Z. Elton Haxhi ka lindur në 21 qershor 1972 në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës në 1995, dega Financë Kontabilitet, dhe ka diplomë të avancuar për kontabilitet dhe biznes nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar (ACCA) në Angli. Aktualisht mban titullin profesional Auditues Ligjor, dhënë nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) në vitin 2000.
Z. Haxhi ka një eksperiencë profesionale mbi 24 vjeçare në fushat e auditimit, raportimit financiar, taksave, dhe drejtimit financiar. Z. Haxhi ka qenë i angazhuar në pozicione drejtuese për më shumë se 7 vjet me Ernst&Young Albania dhe KPMG Rusi. Përpara emërimit si zëvendësministër, ai ka qënë drejtuesi kryesor i shoqërisë së auditimit Baker Tilly Albania (ndër 10 kompanitë e auditimit më të mëdha në botë). Ndër të tjera, ka qënë ekspert kryesor në disa projekte asistence, si ai i Bankës Botërore në fushën e përmirësimit të raportimit financiar (EQ-FINREP) si edhe ekspert kombëtar financiar i projektit UNDP-STAR 1 që ka asistuar gjatë reformës administrative-territoriale për bashkimin dhe rritje kapacitetesh të Njësive të Qeverisjes Vendore (2014-2016).
Në tetor 2017 është emëruar Zëvendësministër i Financave dhe Ekonomise, përgjegjës për sektorin e të ardhurave fiskale, kontabilitetin, auditimin, kontrollin financiar, etj. Ai është gjithashtu drejtues i procesit të “screening” për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për kapitujt që lidhen me tatimet, doganat, ligjin e shoqërive tregtare, kontabilitetin, auditimin dhe kontrollin financiar.
Ai kryeson dy këshilla mbikqyrës, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe AgroKredit Sh.A. (institucion mikro-kredi). Ai gjithashtu ka qënë një nga anëtarët e Bordit të Mbikqyrjes Publike të Ekspertëve Kontabël të Regjistruar dhe Kontabilistëve të Miratuar në Shqipëri (2010-2014), dhe që nga vitit 2018 kryeson Këshillin Kombëtar Tatimor.