Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi sot një konferencë për shtyp, ku prezantoi disa nga treguesit kryesorë ekonomikë dhe fiskalë të vendit, të cilët konfirmojnë tendencën pozitive të rritjes së aktivitetit ekonomik, rritjes së të ardhurave, përmirësimit të administrimit fiskal dhe formalizimit më të lartë të ekonomisë.
Ministri informoi se qarkullimi i bizneseve arriti në 133 miliardë lekë në katërmujorin e parë të vitit 2026, 1.4 miliardë ose 11 % më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve, ndërtimit dhe sektori i tregtisë, ndërkohë u regjistruan 8070 bizneseve të reja ose 11 % më shumë.
Rritja e qarkullimit të bizneseve, tha z. Malaj, vjen si rezultat i disa faktorëve si rritja ekonomike, formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë dhe rritja e konsumit të brendshëm, i cili mbështetet si nga zgjerimi i punësimit, ashtu edhe nga rritja e të ardhurave.

Totali i të ardhurave deri në fund të muajit prill 2026 arriti në 275.8 miliardë lekë, një rritje dyshifrore me 11.7% krahasuar janar-prill 2025 ose 302 milionë euro më shumë, ndërkohë që vetëm të ardhurat tatimore dhe doganore arritën në 172.7 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë lekë më shumë sesa katërmujori i vitit 2025.
Ministri theksoi se kjo rritje e të ardhurave është një sinjal i fortë përsa i përket forcimit të bazës ekonomike të vendit tonë.
“Rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore tregon se bizneset janë duke gjeneruar gjithnjë e më shumë aktivitet ekonomik, por nga ana tjetër kemi edhe një mirëadministrim më të mirë tatimor dhe doganor. Kjo falë edhe implementimit më të thelluar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave”, u shpreh z. Malaj.
Sa i përket të ardhurave të pushtetit vendor, Ministri theksoi se ato kanë shënuar një rritje rekord prej 188% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat vendore arritën në 17.2 miliardë lekë, ose 11.2 miliardë lekë më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025.
Rritja është mbështetur kryesisht nga të ardhurat e siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila arriti në 11.08 miliardë lekë, si dhe nga taksa e pasurisë, e cila regjistroi një rritje prej 27% krahasuar me një vit më parë. Ministri Malaj theksoi se rritja e të ardhurave vendore po shoqërohet edhe me rritje të investimeve dhe shpenzimeve publike në nivel lokal.
Në tjetër tregues pozitiv i prezantuar nga ministri ishte ecuria e procesit të rivlerësimit të pasurive. Vetëm gjatë dy muajve të parë të zbatimit të këtij procesi, në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 3.9 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë euro. Ministri Malaj nënvizoi se ky rezultat tregon interesin e lartë të qytetarëve dhe se ritmi aktual tejkalon ndjeshëm performancën e procesit të rivlerësimit të vitit 2022.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Unë sot, në fakt dua të ndaj me ju disa të dhëna që lidhen mbi treguesit e performancës ekonomike dhe fiskale të vendit, por nga ana tjetër edhe ecurinë e të ardhurave të pushtetit vendor.
Të dhënat që do të prezantojmë konfirmojnë një vijim të tendencës pozitive të rritjes ekonomike, të rritjes së të ardhurave, të përmirësimit të administrimit fiskal, si dhe formalizimit më të lartë të ekonomisë dhe rritjes së aktivitetit ekonomik.
Po e nis si fillim me xhiron apo qarkullimin e deklaruar të bizneseve. Po të bëjmë një krahasim të xhiros së deklaruar përgjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 me katërmujorin e parë të vitit 2025, do të vërejmë që kemi një rritje dyshifrore, pra me 11%. E thënë në terma monetarë, rritja është 133 miliardë lekë apo rreth 1.4 miliardë euro më shumë xhiro e deklaruar sesa katërmujori i një viti më parë.
Kjo rritje është e mbështetur nga 3 sektorë, kryesisht nga sektori i shërbimeve, i cili ka shënuar një rritje më të lartë me 24.5%. Kjo tregon në fakt zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të lidhur me turizmin, por edhe sektorë të tjerë të ndërlidhur. Rritja pasohet edhe nga sektori i ndërtimit, i cili ka regjistruar gjithashtu një rritje me 13.2%, e pasuar më tej pastaj nga sektori i tregtisë me një rritje prej 10.4%.
