Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Besmir Beja, zhvilloi një vizitë pune në Degën Doganore në Portin e Durrësit, në kuadër të masave për menaxhimin e fluksit të sezonit turistik veror dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët, turistët dhe operatorët ekonomikë.
Gjatë vizitës, ata inspektuan organizimin e punës në degën doganore të Portit të Durrësit, proceset e kontrollit dhe masat operative të ndërmarra për përballimin e fluksit të pritshëm gjatë muajve të verës.
Ministri i Financave theksoi rëndësinë që ka turizmi për ekonominë shqiptare dhe nevojën për rritjen e standardeve të shërbimit dhe lehtësimin e qarkullimit të turistëve dhe qytetarëve.
“Ndodhemi sot në terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit në kuadër edhe të masave që po ndërmarrin të gjitha institucionet shqiptare për mbarëvajtjen e një sezoni të ri turistik. Është e rëndësishme që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me stafin e saj, të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të facilitojnë hyrjen e daljen e turistëve”, u shpreh z. Malaj.

Gjithashtu, Ministri theksoi se lehtësimi i qarkullimit në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik veror duhet të shkojë paralelisht me forcimin e sigurisë dhe respektimin e ligjit.
“Përpos mikpritjes dhe krijimit dhe facilitimit të shpejtë të lëvizjes së hyrjeve dhe të daljeve në portin e Durrësit, do duhet që të merren masa edhe në pjesën e sigurisë portuale për sa i përket hyrjes dhe daljes së mallrave të paligjshëm”, tha z. Malaj.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave informoi se janë marrë masat e nevojshme për përforcimin e shërbimeve në përballimin e fluksit të shtuar të turistëve gjatë këtij sezoni veror. Një nga masat e reja që pritet të zbatohet gjatë këtij sezoni është pajisja e punonjësve doganorë me kamera trupi.
“Besoj shumë shpejt, brenda këtij sezoni, punonjësit e doganës, veçanërisht portit Durrës, do jenë të pajisur me kamerat trupi. Kamerat e trupit do bëjnë të mundur që të transmetojnë të dhënat në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, qoftë pamjet video, qoftë pamjet audio, dhe do të sigurojnë një ndërveprim më të kujdesshëm të personelit të administratës doganore me çdo qytetar ose çdo biznes që i lidh puna me ta”, tha z. Beja.

Gjatë takimit me strukturat e administratës doganore u diskutuan edhe objektivat e Doganës Durrës për sezonin 2026, me fokus uljen e kohës së pritjes dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe turistëve, duke ruajtur njëkohësisht kontrollet dhe analizën e riskut.
Konkretisht, synohet që koha e pritjes për mjetet private të reduktohet në më pak se 2 minuta, ndërsa për kroçerat në më pak se 20 minuta.
Ndër masat e ndërmarra në funksion të sezonit turistik janë:
• Zbatimi i modelit “One-Stop-Shop” me Policinë Kufitare për koordinimin e kontrolleve;
• Krijimi i kanaleve të gjelbra për udhëtarët pa mallra për deklarim;
• Shtimi i korsive dhe riorganizimi i stafit në oraret me fluks të lartë;
• Analiza e riskut dhe përpunimi paraprak i të dhënave për kroçerat;
• Përdorimi i skanerëve dhe kontrolleve të orientuara sipas analizës së riskut për shmangien e vonesave të panevojshme;
• Prioritet për mallrat e freskëta dhe ndarja e trafikut tregtar nga lëvizja e mjeteve private.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbi intensifikimin e kontrolleve për parandalimin e rasteve të transportimit të parave cash të padeklaruara dhe monitorimin e lëvizjeve të dyshimta.
Në fokus ishte edhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese, me synim garantimin e sigurisë financiare dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme gjatë sezonit veror.
Të dhënat e katërmujorit të parë të vitit 2026 konfirmojnë rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit, me 94,869 imbarkime dhe 61,728 dizimbarkime gjatë periudhës janar–prill, si edhe me të ardhura doganore në vlerën 32.85 miliardë lekë, ose 2.45 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm gjatë muajit prill 2026 vendi regjistroi rreth 900 mijë vizitorë të huaj, me një rritje prej rreth 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fluksi pritet të rritet më tej gjatë pikut të sezonit veror, çka kërkon koordinim më të madh institucional, kapacitete operacionale të shtuara dhe standarde më të larta sigurie e shërbimi.