Ministry of Finance

Ministria e Financave ka miratuar së fundmi një udhëzim përmes të cilit vendosen procedura të detajuara për kontrollin e brendshëm, auditimin e brendshëm dhe mekanizmat e siguridhënies në kuadër të zbatimit të Instrumentit për Reformë dhe Rritje (Reform and Growth Facility- RGF) të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky udhëzim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kuadrit institucional për administrimin dhe monitorimin e fondeve të BE, duke garantuar standarde më të larta transparence, llogaridhënieje dhe integriteti në përdorimin e tyre.
Ai është hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë të Projektit “Good Governance” të miratuar nga Delegacioni i BE në Shqipëri, në kuadër të mbështetjes teknike për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me standardet globale të auditimit të brendshëm dhe me praktikat më të mira të BE.
Miratimi i këtij akti vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, pasi Instrumenti për Reformë dhe Rritje vendos kërkesa të shtuara për siguridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale në menaxhimin dhe monitorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, udhëzimi krijon një sistem të integruar procedurash dhe përgjegjësish, të harmonizuar me standardet evropiane të kontrollit dhe auditimit.
Dokumenti përcakton qartë procedurat për përgatitjen e Deklaratës së Sigurisë (Declaration of Assurance – DoA) dhe Përmbledhjes së Auditimeve (Summary of Audits – SoA), duke standardizuar formatet e raportimit dhe duke forcuar koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe zbatimin e fondeve RGF.
Ndër elementët kryesorë të udhëzimit janë:

  • përcaktimi i kuadrit të kontrollit të brendshëm dhe auditimit të brendshëm për fondet RGF;
  • rregullimi i procesit të përgatitjes së Deklaratës së Sigurisë dhe evidencave mbështetëse;
  • përgatitja dhe konsolidimi i Përmbledhjes së Auditimeve në nivel institucional dhe kombëtar;
  • vlerësimi dhe menaxhimi i riskut për fondet e Bashkimit Evropian;
  • parandalimi dhe kontrolli i financimit të dyfishtë;
  • procedurat për raportimin e parregullsive dhe mashtrimeve në përputhje me kërkesat e OLAF;
  • forcimi i mekanizmave për parandalimin e konfliktit të interesit dhe garantimin e integritetit institucional;
  • ruajtja e dokumentacionit dhe gjurmës së auditimit për një periudhë minimale 7-vjeçare;
  • përdorimi i formateve standarde për raportim të njëtrajtshëm dhe të krahasueshëm.

Miratimi i këtij udhëzimi konfirmon angazhimin e Ministrisë së Financave për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE dhe për të avancuar më tej përafrimin e sistemit shqiptar të menaxhimit financiar publik me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Zbatimi i tij pritet të rrisë besueshmërinë e raportimit financiar dhe të performancës, të forcojë kapacitetet institucionale për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe të sigurojë një zbatim më transparent, të rregullt dhe të përgjegjshëm të Instrumentit për Reformë dhe Rritje.

Udhëzimi