Ministry of Finance

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër – Hua e dytë për politikat e zhvillimit””.
Në fjalën e prezantimit të projektligjit, Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, tha se përmes këtij akti mundësohet financimi nëpërmjet një kredie nga Banka Botërore, në formën e mbështetjes buxhetore, në shumën 113.6 milionë euro.
Ministri Malaj u shpreh se kjo mbështetje buxhetore përfaqëson një instrument të drejtpërdrejtë për të forcuar financat publike dhe për të mbështetur reformat strukturore të qeverisë në disa fusha kyçe të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.  Po ashtu, z. Malaj tha se mbështetja vjen si një njohje e përparimit të Shqipërisë, për një sërë reformash ligjore dhe institucionale që po ndërmerren, të cilat synojnë të forcojnë:  Qëndrueshmërinë e sistemit tatimor; Zhvillimin e energjive të rinovueshme; dhe Mbrojtjen e mjedisit dhe ekonominë e gjelbër;
Në këtë kuadër, Ministri theksoi se kredia nuk përfaqëson vetëm një mbështetje financiare, por edhe një angazhim të përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në zbatimin e politikave që kontribuojnë në afrimin e vendin me standardet e Bashkimit Europian, si dhe e bëjnë ekonominë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më miqësore me mjedisin.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj:
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar Deputetë,
Të dashur qytetarë,
Projektligji që sjellim sot për para jush për diskutim dhe miratim synon ratifikimin e Marrëveshjes së Huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e programit “Aftësia Ripërtëritëse dhe Zhvillimi i Gjelbër”, që mundëson financimin nëpërmjet një kredie në formën e mbështetjes buxhetore nga Banka Botërore në shumën 113.6 milionë euro.
Kjo hua e butë, që do të disbursohet në formën e mbështetjes buxhetore, përfaqëson një instrument të drejtpërdrejtë për të forcuar financat publike dhe për të mbështetur reformat strukturore të qeverisë në disa fusha kyçe të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Ajo gjithashtu vjen si një njohje e
përparimit të Shqipërisë, për një sërë reformash ligjore dhe institucionale që po ndërmarrim, që synojnë të forcojnë:
Qëndrueshmërinë e sistemit tatimor;
Zhvillimin e energjive të rinovueshme;
Mbrojtjen e mjedisit dhe ekonominë e gjelbër;
Në këtë mënyrë, kjo kredia nuk përfaqëson vetëm një mbështetje financiare, por edhe një angazhim të përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në zbatimin e politikave që kontribuojnë në afrimin e vendin me standardet e Bashkimit Europian, si dhe e bëjnë ekonominë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më miqësore me mjedisin.
Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian. Me përparimin e negociatave për kapitujt e anëtarësimit, ne nuk po përafrojmë vetëm legjislacionin, por edhe modelin e zhvillimit të vendit me atë të Bashkimit Europian.
Një nga dimensionet themelore të këtij procesi është zhvillimi me aftësi ripërtëritëse dhe të gjelbër, që nënkupton forcimin e institucioneve, stabilitetin fiskal dhe kalimin drejt një ekonomie që mbron mjedisin, rrit eficiencën energjetike dhe investon në burime të pastra.
Në këtë kontekst, ky projektligj është një kontribut konkret për afrimin me politikat e BE-së për klimën, energjinë dhe qeverisjen ekonomike.
Objektivi i këtij programi është të mbështesë përpjekjet e Qeverisë për:
Ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, të politikave fiskale të qëndrueshme dhe menaxhimin efikas përballë rreziqeve natyrore e atyre me natyrë globale;
Forcimin e aftësisë ripërtëritëse të familjeve për zbutjen e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së investimeve publike nga ndryshimet klimaterike.
Zhvillimin e tregut të energjisë, rritjen e peshës së energjisë së rinovueshme, si dhe eficiencën e përdorimit të energjisë në sektorin publik.
