Ministry of Finance

Kuvendi miratoi nen për nen dhe në tërësi Buxhetin e shtetit për vitin 2027 dhe Paketën Fiskale që e shoqëron atë.
Buxheti i vitit 2027 shënon një nivel historik të financimit publik, me mbi 10 miliardë euro shpenzime të parashikuara, duke garantuar më shumë mbështetje për qytetarët, rritje të investimeve publike dhe financim të sektorëve prioritarë, në kushtet e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe qëndrueshmërisë së financave publike.
Të ardhurat buxhetore parashikohen në nivelin 907,9 miliardë lekë, ndërsa ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet mesatarisht me rreth 4% dhe borxhi publik të ulet në nivelin 52,4% të PBB-së.

Mbrojtja sociale zë vendin kryesor në Buxhetin 2027, me një financim prej 279,7 miliardë lekësh, ose rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Ndër politikat kryesore që do të financohen janë:
Indeksimi i pensioneve në muajin prill dhe dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027;
Skema e re e Bonusit të Bebeve, përmes mbështetjes financiare mujore deri në moshën 5 vjeç;
Vijimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre;
Rritja e mbështetjes financiare mujore nga 10 mijë në 25 mijë lekë për 5,600 studentë nga familjet në nevojë;
Rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Buxheti 2027 parashikon gjithashtu financime në rritje për sektorët prioritarë, me 93,7 miliardë lekë për arsimin, 87,2 miliardë lekë për shëndetësinë, 17,9 miliardë lekë për bujqësinë dhe 76,7 miliardë lekë për mbrojtjen.
Investimet publike parashikohen në nivelin 200,3 miliardë lekë, ose 6,9% të PBB-së, ndërsa buxheti vendor arrin në 114,6 miliardë lekë, me një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2026.
Ndërkohë, Paketa Fiskale 2027, e përbërë nga pesë projektligje, synon lehtësimin e barrës fiskale për individët me të ardhura të ulëta dhe shtresën e mesme, rishpërndarjen më të drejtë të të ardhurave dhe rritjen e efikasitetit të sistemit tatimor.
Ndër masat kryesore të paketës fiskale përfshihen aplikimi i normës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për 54 produkte të shportës bazë, rishikimi i strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, rritja e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, si dhe zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksa vjetore e automjeteve.
Buxheti dhe Paketa Fiskale 2027 synojnë të garantojnë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, më shumë mirëqenie për qytetarët dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit.