Ministry of Finance

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbledhjen e datës 9 Prill 2026 vendosi:
1.Të miratojë çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, për Benzinë të standardit SSHEN 2282018 dhe Gazoil të standardit SSHEN 5902018.
2.Vlera “Premio” zbatohet sipas publikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të një dite më parë.
3. Çmimet e miratuara nga Bordi, të cilat reflektojnë çmimet e nënprodukteve në Bursë, të publikuara nga agjencia ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, në kushtet e lëvrimit FOB Med, detyrimet doganore/tatimore që aplikohen, si dhe marzhe bruto maksimale të tregtimit, (përfshijnë edhe TVSH-në), janë çmime tavan/maksimale në zbatim të metodologjisë së përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar.
4.Çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve, pas zbatimit të metodologjisë të përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, i ndryshuar, janë si më poshtë:
Çmimet tavan (max), për shitjen me shumicë të produkteve

  • 198 Lekë/litri për gazoilin;
  • 161 Lekë/litri për benzinën.

Çmimet tavan (max) për shitjen me pakicë të produkteve

  • 210 Lekë/litri për gazoilin;
  • 173 Lekë/litri për benzinën;

5. Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë sipas pikës 4 të këtij vendimi, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

6.Ngarkohet administrata doganore të bëjë zbatimin në sistem të nivelit të plotë të akcizës për produktin Gazoil sipas kodit të NKM: 27101944 me 39.376230 lekë/litri, dhe për produktin Benzinë sipas kodeve të NKM: 27101245 dhe 27101249 me 39.376230 lekë/litri.
7.Asnjë operator ekonomik nuk mund ti tregtojë këto nënprodukte mbi çmimet tavan të Vendimit të Bordit. Çdo operator ekonomik me shumicë dhe pakicë, është i lirë ti tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet tavan/maksimale të miratuara nga Bordi.
8. Efektet e këtij vendimi fillojnë në datë 09.04.2026, ora 14:30, deri në një njoftim të dytë të marrë në mbledhjen e radhës. Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, në zbatim të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.