Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë mbi masat e eliminimit të tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit në Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Podgoricë të Malit të Zi.
Në këtë takim merrnin pjesë Ministrat e Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi; Zv.Ministri i Financave të Bosnjë Hercegovinës; Kryeministri i Malit të Zi; përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë; si dhe përfaqësues nga Banka Botërore, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Organizata Botërore e Doganave.
Diskutimet e pjesëmarrësve kishin në fokus angazhimin politik për eliminimin e evazionit tatimor dhe tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj vlerësoi organizimin e takimit dhe vuri theksin në nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe organizatave ndërkombëtare për të ndaluar fenomenin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, si një problematikë që dëmton jo vetëm ekonominë përmes humbjeve fiskale, por që krijon edhe rreziqe për shëndetin publik.
“Në Ballkanin Perëndimor, shtete si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina përballen me sfida të ngjashme në lidhje me tregtinë e paligjshme të duhanit dhe ndikimin e rritjes së akcizës. Bashkëpunimi me këto vende është i rëndësishëm për të forcuar kapacitetet e mbikëqyrjes dhe për të siguruar një treg më transparent. Politikat e harmonizuara dhe kontrollet e përbashkëta me institucione brenda vendit por edhe me partnerët kanë treguar se një qasje e koordinuar rajonale mund të ndihmojë në reduktimin e informalitetit dhe përmirësimin e të ardhurave fiskale”, u shpreh z. Malaj.

Ministri tha se autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, kanë intensifikuar kontrollet kufitare, operacionet kundër rrjeteve të kontrabandës dhe reformat në legjislacion për të ashpërsuar ndëshkimet ndaj trafikantëve. E megjithatë, sipas Ministrit, për të qenë më efektive, lufta kundër kontrabandës së duhanit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin përmirësimin e alternativave ekonomike për ata që përfshihen në këtë aktivitet të paligjshëm dhe zbatimin e rreptë të ligjit ndaj organizatorëve kryesorë të kontrabandës.
Ministri i Financave renditi disa prej masave konkrete që Shqipëria ka ndërmarrë në luftën kundër kontrabandës së duhanit, të cilat përfshijnë disa aspekte kryesore, si: Fuqizimi i kontrolleve doganore dhe kufitare; Ashpërsimi i legjislacionit dhe ndëshkimeve; Bashkëpunimi ndërkombëtar, ku Shqipëria ka forcuar bashkëpunimin me vendet e rajonit, BE-në dhe organizata si Interpol, Europol dhe SELEC; Ndërgjegjësimi dhe edukimi i qytetarëve.
Në një kohë që sfidat mbeten të mëdha, Ministri theksoi se suksesi i këtyre masave varet nga zbatimi i tyre i rreptë dhe një luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit që mund të lehtësojë këtë fenomen.
Ndërsa vuri në dukje faktin se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të akcizës, përafrimin me kërkesat evropiane dhe përmirësimin e masave për të luftuar aktivitetet e paligjshme në tregun e duhanit, Ministri tha se për adresimin e sfidave kërkohet përmirësim i politikave, forcim të mekanizmave të zbatimit dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve.

“Përmes një qasjeje të integruar ndërinstitucionale, që përfshin administratën tatimore, doganat, institucionet e shëndetit publik dhe forcat e policisë së shtetit, synojmë të krijojmë një mjedis të ekuilibruar dhe që garanton stabilitet tregtar të ndershëm dhe të sigurt”, u shpreh z. Malaj, ndërsa shtoi se qeveria shqiptare, me miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit 2024–2027 si edhe sipas Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2025–2027, ka planifikuar masa për rritjen graduale të akcizës mbi produktet e duhanit dhe nënprodukteve e tij, me qëllim përafrimin me nivelet sipas Direktivës së BE-së 2011/64.
Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Malaj shprehu gatishmërinë për të forcuar partneritetin me vendet e rajonit dhe për të gjetur mënyra të reja për intensifikuar bashkëpunimin, duke përdorur teknologji më të avancuara, duke shkëmbyer më shumë informacion dhe duke përmirësuar kapacitetet për trajnime dhe analiza.