Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe në komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Aktin Normativ nr. 10, datë 8.10.2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025″”, të ndryshuar.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi se rishikimi i buxhetit të vitit 2025 u realizua në kushtet e nevojës dhe urgjencës, për të reflektuar ndryshimet si pasojë e riformatimit të Këshillit të Ministrave dhe ndryshimet në fushat e përgjegjësive të disa ministrive të linjës.
Akti Normativ, theksoi Ministri, ka një karakter tërësisht teknik dhe funksional me qëllim që, krahas materializimit të fushave të reja të përgjegjësisë funksionale, të bëhej i mundur edhe rivlerësimi i disa parametrave buxhetorë, si dhe harmonizimi i tyre sipas ecurisë së zbatimit.


“Ministria e Financave ndërmori një analizë të plotë të performancës 9-mujore të zbatimit të buxhetit dhe hartoi një skenar realist e të qëndrueshëm, me qëllim që të ruajmë ekuilibrat makroekonomikë dhe fiskalë, si dhe të krijojmë hapësira për reflektimin e disa nevojave shtesë shumë të rëndësishme”, u shpreh z. Malaj.
Ministri Malaj informoi se, nëpërmjet Aktit Normativ synohet:
Sigurimi i fondeve shtesë për bonusin e fundvitit për pensionistët, një politikë e qëndrueshme e qeverisë dhe që dëshmon konsolidimin e vijimësisë së mbështetjes së kësaj shtrese;
Rialokimi i kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-shtator 2025, drejt programeve dhe projekteve me performancë më të lartë;
Rishpërndarja e brendshme e fondeve, me efekt neutral në deficit, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.
 Fjala e Ministrit Petrit Malaj:
Vijmë sot në këtë Komision për të sjellë për diskutim dhe miratim Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.115/2024 ‘Për Buxhetin e vitit 2025, i ndryshuar”.
Këshilli i Ministrave, bazuar në nenit 101 të Kushtetutës, ka miratuar këtë Akt Normativ, në kushtet e nevojës dhe urgjencës.
Sikundër jeni në dijeni, mandati i qeverisë së re, dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, solli një riformatim të strukturës së Këshillit të Ministrave dhe si rrjedhim lindi nevoja e reflektimit të ndryshimeve për fushat e përgjegjësisë të disa ministrive të linjës, si ajo e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të Mjedisit, Ekonomisë e Inovacionit.
Ministria e Financave, e ndodhur në këto kushte, nisi punën për realizimin e rishikimit të menjëhershëm të buxhetit të vitit 2025, në mënyrë që fondet buxhetore të reflektonin organizimin e ri të qeverisë dhe të mundësohej një administrim sa më efikas i fondeve publike për pjesën e mbetur të vitit.
Që në krye të herës, më lejoni të theksoj se ky Akt Normativ ka një karakter tërësisht teknik dhe funksional me qëllim që, krahas materializimit të fushave të reja të përgjegjësisë funksionale, të bëhej i mundur edhe rivlerësimi i disa parametrave buxhetorë, si dhe harmonizimi i tyre sipas ecurisë së zbatimit.
Ministria e Financave ndërmori një analizë të plotë të performancës 9-mujore të zbatimit të buxhetit dhe hartoi një skenar realist e të qëndrueshëm, me qëllim që të ruajmë ekuilibrat makroekonomikë dhe fiskalë, si dhe të krijojmë hapësira për reflektimin e disa nevojave shtesë shumë të rëndësishme.
Nëpërmjet këtij Akti Normativ, ne synojmë, së pari:
Sigurimin e fondeve shtesë për bonusin e fundvitit për pensionistët, e cila është një politikë e qëndrueshme tashmë e kësaj qeverie dhe që dëshmon konsolidimin e vijimësisë së mbështetjes së kësaj shtrese vulnerabël;
Rialokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-shtator 2025, drejt programeve dhe projekteve me performancë më të lartë;
Si dhe një rishpërndarje të brendshme të fondeve, me efekt neutral në deficit, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.
Të nderuar Anëtarë,
Në vijmësi më lejoni të paraqesë një përmbledhje të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë, për të kuptuar më qartë edhe bazën nga e cila ne jemi nisur për të bërë ndryshimet e paraqitura.
