Ministry of Finance

Ministria e Financave ka publikuar në Regjistrin për Konsultim Publik projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025–2029”, një dokument strategjik që përcakton drejtimet kryesore për menaxhimin e borxhit shtetëror dhe financimin e deficitit buxhetor gjatë periudhës 2025–2029.
Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2025-2029 synon të sigurojë një menaxhim të qëndrueshëm të borxhit, duke vendosur objektiva të qarta dhe të matshme për përmbushjen e nevojave për financim në periudhën afatmesme, optimizimin e kostove të shërbimit të borxhit, reduktimin e ekspozimit ndaj risqeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të titujve shtetërorë. Dokumenti gjithashtu synon të rrisë transparencën dhe parashikueshmërinë për investitorët dhe palët e interesuara.
Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2025-2029 është një plan afatmesëm, të cilin Ministria e Financave synon ta implementojë në përputhje me objektivat e përgjithshme të menaxhimit të borxhit të specifikuara në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si edhe në përputhje me Kuadrin Makro-Fiskal dhe Politikat Monetare që do të ndjekë Banka e Shqipërisë në të njëjtën periudhë. Ajo përfaqëson një vazhdimësi të Strategjisë aktuale në fuqi 2022–2026, por me tregues të përditësuar për të reflektuar zhvillimet e fundit në tregun vendas dhe atë të huaj. Dokumenti parashikon përmirësimin e indikatorëve të riskut, sidomos në portofolin e borxhit të brendshëm, si dhe mbajtjen nën kontroll të ekspozimit ndaj riskut të kursit të këmbimit.
Një nga risitë kryesore të kësaj strategjie është prezantimi për herë të parë i Obligacioneve për Individë, të cilat do të krijojnë mundësi të reja investimi për qytetarët, do të diversifikojnë bazën e investitorëve dhe do të kontribuojnë në nxitjen e kulturës së kursimeve.
Ky dokument është hartuar duke u bazuar në praktikat dhe modelet më të mira të zhvilluara nga partnerët ndërkombëtarë dhe duke reflektuar rekomandimet e tyre në drejtim të një menaxhimi sa më efektiv dhe të kujdesshëm të borxhit.
Projektvendimi “Për miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025-2029” do të qëndrojë i hapur për një periudhë prej një muaji në Regjistrin e Konsultimit Publik, duke ftuar publikun e gjerë të japë komente dhe sugjerime.
Projektvendimi mund ta aksesohet lehtësisht në linkun:

https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/876