Postuar më: 28/06/2016

Ekonomia shqiptare ka konsoliduar rritjen. Rishikimi i tetë i programit me FMN

Ka përfunduar sot rishikimi i tetë i programit të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ministri i Finanacve Arben Ahmetaj u shpreh në Konferencën e përbashkët për shtyp se bisedimet në kuadër të rishikimit të tetë të programit u fokusuan kryesisht tek në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe në adresimin e risqeve, që mund të hasim në të ardhmen.

“Ne ndajmë qendrimin e përbashkët me FMN se ekonomia në tërësi ka një përshpejtim të ritmeve të saj të rritjes, veçanërisht e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe nga investimet e huaja direkte. Të dhënat dëshmojmë se përshpejtimi i rritjes ekonomike ka gjeneruar punësim të konsiderueshëm në vend. Këtë e konfirmoi edhe INSTAT, me të dhënat e fundit mbi punësimin, rritjen e forcave të punës dhe uljen e papunësisë” – tha Ministri në fjalën e tij.

Referuar përformancës fiskale dhe përmbushjes së kritereve sasiorë të performancës sic përcaktohet në program, Ministri i Financave u shpreh se: “performanca e të ardhurave në buxhet në 5-mujorin e parë të të vitit 2016, kanë qenë në përputhje me pritshmëritë tona. Për më tepër të ardhurat tatimore, doganore dhe nga fondet speciale, të cilat kanë impakt direkt në deficit, kanë performuar më mirë se sa plani respektiv. Konkretisht, të ardhurat tatimore dhe doganore kanë qenë 1.9% më shumë se plani ose 12.1 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2015, pra kemi mbledhur gati 120 mln USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat nga fondet speciale janë 3.9% më shumë se sa plani ose 13.4% më shumë se viti 2015, me fonde speciale kemi mbledhur gati 4 miliardë lekë më shumë se njëjta periudhë e vitit të kaluar (në terma dollarë janë 40 mln USD), çka tregon një eficencë të përmirësuar dhe reflekton përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave në menaxhimin e financave publike” – tha Ahmetaj.

Shefja e Misionit të FMN Anita Tuladhar tha se “ekipi i Fondit pret që rimëkëmbja ekonomike të forcohet, duke parashikuar që, për vitin 2016, rritja e PBB-së të arrijë në 3.4 për qind, mbështetur nga një fluks i madh investimesh të huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjitik dhe rritje graduale e kërkesës së brendshme”.

“Buxheti i vitit 2016 synon të arrijë një sufiçit primar prej 0,3 për qind të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet ishin në përputhje me objektivat e vendosura gjatë pesë muajve të parë të vitit 2016, pavarësisht çmimeve jo të qëndrueshme të naftës dhe inflacionit të ulët, duke reflektuar pjesërisht rezultatet e para të përpjekjeve të qeverisë për përmirësimin e të ardhurave nga tatimet. Për të siguruar një konsolidim të vazhdueshëm fiskal, do të jenë me rëndësi përpjekjet për zgjerimin e bazës tatimore si edhe forcimi i administratës tatimore” – theksoi Tuladhar.

Kurse për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko “treguesit e shëndetit të sektorit bankar kanë ardhur në përmirësim, në përgjigje të gjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe të masave të tjera të marra nga autoritetet shqiptare. Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit mbeten në parametra të mirë, ndërsa niveli i kredive me probleme – pavarësisht luhatjeve – është vendosur nën kontroll.

Misioni i FMN vizitoi Tiranën gjatë periudhës 15–28 qershor 2016 për bisedimet me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë. Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e tetë në gusht 2016. Aprovimi i shqyrtimit do të mundësojë lëvrimin e 28,65 milion SDR (rreth 35,94 milion euro).

 

***

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj në Konferencën për shtyp

Përshëndetje,

Më lejoni të falënderoj misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën e Shqipërisë për diskutimet që patëm në kuadër të rishikimit të tetë të Programit, të cilat u fokusuan kryesisht në qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe në adresimin e risqeve, që mund të hasim në të ardhmen.

