Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë Aktin Normativ për disa ndryshime në ligjin “Për Akcizat”, një masë konkrete e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, për përballimin e situatës së rritjes së çmimeve të karburanteve, si rrjedhojë e konfliktit të krijuar në Lindjen e Mesme.
Përmes këtij Akti Normativ, i cili është tashmë në zbatim, u bë e mundur ulja e nivelit të akcizës me 20 %, ulje që aplikohet në rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, është mbi 220 lekë për litër për naftën dhe mbi 200 lekë për litër për benzinën.
Ky reduktim i nivelit të akcizës është aplikuar në dy raste dhe efekti financiar i llogaritur, deri më tani, është rreth 37 milionë lekë të ardhura të munguara nga akciza, një kosto e përballueshme për buxhetin dhe në funksion të mbrojtjes së qytetarëve.
Ministri Malaj theksoi se treguesit kryesorë dëshmojnë qartazi se ekonomia e vendit mbështet mbi bazë të qëndrueshme dhe financa publike të shëndosha, çka krijon jo vetëm hapësirën e nevojshme buxhetore për të ndërmarrë politika sociale në mbështetje të shtresave më në nevojë, por edhe sigurinë për të përballuar me qëndrueshmëri çdo sfidë apo goditje të mundshme, nëse situata ndërkombëtare zgjatet apo përshkallëzohet.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Akti Normativ për disa ndryshime në ligjin “Për Akcizat” , që paraqesim sot në këtë seancë për diskutim dhe miratim, lidhet drejtpërdrejt me nevojën dhe urgjencën e diktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme (lufta SHBA-Iran-Izrael), me ndikim edhe në ekonominë shqiptare.
Përshkallëzimi i këtij konflikti, në fund të muajit shkurt, solli reagimin e tregjeve botërore ndaj çmimeve në bursë të karburantit.  Edhe Shqipëria u prek nga ky reagim, duke reflektuar presion të drejtpërdrejtë në vend të çmimeve të hidrokarbureve.
Përballë kësaj situate, qeveria reagoi në mënyrë të shpejtë dhe të koordinuar:

  • U shpall situata e veçantë në tregun e hidrokarbureve me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të kuadrit ligjor përkatës;
  • U aktivizua Bordi i Transparencës, si i vetmi instrument ligjor për përcaktimin e çmimeve tavan të naftës dhe benzinës, monitorimin e situatës dhe të marzheve të fitimit.

Në kushtet kur zhvillimet në Lindjen e Mesme mbeteshin të paqarta dhe me ndryshime të shpeshta, qeveria ndërmori një hap të dytë të rëndësishëm:
Aktin Normativ, përmes së cilit do të mundësonim një ulje të akcizës, pra një reduktim të drejtpërdrejtë të barrës fiskale mbi karburantet, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të minimizuar efektet e krizës.
Më konkretisht:

  • U propozua ulja e nivelit të akcizës me 20% ose me rreth 7.8 lekë për litër, pra nga rreth 39.37 lekë/litër në rreth 31.5 lekë/litër, në rast se çmimi i shitjes me pakicë, përcaktuar nga Bordi i Transparencës është për naftën mbi 220 lekë/litër ndërsa për benzinën mbi 200 lekë/ litër.
  • Ulja e nivelit të akcizës, gjithashtu, ndikon edhe në uljen  e TVSH-së së llogaritur në momentin e importimit, – 1.58 lekë/litër. Pra në total ulja e akcizës dhe nga TVSH në import ulja e taksave llogaritet në 45 lekë për litër .

