Postuar më: 01/03/2016

Ekonomia shqiptare po shpërblehet për reformat e ndërmarra në dy vjet!

Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj priti sot në një takim Zv. Presidentin e Bankës Botërore për Europën Qendrore dhe Azinë, z. Cyril Myller, në vizitën e tij të parë në Shqipëri në këtë funksion. Z. Myller shoqërohej edhe nga Drejtoresha rajonale për Europën Juglindore Ellen Goldstein dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed.

Takimi u fokusua tek perspektivat ekonomike të Shqipërisë, një vend në të cilin Banka Botërore, sikurse u shpreh z. Myller, ka pasur një program tejet aktiv, modelin e ri të rritjes ekonomike, rritjen e konkurrueshmërisë së vendit dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me Bankën Botërore.

Ministri Ahmetaj bëri nje prezantim të performancës ekonomike në vend, rolin e Ministrisë së Financave dhe forcimin e kapaciteteve të saj dhe për prioritetet për periudhën në vijim.

“Ministria e Financave do të ketë një rol tejet aktiv në mbështetjen dhe avancimin e projekteve. Të gjitha funksionet e lidhura me menaxhimin e financave publike do të konsolidohen në këtë Ministri, sic janë planifikimi dhe monitorimi i investimeve publike apo koordinimi i planit të veprimit për uljen e nivelit të kredive të këqija. Objektivat e Ministrisë nuk do të ndryshojnë, por roli dhe kapacitetet e saj do të forcohen më tej – u shpreh Ministri Ahmetaj.

Duke bërë një prezantim të përgjithshëm të performancës ekonomike, Ministri Ahmetaj u shpreh se  rritja ekonomike në vitin 2015 pritet të konfirmohet në 2.75%. Për vitin 2016, të gjithë treguesit mbështesin një rritje në nivelin 3.4%. Ka pasur një performancë të mirë të sektorëve, si turizmi apo  bujqësia. Eksportet definitive, nëse heqim impaktin e rënies së çmimeve të mineraleve dhe lëndëve djegëse, janë rritur me 8%, të ndihmuara nga manifaktura, industria e lehtë dhe bujqësia. Modeli i ri i rritjes ekonomike, bazuar në eksporte dhe investime të huaja direkte, po funksionon” – tha Ministri.

Një nga çështjet me rëndësi për Bankën Botërore është konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare.

“Shumë vende bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar klimën e biznesit. Sfida është të rrisim aksesin në tregje, pra çfarë duhet bërë që produktet dhe shërbimet shqiptare të depërtojnë në tregjet europiane. Nëse do të doja të kuptoja se si po funksionon modeli i rritjes së një vendi, do të shihja shifrën e eksporteve. Dhe kur unë shoh rajonin, ajo që shikoj është se Shqipëria e ka të gjithë potencialin për të parë benefitet e politikave të saj, qoftë në aspektin e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe në ndryshimin e perceptimit të tregjeve” – tha z. Myller.

Ministri Ahmetaj shpjegoi ndryshimet e bëra në kuadrin ligjor me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, duke e vënë theksin në ligjin për investimet strategjike dhe në ligjin e turizmit.

Investimet e huaja direkte për nëntëmujorin 2015, janë 714 milionë euro. Për të gjithë periudhën, ato ishin rreth 19.8% më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me PBB-në nominale, investimet e huaja direkte ishin në nivelin 9.3%, ose vendi i dytë në rajon pas Malit të Zi.

“Nëse do të bëjmë një projeksion bazuar në trendin e tre tremujorëve të parë, mesatarisht, pritshmëritë tona janë për një shifër dikur tek 950 milionë euro për vitin 2015 në total” – u shpreh Ministri.

Ndjekja e programit me FMN ishte një tjetër pikë e diskutimit. “Trajektorja e uljës së borxhit do të mbështetet me politikat në vijim, edhe në kuadër të programit. Do të përmirësojmë performancën e të ardhurave dhe dy muajt e parë të vitit, kanë treguar përmirësim. Kemi një platformë të re risku në tatime dhe po punojmë për një logjikë risku të koordinuar mes tatimeve dhe doganave.

Gjatë takimit u fol edhe për ecurinë e aksionit kundër informalitetit, koordinimit nga Ministria e Financave të matricës së detajuar të nismave për reduktimin e nivelit të kredive të këqija, reformën në energji dhe përmirësimin e ndjeshëm të sektorit.

“Unë shoh që ekonomia shqiptare tani po shpërblehet për reformat e thella dhe politikat e forta makro-ekonomike të ndërmarra përgjatë këtyre dy viteve. Ju e keni ndryshuar trajektoren tuaj. Ne duam të punojmë me ju, të jemi partnerët tuaj dhe t’ju mbështesim që ta bëjmë më të dukshëm këtë ndryshim real”  – u shpreh Zv. Presidenti i Bankës Botërore në përfundim të takimit me Ministrin Ahmetaj.

Të rejat e fundit