, ndërsa pjesa e mbetur prej 1.3% janë me norma të ndryshueshme, duke qenë se Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka emetuar më tituj me norma interesi të ndryshueshme duke filluar nga viti 2016, në përputhje me objektivat për reduktimin e riskut të normave të interesit dhe shmangien e fragmentimit të kërkesës për titujt me maturitet të ngjashëm.

Ndërkohë, në portofolin e borxhit të jashtëm, mbi 60% të peshës e mban borxhi me normë interesi fikse.

Së fundmi, patëm një rishikim në rritje të perspektivës për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në pozitive, nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard&Poor’s”, ndërkohë që edhe FMN vlerësoi se ekonomia jonë shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit dhe perspektiva ekonomike në vijim paraqitet pozitive. Gjithashtu, lajmi për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF/Moneyval pritet të sjellë të tjera ndikime pozitive, si në aspektin reputacional, ashtu edhe për ekonominë e vendit. Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit të progresit, të publikuar ditën e sotme, njohu dhe vlerësoi progresin e bërë nga vendi ynë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, gjë që solli edhe daljen nga lista gri, monitorimi i shtuar.

Lidhur me objektivat kryesorë të politikës fiskale, buxheti i vitit 2024 targeton një balancë primare pozitive prej 0.2% të PBB. Targetimi dhe arritja e një balance primare pozitive duke filluar nga viti 2024 e në vijim do jetë edhe objektivi kryesor operacional i politikës fiskale, që tashmë është sanksionuar me një rregull fiskal në Ligjin Organik të Buxhetit. Ndërkohë që, shpenzimet për interesa të parashikuara për vitin që vjen janë rreth 2.7% e PBB (përfshirë edhe kontigjencën), me një limit të defiçitit të përgjithshëm fiskal në 2.5% e PBB.

Gjithashtu, në përputhje me rregullin tjetër fiskal në Ligjin Organik të Buxhetit, buxheti i vitit që vjen targeton një raport në ulje të borxhit publik ndaj PBB. Pritshmëritë janë që borxhi të vijojë trendin rënës poshtë nivelit 60% në afatmesëm.

Huamarrja përgjatë vitit 2023 po realizohet në linjë me buxhetin e vitit 2023, si dhe në përputhje me Planin Vjetor të Huamarrjes, edhe pse kushtet e tregjeve kanë qënë nën efektin e politikave shtrënguese të autoriteteve monetare si jashtë dhe brenda vendit.

Si rrjedhojë, interesat kanë patur një trend rritës duke e bërë procesin e huamarrjes dhe menaxhimin e borxhit në tërësi më sfidues. Tregu i brendshëm ka shfaqur një përmirësim të kërkesës për tituj shtetërorë të borxhit gjatë vitit 2023 krahasuar me situatën e vitit 2022. Huamarrja neto në vitin 2023 parashikohet të realizohet në vlerën prej rreth 73.5 miliardë Lekë nga e cila 25 miliardë Lekë do të mundësohet në tregun e brendshëm dhe rreth 48.5 miliardë Lekë nëpërmjet burimeve të jashtme, siç është Eurobondi.

Kosto mesatare e pritshme e borxhit për vitin 2024 vlerësohet rreth 4.2% nga 3.65% që parashikohet të jetë në vitin 2023.

Efekti i rritjes së normave të interesit është reflektuar shumë më i butë sesa pritej në koston reale të borxhit, kjo falë mirëmanaxhimit të portofolit të borxhit publik, përmirësimit të strukturës së borxhit, rritjes së vazhdueshme të peshës së borxhit me norma interesi fikse dhe rritjes gjithashtu të peshës së borxhit afatgjatë.

Në buxhetin e vitit 2024 janë parashikuar rreth 60.9 miliardë Lekë shpenzime për interesa të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm dhe 5.3 miliardë Lekë kontigjencë, për të përballuar rritjen e shërbimit të borxhit që mund të burojë nga rritja e normave të interesit apo edhe prej luhatjes së kursit të këmbimit.

