Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë Aktin Normativ nr. 6, datë 11.06.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 115/2024 ‘Për buxhetin e vitit 2025’, i ndryshuar”.
Në hyrje të fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se hartimi i Aktit Normativ erdhi si rezultat i një analize gjithëpërfshirëse të Ministrisë së Financave mbi ecurinë pesëmujore të të ardhurave dhe shpenzimeve, e cila evidentoi nevojën për ndërhyrje në strukturën e buxhetit, për ta përputhur atë sa më mirë me progresin e projekteve në terren dhe për të siguruar alokimin më eficient të burimeve drejt prioriteteve që kanë demonstruar performancë më pozitive.
Rishikimi i ligjit për Buxhetin përmes Aktit Normativ, tha z. Malaj, përshpejton rialokimin e fondeve drejt projekteve më strategjike dhe garanton respektimin e angazhimeve për disiplinën fiskale e buxhetore.
“Ndryshimet e paraqitura përmes këtij Akti Normativ forcojnë më tej angazhimin tonë për menaxhim të përgjegjshëm e transparent të financave publike. Ato sigurojnë, jo vetëm vijimin e trajektores rënëse të borxhit publik në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin fiskal të parashikuar në ligjin organik të buxhetit, por edhe konsolidimin e themeleve për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës”, u shpreh Ministri.
Në terma konkretë, totali i të ardhurave, totali i shpenzimeve, deficiti buxhetor dhe niveli i borxhit publik mbeten plotësisht të pandryshuara, duke siguruar vazhdimësinë e qëndrueshmërisë fiskale dhe përmbushjen e angazhimeve për një menaxhim më transparent, efikas dhe të përgjegjshëm të financave publike.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

E nderuar kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Vij sot për para jush për të paraqitur për diskutim dhe miratim, Aktin Normativ nr. 6, datë 11.06.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 115/2024 ‘Për buxhetin e vitit 2025, i ndryshuar’”, të cilin më herët e kemi diskutuar edhe në Komisionet e posaçme parlamentare.
Ky Akt Normativ reflekton përgjegjësinë e Qeverisë për adaptimin e buxhetit vjetor kundrejt  dinamikave të zhvillimeve ekonomike, nevojave të realizimit të projekteve prioritare, si dhe garantimit të efektivitetit sa më të lartë në përdorimin e fondeve publike.
Hartimi i tij erdhi si rezultat i një analize gjithëpërfshirëse nga Ministria e Financave mbi ecurinë pesëmujore të të ardhurave dhe shpenzimeve, e cila evidentoi nevojën për ndërhyrje në strukturën e buxhetit, për ta përputhur atë sa më mirë me progresin e projekteve në terren dhe për të siguruar alokimin më eficient të burimeve drejt atyre prioriteteve që kanë demonstruar performancë më pozitive.
Sikundër diktojnë edhe praktikat ligjore e kushtetuese të konsoliduara tashmë, rishikimi i Ligjit për Buxhetin përmes Aktit Normativ përbën instrumentin më të përshtatshëm për adaptimin e tij në kohë, duke mundësuar që ndryshimet e nevojshme të përkthehen menjëherë në efekte konkrete, pa vonesat procedurale për miratimin e një projektligji të zakonshëm. Ky mekanizëm, përveçse përshpejton rialokimin e fondeve drejt projekteve më strategjike, garanton edhe respektimin e angazhimeve për disiplinën fiskale e buxhetore.
Është me rëndësi të theksohet se ndryshimet e propozuara përfaqësojnë vetëm rialokime të brendshme në strukturën e shpenzimeve buxhetore, pa prekur treguesit thelbësorë makrofiskalë.
Në terma konkretë, totali i të ardhurave, totali i shpenzimeve, deficiti buxhetor dhe niveli i borxhit publik mbeten plotësisht të pandryshuara, duke siguruar vazhdimësinë e qëndrueshmërisë fiskale dhe përmbushjen e angazhimeve tona për një menaxhim më transparent, efikas dhe të përgjegjshëm të financave publike.
Të nderuar deputetë,
Përpara sesa të vijoj me elementët kryesorë të këtij Akti Normativ, më lejoni të paraqës shkurtimisht ecurinë e treguesve fiskalë për periudhën Janar – Maj 2025.
Të ardhurat totale, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 305.92 miliardë lekë, me një realizim në masën 100.2 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 18.7 miliardë lekë ( 187 mln euro) ose 6.5 % më shumë. Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 5- mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 40.4% të planit vjetor.
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar – Maj 2025,  janë në shumën 203.4 miliardë lekë ose 1.7 miliardë lekë më shumë se plani për periudhën Janar – Maj 2025. Krahasuar me Janar – Majin e vitit 2024, janë mbledhur 19.8 miliardë lekë ( 198 mln euro) ose 10.8% më shumë.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në vlerën 92.7 miliardë lekë ose 3 miliardë lekë (3.3%) më shumë se Janar – Maji i vitit 2024.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në shumën 110.8 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë më shumë se Janar – Maji 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 5.3 miliardë lekë (53 milionë euro) ose 5% më shumë.
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në shumën 73.5 miliardë lekë ose 8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe me realizim prej 104.5% të planit të periudhës.
Sa i takon shpenzimeve të përgjithshme publike, për periudhën 5-mujore të vitit 2025, arritën në rreth 267.1 miliardë lekë me një realizim në masën 96.0% e planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12.8% më i lartë ose rreth 30.2 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 243.5 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.9% të planit të periudhës, Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë rezultoi 12.7% më i lartë ose rreth 27.4 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet kapitale, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 22.8 miliardë lekë apo 83.7% e planit të përiudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 9.7% më i lartë ose rreth 2 miliardë lekë më shumë.
Niveli i suficitit, në periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultoi në masën 39.1 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit ka rezultuar rreth 22.4% më i ulët ose 11.2 miliardë lekë më pak (ose 110 mln euro).
Sa i takon ecurisë së ekonomisë shqiptare për vitin 2025, parashikimet tona flasin për një ritëm të qëndrueshëm rritjeje prej 3.9%. Ky trend pozitiv mbështetet nga disa shtylla kyçe:

