Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi një takim me Drejtoren e Përgjithshme të Komanduar të Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit/OLAF, znj. Salla Saastamoinen, në kuadër të Seminarit AFCOS 2025, i cili këtë vit organizohet në Tiranë.
Gjatë këtij takimi, z. Malaj shprehu angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare, në kuadër edhe të zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Mashtrimit 2025-2030, si dhe të masave që po ndërmerren për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe që ka në fokus qasjen, që Shqipëria ka për sigurimin e administrimit efektiv të fondeve të BE-së gjatë periudhës së paraanëtarësimit.
Strategjia është në përputhje me direktivat e BE-së dhe me objektivat kombëtare, gjë e cila krijon bazat në luftën kundër parregullsive dhe mashtrimeve.
Nga ana e saj, znj. Saastamoinen vlerësoi bashkëpunimin me Shërbimin e Koordinimit Kundër Mashtrimit/ AFCOS që  vepron si pika kryesore e kontaktit e Shqipërisë me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit, OLAF, si dhe progresin e bërë në zbatimin e praktikave më të mira europiane kundër mashtrimit financiar.


Gjatë fjalës së mbajtur në Seminarin AFCOS 2025, Ministri Malaj theksoi faktin se ky takim zhvillohet në një moment kur Shqipëria ka vendosur një themel të qëndrueshëm ligjor, institucional dhe procedurial në dobi të mbrojtjes së interesave financiare të taksapaguesve europianë dhe Bashkimit Evropian në tërësi.
Një nga sfidat për të cilat po kërkohet edhe rritja e bashkëpunimit mbetet forcimi i kapaciteteve analitike, digjitalizimi i mëtejshëm i sistemeve të menaxhimit të rrezikut, si dhe aftësimi i mëtejshëm i strukturave në nivel vendor dhe institucional.