Ekonomia shqiptare po ecën në një trajektore të rritjes së qëndrueshme. Në vitin 2024, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me rreth 4%, ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, rritja ishte 3.6% dhe deri në fund të vitit ne parashikojmë një rritje prej rreth 3.9 %.
Borxhi Publik në fund të vitit 2024 zbriti në nivelin 54.2% të PBB, duke regjistruar edhe nivelin më të ulët që prej vitit 2010, ndërkohë që balanca primare u mbyll pozitive në rreth 1.4% të PBB. Sipas vlerësimeve dhe parashikimeve tona më të fundit, borxhi pritet të jetë në nivelin prej rreth 54.1% ndaj Produktit të Brendshëm Bruto deri në fund të vitit 2025. Ky vlerësim paraprak reflekton të gjitha statistikat dhe projeksionet më të fundit të lëvizjeve të huamarrjeve neto të pritshme për këtë vit, të cilat janë përditësuar edhe nga momenti i dorëzimit të këtij Projektakti.
Huamarrja e brendshme vijon të mbetet e njëjtë si në planin fillestar të projektbuxhetit në nivelin prej 50 miliardë lekë. Zëri i financimit të huaj neto do të rritet me rreth 3.16 miliardë lekë, si efekt i ndryshimeve në elementët e ripagesave i cili ulet ndjeshëm dhe huamarrjes afatgjatë më të ulët se planifikimi fillestar.
shpenzimet e parashikuara për interesa, ne kemi krijuar një kursim në vlerën prej 6.93 miliardë lekë, ku rreth 4.62 miliardë lekë janë interesa nga borxhi i huaj dhe 2.31 miliardë lekë janë interesa të kursyer nga borxhi i brendshëm, kryesisht si rezultat i rënies së normave në krahasim me supozimet në fazën e planifikimit të tyre, si dhe pjesërisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit.
Ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit.
Nga ana tjetër, përesa i përket të Ardhurave të Përgjithshme, patën një ecuri të kënaqshme përgjatë periudhës Janar-Gusht 2025, ku më konkretisht:
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në masën 704 milionë lekë shumë se sa plani dhe nëse do të bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, pra për 8 mujorin e vitit 2024, kemi arkëtuar 267 milionë euro më shumë.
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore u realizuan në 4 miliardë lekë ose 40 milionë euro për më shumë se sa plani i 8 mujorit  dhe në qoftë se do të bëjmë një krahasim me 8 mujorin e vitit 2024  kemi realizuar rreth 132 milionë euro më shumë .
Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe nga kontributet u mblodhën në masën 449.7 miliardë lekë, duke e tejkaluar planin e periudhës me 47 milionë euro ose 1.1% më shumë se sa plani.
Si konkluzion mund të themi se, bazuar në ecurinë e periudhës 8-mujore dhe vlerësimin për pjesë e fundit të vitit 2025, trendi rritës i të ardhurave do të vazhdojë, kjo në përputhje edhe me angazhimet e marra në funksion të Stategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit për vitin 2025.
Janë pikërisht këta tregues që pasqyrojnë stabilitetin e financave publike dhe përforcojnë besueshmërinë ndaj politikave tona fiskale, që na lejojnë të bëjmë ndërhyrje të kujdesshme, por edhe me përgjegjësi për të optimizuar përdorimin e fondeve publike.
Ndaj, në këtë kontekst, ndryshimet që propozojmë në buxhet synojnë:
Rritjen e të ardhurave të përgjithshme me 12.1 miliardë lekë, bazuar në realizimet e deritanishme të tatimeve dhe sigurimet shoqërore.
Rritjen e shpenzimeve të përgjithshme me 5.7 miliardë lekë, për të akomoduar disa kërkesa prioritare, pa cënuar disiplinën fiskale.
Uljen e deficitit buxhetor në 61.6 miliardë lekë ose 2.4% të PBB nga 2.6% që ishte parashikuar në fillim të vitit 2025. Më duhet të theksoj se kjo ulje e deficitit buxhetor është realizuar tërësisht nga kursimet me interesat që kemi pasur në borxh.
Sa i takon specifikisht parametrave të tjerë të Borxhit Publik, ky akt nuk sjell asnjë ndryshim të tyre, përkundrazi kemi forcim të qëndrueshmërisë fiskale dhe vijim të konsolidimit buxhetor.
