Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në takimin e zhvilluar me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, në kuadër të nismës “Pasqyra e Çmimeve. Të pranishëm në këtë takim ishin dhe Kryeministri z. Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj. Në fjalën e tij, Ministri theksoi rëndësinë e analizimit të marzheve në të gjithë zinxhirin e formimit të çmimit, nga prodhimi ose importi deri te konsumatori final. Një analizë e tillë, theksoi z. Malaj, do t’i mundësojë Ministrisë së Financave të kuptojë më mirë strukturën e çmimeve dhe të identifikojë hapësirat ku mund të ndërhyhet përmes politikave fiskale, me synim lehtësimin e barrës për konsumatorët.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Lidhur me sa kemi diskutuar bashkërisht dhe për dobinë e transparencës së çmimeve, nga ana e Ministrisë së Financave po kryhet një ushtrim ku ne duam të kuptojmë se cilat janë marzhet që aplikohen në zinxhirin e formimit të çmimit, qoftë kjo nga momenti i prodhimit deri tek konsumatori i fundit, apo nga importi deri te konsumatori i fundit.
Kjo është e rëndësishme për Ministrinë e Financave sepse në radhë të parë duam të kuptojmë që se në cilat marzhe ne mund të ndërhyjmë me politikat tona fiskale, në mënyrë që të lehtësojmë sadopak barrën për konsumatorin e fundit.

Nga ana tjetër, duam të kuptojmë kush janë ato sektorë që formojnë zinxhirin e çmimit dhe cilat janë marzhet që ato aplikojnë, dhe nëse këto marzhe janë marzhe abuzuese apo janë marzhe të cilat i përgjigjen realitetit të tregut.
Nga ana tjetër, duke bërë një analizë te marzheve, edhe vetë ne kemi një informacion më të thelluar dhe më të qartë për mënyrën e formimit të çmimit.
Ka një fenomen që u përmend edhe nga ministrja, zhvlerësimi i Euros. Kemi një zhvlerësim të Euros dhe të ardhurat në buxhet në momentin që importohen produktet vijnë në rënie. Vetëm për 7-mujorin e parë kemi një mungesë në buxhetin e shtetit prej rreth 50 milionë Eurosh që presupozohet që kjo vlerë të paktën të përkthehej në çmime më ulëta, gjë që jo vetëm nuk ka ndodhur por nga analizat e bëra nga Ministria e Ekonomisë na rezulton që jemi me çmimet më të larta mesatare për atë grup produktesh që ne i konsiderojmë produkte të shportës dhe produkte bazike për popullatën mbarë.
Kështu që, është shumë e rëndësishme që ju të përfshiheni dhe këtë ushtrim ta bëjmë të gjithë bashkërisht dhe ta bëjmë në mënyrë vullnetare, sepse në të kundërt do jemi të detyruar pastaj, pasi është një ushtrim që qeveria do ta bëjë, që të fillojmë dhe të vijmë pranë subjekteve për të parë dhe për të bërë analizat e çmimit në mënyrë që të arrijmë tek rezultati që do të arrijë Ministria e Financave.
Ne do ta bëjmë këtë analizë, ne do t’i vlerësojmë të gjitha marzhet sepse është shumë e rëndësishme, sidomos në situatat që po kalojmë, në mënyrë që të dimë se çfarë politikash fiskale do të ndërmarrin që t’ua lehtësojmë sa më shumë konsumatorëve barrën e çmimeve të rritura.