Ministry of Finance

Qeveria shqiptare ka në dispozicion mbi 50 milionë euro për të përballuar situatën e krijuar në vend si pasojë e motit të keq. Kjo gjë u bë e ditur nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, e cila u zhvillua nën drejtimin e Kryeministrit z. Edi Rama.
“Në total, nëse do të bënim një vlerësim të fondeve që kemi në dispozicion, vlera shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar aktualisht”, u shpreh z. Malaj.
Ministri informoi se këto fonde janë të ndara në disa zëra buxhetorë të dedikuar si për menaxhimin e emergjencave, ashtu edhe për parandalimin e fatkeqësive natyrore.


“Nga ana e Ministrisë së Financave, në programin  e Emergjencave Civile janë parashikuar rreth 30 milionë euro, të cilat janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile. Nga ky fond, vlera e alokuar për financimin e objekteve apo projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore është rreth 15 milionë euro”, tha z. Malaj.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka planifikuar edhe fondin e kushtëzuar për emergjencat civile, në vlerën e rreth 10 milionë eurove, si një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas një metodologjie dhe e mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri.
Një tjetër fond në dispozicion, tha z. Malaj, është edhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave në vlerën rreth 25 milionë euro, i cili mund të vendoset në dispozicion në varësi të vlerësimeve që do të bëhen nga strukturat përkatëse, përsa i përket dëmeve të shkaktuara. Po ashtu, është parashikuar edhe fondi për digat dhe rezervuarët, rreth 5 milionë euro, i cili është një fond për shpenzimet kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve që lidhen me sigurimin e digave dhe të rezervuarëve.