Rritja e qarkullimit të bizneseve vjen si kombinim i disa faktorëve, siç janë rritja ekonomike, formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë, por nga ana tjetër edhe një rritje e konsumit të brendshëm, i cili mbështetet si nga zgjerimi i punësimit, ashtu edhe nga rritja e të ardhurave.
Por, përveç rritjes së qarkullimit, kemi gjithashtu një rritje të numrit të bizneseve të reja përgjatë këtij katërmujori. Për periudhën janar-prill 2026 kemi 8070 biznese të reja të regjistruara. Edhe këtu kemi një rritje me 11%, ku në total në fund të muajit prill, numri total i bizneseve të regjistruara pranë Administratës Tatimore është 144,940 subjekte.
Ritmi i rritjes të numri të bizneseve reflekton klimën e të bërit biznes në Shqipëri, rritjen e besimit të sipërmarrjes përsa i përket zgjerimit ekonomik të tyre, sidomos në sektorë siç janë sektori i shërbimit, por edhe në sektorin e transportit.
Përsa i përket të ardhurave të realizuara nga Administrata Tatimore ose të ardhurave totale buxhetore, vlera totale e këtyre të ardhurave në fund të muajit prill arriti në masën 275.8 miliardë lekë. Këto të ardhura kanë pësuar një rritje dyshifrore me 11.7% krahasuar me të njëjtin katërmujor të vitit të mëparshëm.
E përkthyer në terma monetarë, të ardhurat e realizuara në total nga buxheti janë 302 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti të mëparshëm. Ky në fakt, është një sinjal i fortë përsa i përket forcimit të bazës ekonomike të vendit tonë.
Për t’u kthyer tek performanca e tatimeve dhe e doganave, përgjatë 4-mujorit të parë të vitit 2026, të ardhurat totale për këtë katërmujor kapin shifrën 172.7 miliardë lekë, një rritje me 8.8 miliardë lekë më shumë sesa katërmujori i vitit 2025.
Rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore tregon se bizneset janë duke gjeneruar gjithnjë e më shumë aktivitet ekonomik, por nga ana tjetër kemi edhe një mirëadministrim më të mirë tatimor dhe doganor. Kjo falë edhe implementimit më të thelluar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Në të njëjtin trend rritës kanë qenë edhe të ardhurat e realizuara nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Këtu rritja ka qenë po ashtu dyshifrore, me 12.5% më shumë me të ardhura të mbledhura krahasuar me të njëjtin katërmujor të vitit të mëparshëm. Në total, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kapin vlerën 66.8 miliardë lekë, me një rritje prej 7.4 miliardë lekë më shumë sesa katërmujori i vitit të mëparshëm. Kjo rritje në fakt është një tregues i zgjerimit të punësimit, por nga ana tjetër edhe rritjes së pagave reale në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Nga ana tjetër, një rritje e të ardhurave në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përkthehet padiskutim në më shumë siguri sociale për qytetarët e vendit tonë, por nga ana tjetër edhe një qëndrueshmëri më e lartë e skemës së sigurimeve.
Po ndalem pak tek një nga indikatorët e tjerë, që është diskutuar gjerësisht përgjatë këtyre 2 muajve si rezultat dhe i konfliktit në Lindjen e Mesme, që ka të bëjë me inflacionin. Inflacioni, edhe përgjatë muajit prill, në Shqipëri ka pasur normën më të ulët krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu edhe krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian. Kjo normë e ulët e inflacionit është një tregues i një stabiliteti më të madh makroekonomik, por nga ana tjetër është edhe një tregues i ruajtjes së fuqisë blerëse për qytetarët shqiptarë në raport edhe me vendet e tjera të rajonit.
Një çështje tjetër që do të doja të ndaja me ju është edhe ecuria e procesit të rivlerësimit. Në vetëm 2 muaj nga fillimi i procesit, të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit kapin shifrën e 3.9 miliardë lekëve apo rreth 40 milionë euro, çka në fakt dëshmon një interes të lartë të qytetarëve për këtë proces, duke kontribuar edhe në rritjen e të ardhurave buxhetore.
