Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025, i ndryshuar”.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi faktin se përmes Aktit Normativ u adresua në mënyrë të menjëhershme nevoja e  mbështetjes së shtresave më në nevojë të shoqërisë dhe u garantuan fondet e nevojshme për të mbështetur skemën e pensioneve.
“Ky Akt Normativ nuk është thjesht një instrument teknik i menaxhimit buxhetor, por një akt përgjegjshmërie politike dhe qeverisje për ta menaxhuar buxhetin jo vetëm me përgjegjësi, por edhe me ndjeshmëri sociale”, u shpreh z. Malaj.
Akti Normativ, tha Ministri, ruan ekuilibrat fiskalë dhe garanton, jo vetëm një mbyllje më optimale të vitit buxhetor 2025, por edhe vijimësinë e konsolidimit fiskal, qëndrueshmërinë afatmesme të financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Vijmë sot përpara jush për diskutimin dhe miratimin e Aktit normativ, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025, i ndryshuar”, i miratuar në Këshillin e Ministrave dhe që u hartua si një domosdoshmëri për të reflektuar disa ndryshime në Buxhetin 2025.
Ky Akt plotëson kriteret kryesore, siç është nevoja për të reflektuar, përkohshmërinë e zbatimit të tij, respektimi i kufijve të fuqisë ligjore, si dhe domosdoshmërinë e miratimit nga Kuvendi.
Për këtë qëllim, Akti Normativ adresoi në mënyrë të menjëhershme nevojën e mbështetjes ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë, siç janë familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësisë të Kufizuar dhe kujdestarët e tyre, si dhe paralelisht me këtë kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për të mbështur skemën e pensioneve.
Qeveria Rama ka dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme se mbrojtja sociale do të mbetet një nga prioritetet buxhetore. Përmes fondeve të dedikuara, kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve.
Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar Ndihmë Ekonomikë dhe Personat me Aftësi të Kufizuar arriti në vlerën 25,6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshi këtu edhe fondin për bonusin e fundvitit.
Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, përfshirë bonusin dhe indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro.
Në një kuadër ekonomik që kërkon kujdes dhe balancë në vendimmarrje, ne kemi zgjedhur të mbështetim ato shtresa të shoqërisë që kanë më shumë nevojë.
Ndaj edhe nëpërmjet këtij Akti Normativ ne synojmë:

  • Transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025, të cilat nuk janë përdorur nga ministritë apo insitucionet buxhetore, në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Këto fonde do të përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave.
  • Mbështetjen e shtresave në nevojë;
  • Rialokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-nëntor 2025 drejt programeve apo projekteve që kanë pasur një ecuri më të mirë;
  • Shpërndarje të brendshme të fondeve me efekt neutral në deficitin buxhetor, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.

Të nderuar deputetë,
Përpara sesa të vijoj me elementët kryesorë të këtij Akti, më lejoni të bëj një paraqitje të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe fiskal për të kuptuar më qartë bazën nga e cila jemi nisur për të bërë ndryshimet e propozuara.
Prodhimi i Brendshëm Bruto, në vitin 2024,  u rrit me rreth 4%, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit 2025 rritja ishte 3.7%, duke u mbështetur kryesisht konsumi i brendshëm dhe investimet. Ne parashikojmë që viti 2025 të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.9%.
Sa i takon Borxhit Publik, sipas vlerësimeve paraprake që Ministria e Financave ka kryer, ai pritet të jetë nën masën 54% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025 dhe ky është niveli më i ulët i borxhit publik që prej vitit 2010.
Sa i takon të ardhurave nga tatimet dhe doganat, sipas të dhënave paraprake të vitit 2025, ato u realizuan në vlerën 496 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro më shumë se viti 2024, duke shënuar një rritje prej 9 % dhe një realizim të planit vjetor në masën 99.3 %.
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për vitin 2025, u realizuan në vlerën rreth 172 miliardë lekë, me një rritje prej 16.7 miliardë lekësh apo 167 milionë euro më shumë se sa viti 2024, apo me një rritje prej 11 % dhe një tejkalim të planit me rreth 711 milionë lekë.
Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet, sipas të dhënave paraprake, u mblodhën në vlerën 668  miliardë lekë,  me rreth 560 milionë euro më shumë të ardhura të arkëtuara krahasuar me vitin 2024 dhe realizim të planit vjetor në masën 99.6%.
Janë pikërisht këta tregues që pasqyrojnë stabilitetin e financave publike dhe përforcojnë besueshmërinë ndaj politikave tona fiskale, duke na lejuar të bëjmë ndërhyrje të kujdesshme dhe me përgjegjësi, për të optimizuar përdorimin e fondeve publike.
Ndaj, në këtë kontekst me anë të këtij Akti Normativ ne synojmë:

  • Mbajtjen të pandryshuar të totalit të të ardhurave buxhetore.
  • Rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekë kursimeve të evidentuara, për realizimin sa më të plotë të shpenzimeve publike në buxhetin vjetor.
  • Ruajtjen të pandryshuar të deficitit buxhetor për vitin 2025, në nivelin e planifikuar në fillim të vitit, në masën 61.64 mld lekë.