Pra, një ndikim i drejtpërdrejt në zbutjen e rritjes së çmimeve për konsumatorin final.
Deri tani janë zhvilluar 17 mbledhje të Bordit të Transparencës, përmes së cilave është ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme për stabilizimin e çmimit të shitjes me shumicë dhe pakicë. Thënë ndryshe, Bordi është mbledhur gati çdo dy ditë nga mbledhja e parë.
Vetëm në dy raste është aplikuar niveli i reduktuar i akcizës, si një masë shtesë për lehtësimin e çmimeve.
Efekti financiar nga aplikimi i kësaj mase llogaritet në rreth 37 milionë lekë të ardhura të munguara nga akciza, një kosto e përballueshme për buxhetin, në funksion të mbrojtjes së qytetarëve.
Të nderuar deputetë,
Thënë kjo, dëshiroj të ndalem tek një analizë pak më e gjerë.
Si çdo ekonomi tregu, edhe Shqipëria nuk mund të ishte imune ndaj efekteve zinxhirë. Ne e kishim një përvojë të ngjashme nga efektet që u shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ndaj synuam ndërhyrje me masa të targetuara dhe të kujdesshme.
Edhe vende të Bashkimit Europian dhe të rajonit, morën masa të ngjashme, përmes zbatimit të paketave lehtësuese e monitoruese.
Po ju sjell disa shembuj:
Italia ndërmori reduktimin e akcizës me rreth 20 cent/litër për naftën dhe me rreth 5 cent/litër për benzinën.
Greqia vendosi tavan për marzhin e lejuar në 12 cent/litër ndaj çmimit final për konsumatorët dhe 5 cent për litër për grosistët.
Serbia ndoqi një qasje më ndërhyrëse dhe të centralizuar. Përcaktoi çmime maksimale të detyrueshme për shitjen me pakicë të naftës dhe benzinës. Si dhe reduktim të përkohshëm të akcizës deri në rreth 20% për të zbutur çmimin final.
Maqedonia e Veriut ndërmori ulje të akcizës me 1–4 denar për litër, në varësi të çmimeve të bursave ndërkombëtare.
Mal i Zi po zbaton reduktim të akcizës deri në 25% për periudha të caktuara.
Pra, këto shembuj na tregojnë se edhe Shqipëria është në linjë me praktikat europiane dhe ka zgjedhur një qasje të balancuar.
Nga ana tjetër ne vijojmë të monitorojmë në mënyrë të vazhdueshëm situatën dhe këtë po e bëjmë jo vetëm përmes Bordit të Transparencës, por edhe përmes Addministratës Tatimore dhe Doganore.
Gjatë kësaj periudhe, strukturat doganore, në bashkëpunim me ato tatimore, kanë ushtruar 66 kontrolle të përbashkëta, në të cilat janë konstatuar edhe raste me shkelje, për të cilat janë vendosur penalitete sipas legjislacionit në fuqi.
Nga ana tjetër, krahas monitorimit në terren që ndiqet nga këto dy administrata tona, ne po vëzhgojmë me kujdes edhe inflacionin.
Në muajin mars, inflacioni sipas INSTAT ishte 2.6%, pra brenda nivelit të përcaktuar të Bankës së Shqipërisë, i vlerësuar si i përshtatshëm edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Natyrisht nëse do të kemi një përshkallëzim të situatës ne do të ndërmarrim të gjitha masat e duhura.
Me FMN-në kemi diskutuar edhe në lidhje me këtë situatë ku sipas sugjerimeve, në rast përshkallëzimi, duhet që mbështetja e qeverisë të orientohet me prioritet te mbrojtja e shtresave më në nevojë, natyrisht duke siguruar në mënyrë të kujdesshme edhe parametrat makroekonomikë e fiskal.
Këtë qasje ne e kemi treguar edhe gjatë tre goditjeve që pësuam: tërmeti, pandemia dhe kriza e energjisë elektrike.
Dy treguesit fondamentalë mbi të cilët më së shumti matet çdo model ekonomik, siç është rritja ekonomike dhe borxhi publik, dëshmojnë për një progres mjaft të mirë të Shqipërisë.
Rritja jonë ka qenë mesatarisht mbi 3.5% në periudhën pas-pandemike, duke na vendosur ndër ekonomitë me performancën më të mirë në Evropë.
Nga ana tjetër, kemi regjistruar rënien më të madhe të borxhit publik në rajon, nga 74.1% e PBB-së në 2021 në rreth 53% në fund të 2025, një rënie prej më shumë se 21 pikësh përqindje për katër vite. Kjo rënie nuk është rastësi, por rezultat i politikave të duhura makroekonomike.
Janë pikërisht këta tregues që dëshmojnë qartë se ekonomia jonë mbështetet mbi baza të qëndrueshme dhe financa publike të shëndosha.
Kjo na krijon jo vetëm hapësirën e nevojshme buxhetore për të ndërmarrë politika sociale në mbështetje të shtresave më në nevojë, por edhe sigurinë për të përballuar me qëndrueshmëri çdo sfidë apo goditje të mundshme, nëse situata ndërkombëtare zgjatet apo përshkallëzohet.
Nga ana tjetër, çdo plan masash i mundshëm që mund të hartohet do të ndërmerret në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të siguruar besueshmërinë dhe stabilitetin e nevojshëm.
Të nderuar deputetë,
Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të nënvizoj edhe një herë se ky akt normativ është një instrument i përkohshëm, i domosdoshëm dhe plotësisht në përputhje me Kushtetutën, që synon të amortizojë goditjet e një krize të importuar dhe të mbrojë drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.
Në një kohë kur pasiguritë globale janë të larta, përgjegjësia jonë është të veprojmë me vendosmëri, me sens social dhe me vizion ekonomik.
Ndaj, ju ftoj ta miratojmë këtë Akt Normativ, si një vendim në mbrojtje të qytetarëve dhe të stabilitetit ekonomik të vendit.