  • Forcimi i konsumit familjar.
  • Dinamika e qëndrueshme e investimeve publike dhe private;
  • si dhe performanca e jashtëzakonshme e sektorit të turizmit, i cili vazhdon të luajë një rol strategjik në gjenerimin e vlerës dhe fuqizimin e treguesve makroekonomikë.

Edhe për periudhën afatmesme, projeksionet mbeten optimiste, duke parashikuar një normë rritjeje prej rreth 4%. Ky nivel rritjeje reflekton jo vetëm qëndrueshmërinë e strukturës sonë ekonomike, por edhe përmirësimin e klimës për biznesin dhe tërheqjen e investimeve të huaja, përfshirë ato që vijnë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky Plan përfaqëson një mundësi strategjike për vendin tonë, duke garantuar jo vetëm mbështetje financiare, por edhe përshpejtimin e integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Në këtë kontekst, programi ambicioz i investimeve publike, përveçse siguron përmirësimin e infrastrukturës kyçe, ka edhe efekt në përmirësimin e konkurrueshmërisë, rritjen e eksporteve dhe fuqizimin e kapaciteteve prodhuese vendase. Ky program do t’i japë hov përshpejtimit të zhvillimit të sektorëve strategjikë, përfshirë energjinë e rinovueshme, turizmin dhe teknologjinë, duke kontribuar drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e rritjes.
Këto parashikime pozitive duhen parë edhe në dritën e zhvillimeve gjeopolitike rajonale e globale.
Shqipëria, pavarësisht sfidave gjeopolitike apo faktorëve të jashtëm ka treguar qëndrueshmëri dhe adaptim përballë goditjeve. Angazhimi i shtuar për përshpejtimin e procesit të integrimit, përfshirë këtu edhe mekanizmat e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përfaqësonë jo vetëm një garanci për qëndrueshmëri politike e ekonomike, por edhe një mundësi për forcimin e bashkëpunimit në nivel rajonal.
Në një kohë kur mjedisi global karakterizohet nga luhatje e tregjeve, tensionet tregtare dhe apo sfidat në zinxhirët e furnizimit, politikat e qëndrueshme fiskale, politikat e kujdesshme monetare dhe orientimi strategjik drejt investimeve me vlerë të lartë, janë elementët kyç për garantimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe ruajtjen e ritmeve pozitive të rritjes.
Të nderuar deputetë,
Në tërësi, rishikimi i buxhetit 2025 parashikon një volum të përgjithshëm të fondeve që alokohen apo rialokohen në masën prej rreth 11.8 miliardë lekë.
Në mënyrë më të detajuar mund të përmend :