Mbrojtjen e mjedisit, përmes mbështetjes me legjislacionin e ri për të minimizuar ndotjen e mjedisit, si dhe rregulloret për të vendosur një mekanizëm monitorimi, raportimi dhe verifikimi për gazrat serrë.
Të gjitha këto objektiva po përmbushen nëpërmjet një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria, si:
Miratimi i akteve nënligjore në zbatim të ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, me qëllim zgjerimin e bazës tatimore;
Rritjen e monitorimit të rreziqeve të mundshme fiskale të natyrës jofinanciare të subjekteve me interes publik, nëpërmjet miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për auditimin ligjor” për të prezantuar garantimin e qëndrueshmërisë, duke përfshirë ndër të tjera, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e auditimit;
Përafrimin e politikave buxhetore me synimet për ndryshimet klimatike, duke përfshirë në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA) treguesit e performancës lidhur me klimën;
Përmirësimin e standardeve dhe kapaciteteve administrative të shërbimeve ekzistuese të kujdesit social, duke vendosur mekanizma për krijimin dhe funksionimin e Fondit Social në nivel bashkie dhe njësish të qeverisjes vendore;
Zgjerimin dhe diversifikimin e furnizimit me energji të rinovueshme, në kuadër të forcimit të tregut të energjisë nëpërmjet ALPEX-it, përshkallëzimin e energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së energjisë, nxitjen e përdorimit të burimeve të pastra, rritjen e investimeve private në energjinë diellore e me erë, përmirësimin e kuadrit për vetëprodhuesit dhe zbatimin e standardeve në prokurimet publike;
Mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e gjurmës së karbonit nëpërmjet miratimit të akteve nënligjore “Për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”, ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” duke paraqitur rritje me faza të tatimit të karbonit për qymyrin dhe krijimin e sistemit të kuotave, licencimit e certifikimit për gazrat e fluorifikuar.
Në këtë kuadër, projektligji që paraqesim sot, tregon qartë vullnetin e Qeverisë për përmbushjen e të gjitha masave reformuese të dakordësuara me Bankën Botërore, të fokusuara tek ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore të miratuara tashmë.
Sikurse e përmenda edhe në fillim të fjalës, por dëshiroj ta ritheksoj, kjo kredi vjen në formën e mbështetjes buxhetore, pra do të disbursohet për financimin e përgjithshëm të buxhetit të shtetit dhe deficitit të përgjithshëm të tij. Sigurisht, kjo kredi, ashtu si dhe kreditë e mëparshme të përftuara prej këtij partneri ndërkombëtar (Banka Botërore) është një kredi “e butë”, me terma financiarë të favorshëm dhe është e parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2025.
Sa i takon termave financiare, kredia do të ketë një maturim prej 17 vitesh, duke përfshirë një periudhë pa pagesë principali prej 5 vitesh dhe me një interes të përcaktueshëm mbi bazën e tregut në momentin e disbursimit, bazuar në normën reference euribor + marzhi i variabël1.  (1.Norma e interesit në kushtet aktuale vlerësohet rreth 2.099% + 0.78% = 2.879% (euribor 6 mujor+marzh 0.78%)).
Të nderuar deputetë,
Në kuadër të mirëmenaxhimit të borxhit publik, financimi nga partnerët për zhvillim, si: Banka Botërore, BERZH-i, CEB-i, BEI, KfW, AFD, apo edhe kreditorë të tjerë, vijon të mbeten një burim domethënës, si për realizimin e projekteve
të investimit të rëndësishme për vendin, por edhe për mbështetjen buxhetore, në kuadër të masave reformuese të ndërmarra nga Qeveria.
Për Ministrinë e Financave, këta partnerë mbeten të rëndësishëm, si nga pikëpamja e sigurimit të huave me terma më të favorshme se ato tregtare, ashtu edhe për asistencën e vlefshme, që ofrojnë në zbatimin e projekteve me ndikim ekonnomik dhe social në zhvillimin e vendit.
Në përfundim të fjalës sime dëshiroj t’ju ftoj që ta miratojmë këtë projekligj.
Faleminderit!