Në kahun e shpenzimeve korente, dëshiroj të nënvizoj disa alokime me rëndësi:
Skema e pensioneve do të përfitojë rreth 7.6 miliardë lekë shtesë, nga këto 1.7 miliardë shkojnë në llogarinë sociale të pensioneve  dhe 5.9 miliardë lekë rrisin fondin e dedikuar për bonusin e fundvitit, për rreth 756 mijë pensionistë. Kjo shtesë e cila buron thuajse tërësisht nga rritja e kontributeve të skemës  e çon në 9.7 miliardë lekë nivelin e fondeve në dispozicion për bonusin e fundvitit, ose e thënë ndryshe 97 milionë euro.
AKSHI mbështetet me 1.2 miliardë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve dixhitale dhe integrimin e platformave të inteligjencës artificiale.
Ministria e Mbrojtjes do të  rishpërndajë rreth 1.5 milliardë lekë për nevoja personeli dhe operacionale të tjera, në mbështetje të Forcave të Armatosura.
Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Gjendja Civile, do të përfitojnë rreth 650 milionë lekë shtesë nëpërmjet këtij AN, kryesisht për mbulimin e orëve jashtë orarit në kuadër dhe të të organizimit të forcave policore përgjatë sezonit turisik, krahas edhe nevojave të tjera  që ata kanë në aspektin operativ dhe të sigurisë.
Ministria e Arsimit përfiton 329 milionë lekë shtesë për pagat e mësuesve dhe për financimin e teksteve falas.
Sa i takon shpenzimeve kapitale, prioritet i është dhënë sektorëve strategjikë, si: infrastruktura, energjia, teknologjia dhe fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin e vendit.
Gjithashtu, në këtë akt është materializuar edhe rishpërndarja e fondeve nga projektet me performancë më të ngadaltë drejt atyre me performancë më të shpejtë, si dhe drejt atyre me ndikim më të ndjeshëm zhvillimor në aspektin ekonomik.
Më lejoni të theksoj disa nga shpenzimet kapitale:
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është financuar me rreth 6 miliardë lekë shtesë, nga të cilat:
2.4 miliardë lekë për transportin rrugor;
3 miliardë lekë për programin e transportit ajror për mbështetjen e Albcontrol, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive bankare
AKSHI është financuar me rreth 1.6 miliardë lekë shtesë për zhvillimin e sistemeve kompjuterike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike, në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe kompaninë Oracle.
Ministrisë së Punëve të Brendshme i alokohen 468 milionë lekë, kryesisht për nevojat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës;
Ministrisë së Drejtësisë i shtohen rreth 400 milionë lekë për projektin e godinës së Institutit të të Miturve.
Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i alokohen 300 milionë lekë për avancimin e projekteve të ujitjes dhe kullimit për bashkitë.
Sa i takon buxhetit të njësive të qeverisjes vendore, ky akt sjell disa ndryshime dhe më konkretisht:
200 milionë lekë shtesë në taksat e ndara që i transferohen buxhetit vendor, si rrjedhojë e realizimit të lartë të Tatimit mbi të Ardhurat Personale.
154.6 milionë lekë shtesë për shpërblimet e punonjësve të zjarrfikëses në 16 bashki të prekura rëndë nga zjarret verore ku 16 bashkive në të cilat ka patur intensitet të lartë dhe kohëzgjatje të zjarreve, iu akordohen fonde për dy paga shpërblim dhe bashkive te tjera iu akordohen fonde për një pagë shpërblim për punonjësit e mbrojtjes nga zjarri.
Të nderuar Anëtarë,
Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj të theksoj se ky Akt Normativ nuk është thjesht një instrument teknik i menaxhimit buxhetor, por një akt përgjegjshmërie politike dhe i qeverisjes që ruan ekuilibrat fiskalë, forcon konsolidimin buxhetor dhe garanton stabilitetin makroekonomik të vendit.
Me karakter të përkohshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin Organik të Buxhetit, Akti është një masë e domosdoshme për të siguruar funksionimin e pandërprerë të institucioneve, vijimin e projekteve zhvillimore, si dhe përmbushjen e angazhimeve sociale që kemi ndaj qytetarëve.