  • Rialokim të kursimeve të evidentuara gjatë 5-mujorit të vitit 2025 në masën 5.9 miliardë lekë nga shpenzimet korente e kapitale, si dhe nga akomodimi i një sërë kërkesave shtesë prioritare, në të njëjtën vlerë. Këto prioritete sigurojnë forcimin e kapaciteteve shtetërore në përballimin e kërcënimeve digjitale në rritje, dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.
  • Reflektimin e disa sistemimeve dhe rishpërndarjeve të brendshme të fondeve mes programeve dhe llogarive ekonomike, me efekt neutral buxhetor, ku vendin kryesor e zënë projektet IT të programuara në buxhetet e institucioneve që transferohen tek AKSH-i. Kjo, në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të performancës së sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike, me synim qendërzimin e fondeve për të mundësuar koordinim më të mirë, shmangien e fragmentimit dhe sigurimin e standardeve të unifikuara gjatë zbatimit të tyre.

Nga kursimet e realizuara kemi alokuar shtesë:

  • Rreth 3.3 miliardë lekë për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për produkte e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale.
  • Kemi alokuar rreth 1.5 miliardë lekë shtesë për projekte të reja inffrastrukturore për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
  • Gjithashtu për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë parashikuar rreth 318 milionë lekë shtesë për projektet e ekipeve sportive në shkolla.
  • Ministria e Drejtësisë do të ketë rreth 142 milionë lekë shtesë për detyrimin që ka pasur për rikonstruksionin e godinës së Institutit të Mjekësisë Ligjore.
  • Si dhe kemi akorduar fonde shtesë, rreth 64 milionë lekë të Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për blerjen e disa pajisjeve mjekësore, kryesisht skanera për strukturat universitare spitalore.

Nëpërmjet këtij Akti Normativ:
Kemi miratuar një skeme të re Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, për një vlerë 3 miliardë lekë. Nga analiza fiskale rezulton se kjo politikë respekton kufizimet e rregullave fiskale në fuqi, pa cënuar nivelin e borxhit publik. Në hapësirën ekzistuese të borxhit publik është akomoduar vlera e kësaj garancie prej 3 miliardë lekë, e cila plotëson kërkesën për mbështetje të sektorit të bujqësisë.
Kjo skemë garancie synon të adresojë problematikën e mungesës së kolateralit, e cila kufizon ndjeshëm aksesin në financimin e sektorit të bujqësisë, si dhe do të mbështesë financimin me kosto të ulët.
Elementët kryesorë të Garancisë Sovrane janë:

  • Garantimi i kredisë deri në vlerën 70%, duke mundësuar kreditimin e fermërëve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në sektorin e bujqësisë.
  • Kredi të buta për fermëret dhe ndërmarrjet e të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë , ku norma e interesit kufizohet në një tavan prej 2% në rrethanat e kombinimit të Garancisë Sovrane me produktin e Bankës Qendrore.
  • Kjo Garanci Sovrane do të mund të përdoret vetëm për investime me fokus rritjen e kapacitetit prodhuese në agropërpunim, modernizimin e mekanikës bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera etj..

Për rrjedhojë, reflektimi i ndryshimeve të sipërcituara, siguron:

  • Ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor.
  • Ruajtjen e pandryshuar të niveleve të planifikuara të të ardhurave të përgjithshme.
  • Moscënimin e parametrave të qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe kufijve të tij të miratuar në buxhetin 2025.

Në përfundim të fjalës sime më lejoni të theksoj se ndryshimet e paraqitura përmes këtij Akti Normativ forcojnë më tej angazhimin tonë për menaxhim të përgjegjshëm e transparent të financave publike. Ato sigurojnë, jo vetëm vijimin e trajektores rënëse të borxhit publik në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin fiskal të parashikuar në Ligjin Organik të Buxhetit, por edhe konsolidimin e themeleve për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës. Ky hap i rëndësishëm garanton që politikat tona fiskale të mbeten në shërbim të interesit publik, duke mundësuar një ekonomi më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më pranë standardeve evropiane.
Për të gjitha sa më sipër ju ftoj ta miratoni këtë projektligj!
Ju faleminderit!