Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e Administratës Tatimore dhe Doganore, ku u diskutuan prioritetet kryesore të punës dhe objektivat strategjikë për periudhën në vijim, në funksion të forcimit të administrimit tatimor dhe doganor.
Gjatë mbledhjes, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e rritjes së të ardhurave buxhetore, si një element kyç për garantimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe financimin e politikave publike. Në këtë kuadër, u nënvizua nevoja për forcimin e kontrolleve, përmirësimin e analizës së riskut dhe përdorimin e instrumenteve moderne për parandalimin dhe goditjen e shmangies fiskale.


Një vëmendje e veçantë iu kushtua luftës kundër informalitetit, si prioritet i qeverisë për krijimin e një mjedisi të drejtë dhe konkurrues për bizneset, si dhe për mbrojtjen e interesit publik. Ministri kërkoi rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zbatimin rigoroz të legjislacionit në fuqi, duke garantuar njëkohësisht transparencë dhe korrektësi në marrëdhëniet me tatimpaguesit.
Po ashtu, u diskutua përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, përmes thjeshtimit të procedurave administrative, zgjerimit të digjitalizimit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, me synimin për një administratë më efikase dhe më të orientuar drejt shërbimit.


Në fokus të veçantë ishte edhe përmbushja e standardeve të Bashkimit Evropian, përfshirë përafrimin e legjislacionit tatimor dhe doganor me acquis communautaire, si dhe modernizimin e proceseve dhe strukturave administrative, në kuadër të angazhimit të qeverisë për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Në përfundim të mbledhjes, Ministri i Financave, Petrit Malaj, nënvizoi angazhimin e plotë për forcimin e kapaciteteve institucionale të Administratës Tatimore dhe Doganore, duke kërkuar profesionalizëm, integritet dhe rezultate konkrete në përmbushjen e objektivave të përcaktuara për vitin 2026.