Dua të ndaj me ju që së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar vlerësojmë se ekonomia shqiptare ka konfirmuar stabilitet dhe rritje ekonomike dhe vazhdim të konsolidimit fiskal gjithashtu.

Pikëpamja jonë si Ministri e Financave, sa i takon zhvillimeve më të fundit makroekonomike, tashmë më e kompletuar se në misionin e fundit të Marsit, është se ekonomia në tërësi ka një përshpejtim të ritmeve të saj të rritjes, veçanërisht e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe nga investimet e huaja direkte. Ekonomia  po performon në linjë me parashikimet aktuale dhe në këtë kuadër vazhdojmë t’i mbetemi parashikimit për një rritje ekonomike prej 3.4% për vitin 2016. Pavarësisht pasigurisë që shfaq ambienti i jashtëm ekonomik, ekonomia shqiptare fal reformave të ndërmarra është në pozicion mjaft solid,  duke konsoliduar siç e theksova, tredin rritës.

Të dhënat dëshmojmë se përshpejtimi i rritjes ekonomike ka gjeneruar punësim të konsiderueshëm në vend. Pra, vlera e re e shtuar në ekonomi nuk është kufizuar vetëm në një pjesë të vogël të shoqërisë, por përkundrazi ka patur një shpërndarje shumë më të gjerë të saj, veçanërisht tek shtresa më vulnerabël. Këtë e konfirmoi edhe INSTAT, me të dhënat e fundit mbi punësimin, rritjen e forcave të punës dhe uljen e papunësisë.

Në veçanti, performanca e të ardhurave në buxhet në 5-mujorin e parë të të vitit 2016, (pra jemi pothuaj në gjysmë të vitit) kanë qenë në përputhje me pritshmëritë tona. Për më tepër të ardhurat tatimore, doganore dhe nga fondet speciale, të cilat kanë impakt direkt në deficit, kanë performuar më mirë se sa plani respektiv. Konkretisht, të ardhurat tatimore dhe doganore kanë qenë 1.9% më shumë se plani ose 12.1 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2015, pra kemi mbledhur gati 120 mln USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat nga fondet speciale janë 3.9% më shumë se sa plani ose 13.4% më shumë se viti 2015, me fonde speciale kemi mbledhur gati 4 miliardë lekë më shumë se njëjta periudhë e vitit të kaluar (në terma dollarë janë 40 mln USD), çka tregon një eficencë të përmirësuar dhe reflekton përgjegjshmërinë e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave në menaxhimin e financave publike.

Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të vijuar uljen e borxhit publik. Një nga reformat më të rëndësishme në këtë drejtim ishte miratimi në fillim të qershorit i Ligjit Organik të Buxhetit, ku për herë të parë është shkruar e zezë mbi të bardhë një rregull fiskal, i cili detyron çdo Qeveri të ulë në vazhdimësi, në vitet që vijnë, borxhin publik .

Përveç masave dhe reformave të deritanishme që kanë ulur ndjeshëm risqet e borxhit publik, në të ardhmen, përpjekjet për konsolidimin fiskal do të fokusohen kryesisht në reduktimin e informalitetit dhe evazionit fiskal, në përmirësimin e klimës së biznesit, rritjes së kreditimit, si dhe në të njëtën kohë mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve, sidomos atyre jo-produktive dhe rritjen e hapësirave për shpenzimet e tjera produktive për ekonominë.

Në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit tashmë Ministria e Financave po konkludon përkundimisht paketën e thjeshtimit të procedurave tatimore në favor të sipërmarrjes. E kam theksuar dhe gjej rastin ta ritheksoj që paketa është një revolucion në marrëdhënien mes administratës fiskale dhe sipërmarrjes.

Në përfundim, ne ndajmë të njëjtin qëndrim me Fondin Monetar Ndërkombëtar se masat që po marrim për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjes së bazës së tatimpaguesve në kuadër të aksionit kundër informalitetit, do të reflektohen në përmbushjen e objektivit tonë për ruajtjen e performancës së të ardhurave, si dhe respektimin e angazhimit për suficit primar + 0.3% për vitin 2016.

Faleminderit!

Të rejat e fundit