Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend projekltligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH për financimin e projektit të Nënstacionit të OSHEE-së Tiranë”, një investim strategjik që synon modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe rritjen e sigurisë së furnizimit në kryeqytet.
Marrëveshja mundëson financimin e ndërtimit të nënstacionit të ri 110/20 kV në qendër të Tiranës nga OSHEE, një investim që mbështet objektivin e qeverisë për zhvillimin e një sistemi energjetik modern, inteligjent dhe të qëndrueshëm, në përputhje me ritmet e zhvillimit ekonomik dhe urban të vendit.
Ministri Malaj bëri të ditur se marrëveshja është ndërtuar mbi kushte të favorshme për qeverinë shqiptare dhe parashikon një hua në vlerën 22.5 milionë euro, me afat ripagese 10 vite, me normë interesi të ndryshueshme, të bazuar në Euribor 6-mujor plus një marzh prej 1%.
Ministri theksoi se këto kushte financimi janë konkurruese dhe reflektojnë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë ndaj stabilitetit të sektorit energjetik shqiptar.
Garancia sovrane, tha z. Malaj, nuk përbën shpenzim për buxhetin e shtetit, por është një instrument që mundëson financimin e investimeve strategjike me kosto më të ulët, duke i siguruar OSHEE-së akses në kushte financimi më të favorshme se ato të tregut.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Projektligji që paraqesim përpara jush lidhet drejtëpërdrejtë me një investim strategjik, për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe forcimin e sigurisë energjetike në vend.
Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbështet më konkretisht financimin e projektit për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20 kV të në qendër të Tiranës nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike/OSHEE Group.
Ky investim është pjesë e vizionit të qeverisë për ndërtimin e një sistemi energjetik modern, inteligjent dhe të qëndrueshëm, të aftë për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe urbanizimin e shpejtë.
Përmes zbatimit të këtij projekti, rrisim sigurinë e furnizimit me energji, përmirësimin cilësor të rrjetit, si dhe përgatisim sistemin për sfidat e dekadës së ardhshme.
Nënstacioni do të jetë plotësisht i digjitalizuar dhe nëntokësor.
Kjo do të garantojë:

  • rritje të eficiencës peracionale
  • reduktim të humbjeve teknike,
  • si dhe krijimin e kapacitetet e nevojshme për integrimin e burimeve të reja të energjisë së rinovueshme.

Të nderuar deputetë,
Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme dhe pozitive, në sektorin energjetik.
Gjatë viteve të fundit janë realizuar investime të rëndësishme në modernizimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, janë reduktuar ndjeshëm humbjet në rrjet, si dhe është përmirësuar qëndrueshmëria financiare e sektorit.
Gjithashtu është avancuar me investime të reja në rritjen e kapaciteteve prodhuese nga energjia diellore dhe ajo e erës.
Po zbatohen projekte strategjike për të rritur ndërlidhjen rajonale, si dhe për forcimin e rolit të Shqipërisë, si nyje energjetike në Evropën Juglindore.
Falë reformave dhe investimeve të ndërmarra, humbjet në rrjet janë reduktuar nga rreth 45% (2013) në 16.9% (2025).
Ky është një progres i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm, pikërisht për këtë arsye duhet të vazhdojmë me investimet për modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit të shpërndarjes.
Këtij angazhimi i shërben edhe investimi për të cilin po diskutojmë në këtë seancë.
Sa i takon angazhimit në aspektin financiar, marrëveshja është ndërtuar mbi terma të favorshëm, si për OSHEE Group, ashtu edhe për qeverinë shqiptare.
Huaja parashikohet në vlerën 22.5 milionë euro, me afat ripagese 10 vite, ndërsa norma e interesit është e ndryshueshme (Euribor 6-mujor dhe një marzh prej 1%).
Këto kushte financimi janë konkurruese dhe reflektojnë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë ndaj stabilitetit të sektorit energjetik shqiptar.
Garancia shtetërore nuk përfaqëson një shpenzim buxhetor. Ajo shërben për të mundësuar financimin e një investimi strategjik me kosto më të ulët, duke i dhënë OSHEE-së akses në kushte financimi që nuk do të ishin të mundshme në tregun komercial.
Ky është një përdorim i përgjegjshëm i instrumentit të garancisë sovrane, i cili mbështet investime produktive, që rrisin vlerën e aseteve publike, përmirësojnë cilësinë e shërbimit dhe forcojnë qëndrueshmërinë financiare të sektorit.
Të nderuar deputetë,
Nevoja për furnizimin me energji elektrike po rritet gjithnjë e më shumë, si rezultat i zhvillimit ekonomik të vendit, urbanizimit, por edhe investimeve të reja.
Ndaj, sistemi i shpërndarjes duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet kësaj kërkese, jo vetëm në sasi, por edhe sipas  standardeve evropiane të sigurisë dhe cilësisë.
Nga ana tjetër, ky projekt do të garantojë furnizim më të sigurt për Tiranën, do të rrisë fleksibilitetin e rrjetit, do të mbështesë integrimin e energjisë së rinovueshme dhe do ta afrojë më tej sistemin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.