Në krahun e Shpenzimeve, nënvizoj se totali i tyre nuk pëson ndryshime, duke reflektuar vetëm rialokime mes zërave buxhetore dhe me efekt neutral.
Në zërin e Shpenzimeve Korente, ndër alokimet kryesore mund të veçojmë:
1.Mbështetjen financiare të disa kategorive në nevojë në masën 15,000 lekë, për rreth 148.500 përfitues të familjeve që trajtohen me Ndihmë Ekonomike dhe Përsonat me Aftësi të Kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre, me një efekt financiar prej 2.23 miliardë lekë.
Sipas të dhënave që disponojmë, bonusi për familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, deri ditën e premte, ka patur një realizim në masën 98.4%, ndërsa për personat PAK në masën 99.5%.
2.Gjithashtu nëpërmjet Aktit, parashikojmë transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura në mbyllje të buxhetit 2025, në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë.
Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave shuma që minimalisht do të kalojë në këtë llogari është reth 150 milionë euro.  Përmes këtij mekanizmi ne synojmë të krijojmë hapësira të qëndrueshme për mbështetjen e kësaj kategorie, por nga ana tjetër pa rrezikuar ekuilibrat fiskalë.
3.Financimin shtesë për Fermerët në masën rreth 2 miliardë lekë, me qëllim mbulimin e të gjithë kërkesave të aplikantëve, të Skemës, që plotësojnë kriteret e përfitimit për masat mbështetëse për vitin 2025.
Në total fondi i alokuar për vitin 2025, nga i cili fermerët kanë përfituar drejtëpërdrejt shkon në masën 6.4 miliardë lekë, rreth 1.1 miliardë lekë më shumë se sa viti 2024.
Sipas të dhënave që disponojmë, realizimi i fondit për skemat mbështetëse është në masën 90%, ndërsa për kompensimin e naftës është në masën 93%. Pagesat janë ende duke u kryer kështu që besoj se realizimi do të shkojë në masën 100%.
4.Alokimin për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të një fondi shtesë prej 1.76 miliardë lekësh, me qëllim mbulimin e nevojave për furnizimin me medikamente në QSUT dhe në disa spitale të tjera rajonale.
5.Për Ministrinë e Brendshme, alokohen 1.3 miliardë lekë me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orët jashtë orarit, si dhe dieta në kuadër të sezonit intensiv turistik, krahas edhe shlyerjes së të gjitha detyrimeve nga vendimet gjyqësore të IKMT-së.
Sipas të dhënave të Thesarit, plani i realizimit për zërin e pagesave për orët jashtë orarit për Policinë e Shtetit është në masën 99.9%, ndërsa për dietat/ushqimet në masën 99.7%. Sa i takon pagesave të detyrimeve gjyqësore për IKMT ato llogariten në 532 milionë lekë dhe ky fond është ezauruar totalisht. Pra, të gjitha vendimet gjyqësore që ka pasur IKMT-ja janë shlyer 100 %.
6.Për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit është parashikuar një shtesë fondi në masën 847 milionë lekë për organizimin e aktiviteteve sportive me karakter kombëtar e ndërkombëtar.
Në drejtim të shpenzimeve kapitale, mund të përmendim rialokimin e rreth 10 miliardë lekëve shtesë drejt projekteve me performancë më të mirë.
Këtu mund të përmendim:

  • 8mld lekë në transportin Rrugor për projekte me performancë të shpejtë;
  • 4mld lekë në transportin Ajror, nga të cilat 2mld lekë shkojnë si mbështetje financiare për Albcontrol dhe 2mld lekë të tjera për shlyerjen e huasë që Albcontrol ka ndaj Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC).
  • 508mln lekë shtesë për ujësjellës-kanalizime, për likujdimin e detyrimeve të projekteve që kanë pasur një euri më të shpejtë.

 Nëpërmjet këtij Akti Normativ kemi alokuar për Ministrinë e Drejtësisë rreth 200 milionë lekë për përshpejtimin e projektit të ndërtimit të Institutit të të Miturve, një projekt që siguron kushte më të mira rehabilitimi dhe trajtimi, si dhe është në linjë me politikat e qeverisë për mbrojtjen dhe riintegrimin e të miturve.
Njëkohësisht, kemi alokuar rreth 551 milionë lekë për Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme, të cilat do të përdoren për blerjen e Selisë Diplomatike në Londër, një investim afatgjatë që ul kostot e qirasë, forcon praninë diplomatike të vendit dhe rrit vlerën e aseteve të shtetit shqiptar në metropolet të rëndësishme botërore.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mbështetjes së Njësive të Vetëqeverisjes Vendore.
Përmes këtij akti, parashikohet alokimi i 1.2 miliardë lekëve për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive dhe qarqeve, për përmirësimin e situatës financiare dhe disiplinën fiskale, në mënyrë që këto bashki të kenë hapësirat e nevojshme për rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Vlen të theksohet se kjo mbështetje është substanciale duke pasur parasysh që totali i detyrimeve të bashkive është 2.7 miliardë lekë.
Të nderuar deputetë,
Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të theksoj se ky Akt Normativ nuk është thjesht një instrument teknik i menaxhimit buxhetor, por një akt përgjegjshmërie politike dhe qeverisje për ta menaxhuar buxhetin jo vetëm me përgjegjësi, por edhe me ndjeshmëri sociale.
Akti Normativ ruan ekuilibrat fiskalë dhe garanton, jo vetëm një mbyllje më optimale të vitit buxhetor 2025, por edhe vijimësinë e konsolidimit fiskal, qëndrueshmërinë afatmesme të financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.