Ministry of Finance

Shqipëria ka shënuar përmirësimin në fushën e transparencës buxhetore, sipas rezultateve të Anketës së Buxhetit të Hapur (Open Budget Survey – OBS) 2025, të publikuara nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit (International Budget Partnership – IBP).
Vendi ynë ka arritur 64 pikë në treguesin e transparencës buxhetore, më i larti në Ballkanin Perëndimor, me një rritje prej 7 pikësh krahasuar me vitin 2023, duke kaluar për herë të parë pragun prej 61 pikësh, i cili konsiderohet nga IBP si standardi i nevojshëm për një transparencë të mjaftueshme që mundëson debat publik real dhe efektiv mbi buxhetin.
Progresi reflekton angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Financave për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe komunikimit me publikun në procesin e hartimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit. Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rezultat vlerësohen rikthimi i publikimit në kohë të Buxhetit të Qytetarëve, cilësia e lartë e Programit Buxhetor Afatmesëm dhe e Ligjit Vjetor të Buxhetit, si dhe publikimi i rregullt i raporteve të auditimit.

Shqipëria ka shënuar përmirësim edhe në dy shtyllat e tjera të vlerësimit. Në pjesëmarrjen e publikut rezultati është rritur nga 9 në 17 pikë, ndërsa në mbikëqyrjen buxhetore nga 67 në rreth 72 pikë, duke e pozicionuar vendin ndër performuesit më të mirë të rajonit për sa i përket kontrollit dhe monitorimit të financave publike.
Raporti vlerëson gjithashtu se Shqipëria është, së bashku me Turqinë, një nga dy vendet e vetme në rajon që publikon Raportin e Rishikimit të Mesit të Vitit, një instrument i rëndësishëm për monitorimin e ecurisë së zbatimit të buxhetit.
Rezultatet e OBS 2025 konfirmojnë progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në forcimin e qeverisjes fiskale dhe rritjen e standardeve të transparencës publike, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe angazhimet e vendit në procesin e integrimit evropian.
Ministria e Financave mbetet e angazhuar të vijojë punën për përmirësimin e mëtejshëm të dokumenteve buxhetore, zgjerimin e mundësive për pjesëmarrjen e publikut në proceset fiskale dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, në funksion të një administrimi sa më transparent dhe efikas të financave publike.