Ministry of Finance

Politika Motivuese për stafet e angazhuara në menaxhimin dhe zbatimin e Programeve Operacionale IPA III është miratuar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, me aprovimin e Komisionit Europian.
Ajo është hartuar nën drejtimin e Zyrtarit Kombëtar Autorizues në Ministrinë e Financave dhe përfshin një numër institucionesh të angazhuara në menaxhimin dhe zbatimin e fondeve IPA III nën menaxhimin indirekt.
Politika parashikon një sërë masash motivuese jofinanciare, të shoqëruara edhe me një shtesë të kushtëzuar page për stafet e angazhuara në Programet Operacionale, me synim motivimin dhe ruajtjen e kapaciteteve profesionale të nevojshme për menaxhimin efektiv të fondeve të Bashkimit Europian.
Përveçse një politikë motivimi ajo përbën edhe një politikë përgjegjësie. Investimi në burimet njerëzore që menaxhojnë fondet e Bashkimit Europian është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve administrative dhe për përmbushjen me sukses të detyrimeve që shoqërojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.