Nëqoftëse do të bënim një krahasim të procesit të rivlerësimit të vitit 2026 dhe me atë të vitit 2022, që është viti i rivlerësimit të fundit në vend, do të vërejmë që kemi një ecuri shumë më të mirë të të ardhurave të realizuara nga ky proces. Në vitin 2022, përgjatë gjithë vitit, ne realizuam rreth 5.6 miliardë lekë në total nga ky proces ndërkohë që, në vetëm 2 muaj, kemi realizuar 3.9 miliard lekë, çka dëshmon se ky proces deri në fund të vitit do të jetë më pozitiv se sa ai i vitit 2022.
Tani dua të ndalem pak tek ecuria e të ardhurave të realizuara nga pushteti vendor. Të ardhurat e realizuara nga pushteti vendor përgjatë tremujorit të parë të vitit 2026 kanë pësuar një rritje rekord me rreth 188% më shumë sesa tremujori i parë i vitit 2025.
Rritja totale e të ardhurave të pushtetit vendor është ndikuar kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e pasuar më tej pastaj edhe nga taksa e pasurisë. Totali i të ardhurave vendore të realizuara deri në fund të muajt mars 2026 është në vlerën 17.2 miliardë lekëve ose me një rritje prej 11.2 miliardë lekësh më shumë sesa tremujori i parë i vitit 2025.
Ashtu siç thashë, ndikimin më të madh në të ardhurat e pushtetit vendor e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë, me një total të ardhurash të realizuara në masën e 11.08 miliardë lekë të ardhura, ose rreth 9.1 miliardë lekë të ardhura më shumë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm,
Bashkitë të cilat kanë pasur rritjen më të madhe të të ardhurave, si rezultat i taksës së ndikimit në infrastrukturë, janë Bashkia e Tiranës, Vlora, Himara dhe Saranda.
Kjo rritje e fortë e kësaj takse reflekton dinamikën e lartë të investimeve në ndërtim, veçanërisht në zonat turistike, por edhe në zonat urbane, siç është Tirana. Këto të ardhura krijojnë mundësi shtesë për bashkitë, si në përmirësimin e shërbimeve që i ofrojnë komuniteteve, por edhe investimeve të nevojshme, që janë të nevojshme për t’u kryer në infrastrukturën lokale.
Do të mbajmë në konsideratë se investimet në ndërtim në terma afatgjatë përkthehen në më shumë të ardhura në pushtetin vendor pasi, në përfundim të tyre, këto ndërtime do të jenë subjekt i taksës së pasurisë, çka do të thotë që do të jenë të ardhura të përvitshme të planifikuara për pushtetin vendor.
Taksa e dytë më e rëndësishme, për nga rëndësia përsa i përket të ardhurave, është taksa e pasurisë. Në fund të muajt mars, totali i të ardhurave të realizuara nga taksa e pasurisë është 1.81 miliardë lekë, me një rritje me 27% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Bashkitë të cilat kanë pasur edhe rritjen më të madhe, përsa i përket rritjes së të ardhurave nga taksa e pasurisë, janë Tirana, Vlora, Elbasani dhe Patosi.
Ndërkohë që, nuk kemi vetëm rritje të të ardhurave në pushtetin vendor por, kemi edhe një rritje të shpenzimeve vendore. Totali i shpenzimeve vendore përgjatë tremujorit ka qenë 9.9% më shumë sesa tremujori i parë i vitit 2025, duke kapur në total një nivel shpenzimesh prej 17.1 miliardë lekësh.
Gjatë kësaj periudhe vërehet që rritja më e madhe e shpenzimeve i referohet shpenzimeve kapitale, me një rritje prej 31%, e ndjekur më tej pastaj nga subvencionet e qeverisë qendrore, me një rritje prej 17% dhe shpenzimet operative me një rritje prej 10%.
Duhet thënë se rritja e shpenzimeve do të thotë se do të kemi apo kemi më shumë projekte konkrete që po zbatohen dhe më shumë shërbime cilësore për komunitetin në vend.
Në total, shpenzimet kapitale kapin vlerën 2.23 miliardë lekë, ku bashkitë që kanë pasur edhe realizimin më të lartë, sipas planit të shpenzimeve kapitale, janë Kukësi, Kamza, Vora dhe Qarku i Durrësit.
Vërehet që ka një tendencë të bashkive të cilat po orientohen gjithnjë e më shumë drejt projekteve zhvilluese. Nga ana tjetër, kemi dhe një nivel të lartë të realizimit përsa i përket investimeve kapitale, çka tregon një përmirësim të kapaciteteve të planifikimit nga ana e pushtetit vendor, por nga ana tjetër dhe të zbatimit të investimeve publike.