Ministry of Finance

U zhvillua sot, më 28 shkurt 2024, në Tiranë, Ministeriali “Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)”, organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. Ky Ministerial, i cili mblodhi Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë dhe përfaqësues të Komisionit Europian, Bankës Botërore dhe BERZH-it, u mbajt në prag të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për Planin e Rritjes. Si pjesë e këtij plani, KE ka identifikuar aksesin në SEPA (Single European Payment Area) si një nga mundësitë që vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta përfitojnë përpara finalizimit të procesit të anëtarësimit, me përmbushjen e kushteve.
Ministri i Financave, Ervin Mete, gjatë fjalës së mbajtur në Ministerial, u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin. Përfshirja në SEPA për vendet jo anëtare të BE-së, – tha ndër të tjera ministri Mete, – përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë kostot e tregtisë dhe të pagesave si brenda rajonit, ashtu edhe me BE-në.
Ministri Mete nënvizoi se Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, e po ashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte dhe flukseve të tjera financiare. Sipas të dhënave, tregtia me BE-në përbën më shumë se dy të tretat e tregtisë totale të rajonit. Mbi 70 për qind e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkojnë në vendet anëtare të BE-së. BE-ja është gjithashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon. Ajo përbën rreth 70% të totalit të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kosto për të dërguar remitanca për shembull në rastin e Shqipërisë përllogaritet mesatarisht në 8.7% dhe vlerësohet se me përfshirjen në SEPA emigrantët dhe familjet e tyre mund të kursejnë në mënyrë domethënëse.
Ministri shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në SEPA jep akses në sisteme moderne pagesash më efikase dhe më të sigurta. “Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane do të rrisë atraktivitetin tonë si destinacion investimi,” nënvizoi ai. Turizmi po bëhet një nga faktorët kryesorë të rritjes së PBB-së në dy vitet e fundi, tha më tej ministri, ndaj sigurimi i pagesave të thjeshta, të shpejta dhe të besueshme ndërkufitare pritet ta mbështesë më tej këtë sektor.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko e hapi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë që ka integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe faktin që ky integrim, ndër të tjera po ndodh nëpërmjet sistemeve të pagesave i kurorëzuar nëpërmjet pjesëmarrjes së përshpejtuar në SEPA.
Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi se Shqipëria ka intensifikuar përpjekjet për arritjen e këtij objektivi historik duke synuar të përfundojë procesin e aplikimit për pjesëmarrje në SEPA brenda muajit qershor të vitit 2024. Z. Sejko theksoi se, Shqipëria përtej angazhimit serioz që ka pasur në kuadër të procesit të integrimit, ka qenë gjithnjë e vëmendshme të ndjekë parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian në rregullimin dhe reformimin e tregut të pagesave. Si rezultat, bazuar edhe në konstatimet Bankës Botërore, e cila është pjesë integrale dhe e rëndësishme e këtij projekti, Shqipëria vlerësohet avangard në proces dhe është gati për aplikimin e anëtarësimit në SEPA.
Pasi prezantoi në detaje masat e marra dhe hapat në vijim, ku identifikohen qartazi bashkëpunimi dhe mbështetja ndërinstitucionale si brenda vendit, ashtu dhe me faktorët ndërkombëtarë, Z. Sejko ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit në SEPA për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, ai ftoi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të intensifikojmë përpjekjet për përmbushjen e këtij objektivi të rëndësishëm, i cili, do të integrojë tregjet tona brenda rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian. Guvernatori, nënvizoi se pavarësisht faktit që ky proces, për shkak të fazave të ndryshme të plotësimit të kritereve, nuk mund të jetë i përbashkët, bashkëpunimi dhe komunikimi do të ndihmojë për finalizimin me sukses të procesit. Për këtë qëllim z. Sejko shprehu angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për të ndarë përvojën dhe njohuritë e përftuara nga ky rrugëtim, ku duket se Shqipëria do të jetë pararojë.
SEPA i jep mundësi vendeve anëtare të realizojnë pagesa në euro, – transferta, kreditim dhe debitim direkt ashtu si pagesat kombëtare, – duke eliminuar diferencat mes pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare dhe duke harmonizuar standardet dhe kushtet e funksionimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për rajonin, – si reduktimi i kostove të tregtisë, uljen e kostove të transfertave bankare, reduktimin e cash-it në ekonomi, duke i bërë pagesat elektronike më të thjeshta dhe më të lira, si edhe duke stimuluar njëkohësisht përfshirjen financiare dhe aksesin në financë. Banka Botërore po mbështet përmes asistencës teknike vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur kushtet e nevojshme për aplikimin dhe anëtarësimin eventual në Sistemin Europian të Pagesave.