Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në prezantimin e nismës së re globale “Water Forward”, të organizuar nga Grupi i Bankës Botërore, në kuadër të Takimeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të BB.
Kjo nismë synon forcimin e sigurisë ujore dhe zgjerimin e partneriteteve në sektorin e ujit, përmes mobilizimit të investimeve dhe nxitjes së potencialit ekonomik të këtij sektori jetik.
Gjatë ndërhyrjes së tij, Ministri Malaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për garantimin e sigurisë afatgjatë të burimeve ujore, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe investimeve strategjike në këtë fushë.

Ministri theksoi se, bazuar në objektiva të qarta deri në vitin 2030 dhe në partneritet të ngushtë me institucionet ndërkombëtare, Shqipëria do të vijojë të punojë për ndërtimin e një sektori modern, të qëndrueshëm dhe plotësisht në përputhje me standardet europiane.
Ministri Malaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Takimet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, që zhvillohen në Washington, në datat 13-18 Prill 2026. Këto takime të përvitshme mbledhin bashkë guvernatorë bankash qendrore, ministra financash dhe zhvillimi, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar mbi gjendjen e ekonomisë globale dhe çështje me rëndësi ndërkombëtare, si perspektiva e rritjes, stabiliteti financiar dhe reduktimi i varfërisë.