Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, si dhe në komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026.
Gjatë prezantimit në komisionin e Bujqësisë, Ministri u shpreh se qeveria shqiptare ka rritur në mënyrë të ndjeshme shpenzime buxhetore për bujqësinë gjatë dekadës së fundit, shpenzime të cilat pothuajse janë 5-fishuar pasi, nga 34 milionë euro që ishin në vitin 2013, ato do të jenë 165 milionë euro në vitin 2026.
Kjo vëmendje e shtuar ndaj sektorit të bujqësisë, tha z. Malaj, do të vijojë edhe në periudhën afatmesme, pasi mbështetja ndaj bujqësisë nuk është vetëm ndaj një sektori prodhues, por është mbështetje e një prej motorëve të zhvillimit të qëndrueshëm, që lidh ekonominë, mjedisin dhe komunitetet lokale, në një vizion të përbashkët për rritje dhe mirëqenie.
Ministri i Financave informoi se projektbuxheti 2026 parashikon të alokojë rreth 16.3 miliardë lekë për sektorin e bujqësisë, ose rreth 1.3 miliardë lekë më shumë se sa buxheti i rishikuar për vitin 2025.
Një ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohet në sektorin e bujqësisë për vitin 2026, tha z. Malaj, është skema Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total 5.14 miliardë lekë, ose rreth 700 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin 2025, çka përbën dhe mbështetjen më të madhe të akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
“Kjo nuk është masa e vetme e natyrës financiare e ndërmarrë nga Qeveria për fermerët pasi, në projektbuxhetin 2026, parashikohet që fermerët të përfitojnë minimalisht rreth 1.5 miliardë lekë nga skema e kompensimit të TVSH. Gjithashtu, fermerëve do të vijojë t’ju ofrohet mundësia e përfitimit nga Garancisë Sovrane me një fond total prej 3 miliardë lekësh nëpërmjet kredive që do të jepen nga bankat e nivelit të dytë”, u shpreh z. Malaj.
Ministri informoi më tej se projektbuxheti 2026 synon fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë, në fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ndërkohë, lidhur me Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës dhe investimeve në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 2.6 miliardë lekë nga të cilat 1.15 miliardë janë fonde të dedikuara për bashkitë. Krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2025, tha Ministri, ky fond është rritur me rreth 700 milionë lekë.
Ministri Malaj u shpreh se angazhimin i qeverisë shqiptare nuk është afatshkurtër pasi, përmes politikave konkrete do të vijohet të synohet fuqizimi i prodhimit vendas, rritja e të ardhurave në zonat rurale dhe përshpejtimi i proceseve drejt tregjeve të Bashkimin Evropian.
Ministri nënvizoi faktin se edhe përmes Paketës Fiskale 2026, e cila do të diskutohet së shpejti në Kuvend, nuk parashikohet rritje të normave tatimore, por do të propozohen iniciativa ndihmues me fokus biznesin dhe fermerët.
Gjatë fjalës në komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Ministri Malaj theksoi faktin se projektbuxheti 2026 merr në konsideratë rritjen e mbështetjes financiare për të garantuar një menaxhim të qëndrueshëm dhe eficient të burimeve natyrore, zhvillimin e një infrastrukture moderne, për të rritur ndërlidhjes territoriale dhe përmirësuar shërbimet publike. Projektbuxheti, tha z. Malaj, mbështet tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe të qëndrueshme, duke nxitur përdorimin e energjive të rinovueshme, due rritur eficiencën energjetike dhe duke mbrojtur mjedisin.
Duke u ndalur te mbështetja konkrete ndaj sektorëve, Ministri informoi se për vitin 2026 shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë parashikohen në vlerën 78.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB-së, 3.1 miliardë lekë më shumë se sa viti 2025, ndërsa për sektorin e Mjedisit janë parashikuar rreth 3.2 miliardë lekë.