Huamarrja e huaj përgjatë vitit 2023 është realizuar kryesisht nëpërmjet Eurobondit të emetuar në muajin Qershor 2023. Pavarësisht kushteve të shtrënguara të tregjeve, vendi ynë arriti të dalë në tregjet ndërkombëtare dhe të sigurojë një kërkesë të investitorëve të huaj që e tejkaloi rreth 2 herë shumën e cila u mor nga tregu. Eurobondi u emetua me vlerë 600 milionë euro me një kupon 5.9% (normë interesi (yield) 6.125%) dhe maturitet 5-vjeçar.

Krahasuar me dy eurobondet e fundit, të emetuar nga vendi ynë në vitet 2020 dhe 2021, norma e interesit është më e lartë ashtu sikundër dhe pritej, kjo për arsyet që përmenda pak më parë (shënim: normat janë 6.125% (Eurobondi 2023); 3.675% (2020) dhe 3.75% (2021)).

Gjithësesi, Shqipëria arriti të realizojë një Eurobond të suksesshëm dhe me parametra më pozitive se Maqedonia e Veriut, e cila ka një vlerësim më të lartë se vendi ynë (Maqedonia e Veriut: double B -; ndërsa Republika e Shqipërisë: single B+) .

Emetimi i suksesshëm i këtij eurobondi përgjatë një viti mjaft të vështirë të kushteve financiare globale, është dëshmi e qartë se financat publike kanë qenë të qëndrueshme përgjatë një seri goditjesh dhe kjo përbën një premisë të mirë për një rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik edhe në të ardhmen. Shprehje e kësaj qëndrueshmërie është edhe fakti që kemi mundur që në një periudhë të shkurtër kohore të rikthehemi në nivele të borxhit të para-pandemisë.

Përveç Eurobondit, një burim tjetër i rëndësishëm financimi është dhe instrumenti i mbështetjes buxhetore nga organizata ndërkombëtare apo Institucione Financiare Zhvillimi. Aktualisht ne kemi në proces disa mbështetje buxhetore të cilat priten të merren gjatë këtij viti apo dhe gjatë viteve në vijim, kjo në varësi përmbushjes së kushteve paraprake për disbursimin e secilës prej tyre. Më konkretisht do të doja të përmendja (i) financimin e KfW dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) me një vlerë totale prej 100 milionë Euro, mbështetur kjo në Reformën e Sektorit të Energjisë si dhe (ii) mbështetjen buxhetore të Bankës Botërore dhe AFD për politika të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të gjelbërt e cila parashikohet të sigurohet në dy faza, ku aktualisht nga Banka Botërore pritet një financim prej 110.8 milionë Euro deri në fund të vitit 2023.

Sa i takon financimit neto të vitit 2024, në skenarin bazë, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes është rreth 34.5 miliardë lekë.

Për optimizimin e kostos, huamarrja nga partnerët e zhvillimit për mbështetje buxhetore ose për financimin e projekteve do të jetë një burim i rëndësishëm financimi. Nuk përjashtohet mundësia gjithashtu e avancimit gjatë vitit 2024 të daljes me Eurobond në tregjet ndërkombëtare, e cila është parashikuar të realizohet në vitin 2025, kjo për arsye të minimizimit të riskut të rifinancimit të vitit 2025.

Në drejtim të menaxhimit sa më efektiv të borxhit, si edhe rritjes së transparencës Ministria e Financave dhe Ekonomisë përgatit tashmë një plan huamarrje vjetore, në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare, e cila miratohet dhe publikohet para fillimit të një viti të ri kalendarik.

Gjithashtu, në drejtim të përmirësimit të implementimit të Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, çdo vit hartohet një raport i veçantë monitorimi për zbatimin e strategjisë, duke analizuar ecurinë e menaxhimit të borxhit publik, praktikë kjo e vlerësuar pozitivisht edhe nga Banka Botërore.

Shumë faleminderit!