Prezantimi i Ministrit Ahmetaj për zhvillimet kryesore ekonomike të 9-Mujorit 2017
Faleminderit që jeni prezent. Besoj që nuk është e re që do vazhdojmë traditën e vjetër, por shumë të mirë të komunikimit dhe të ndarjes me njëri-tjetrin të shifrave dhe të zhvillimeve të fundit ekonomike, situatës ekonomike muaji pas muaji.
Sektorët që kanë influencuar në rritjen prej 4.06 për qind të tremujorit të dytë të viti 2017, janë ndërtimi me një kontribut serioz prej 1.84 përqind, industria, energjia dhe uji. Në përgjithësi të gjithë sektorët deri tek pasuritë e paluajtshme, janë me një kontribut pozitiv. Mua më jep shumë shpresë dhe besim që rritja e përshpejtuar prej 4.06 përqind në tremujorin e dytë, ka për të tejkaluar parashikimin jo vetëm tonin, por edhe të institucioneve ndërkombëtare, të rritjes së vitit 2017 prej 3.7 përqind.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në misionin e fundit brenda “Artikullit Katër”, e rishikoi rritjen ekonomike nga 3.7% në 3.9 përqind. Ju kam sjellë një slide, për të krahasuar rritjen ekonomike të tremujorëve përkatës të pesë viteve të fundit, pra 2013, 2014, 2015, 2016, 2017 dhe sigurisht që dallohet qartë që është tremujori, i cili në nivelin e rritjes, po kap nivelet e para krizës për shkak të keqmenaxhimit dhe situatave rajonale dhe globale.
Kam sjellë disa paragrafë nga raportet e Bankës së Shqipërisë jo pa qëllim, për t’iu referuar burimeve dhe qëndrimit që ka Banka e Shqipërisë përsa i përket rritjes ekonomike.
Ekonomia shqiptare duket se po i afrohet gradualisht nivelit të potencialit, e kishim parashikuar nëse e mbani mend në diskutimet tona që në fillim të vitit 2016, që viti 2017 do ta ngushtojë diferencën negative, po i referohem me fjalë të thjeshta, të potencialit dhe të momentit aktual. Ky përmirësim ciklik do të mundësojë një rritje graduale të pagave dhe konvergjencave të marzheve të fitimit të bizneseve drejt mesatareve historike.
Konsumi privat dhe investimet janë mbështetur nga një përmirësim i besimit në ekonomi, rritja e punësimit dhe nivelet e larta të investimeve të huaja. Edhe në të dhënat e fundit të INSTAT, konsumi vazhon të rritet me mbi 2.5 përqind, (konsumi final i popullates) dhe ky është tremujori i shtatë rresht në mos gabohem, që kemi rritje pozitive të konsumit final të popullatës. Nëse shohim rritjet e rajonit gjithashtu dhe bëjmë një krahasim në nivelet ku jemi, Shqipëria vijon të ketë një performancë të qëndrueshme në rritje.
Inflacioni vazhdon të jetë në nivelet mesatare të pritshme, gjithsesi besojmë që fundi I vitit do jetë brenda pritshmërisë që ka Banka e Shqipërisë dhe INSTAT për inflacionin.
Shifrat e punësimit janë shumë interesante. Në këndvështrimin tim, më e rëndësishmja është pjesëmarrja në forcat e punës që ka një rritje serioze, sesa vetë rënia e papunësisë. Patjetër që rënia e papunësisë është shumë e rëndësishme. Ka shqiptarë që kanë dalë nga papunësia dhe janë sot pjesëmarrës në forcat e punës. Pra, ka një rritje serioze nga 57.2 përqind në 66.8 përqind nga viti në vit dhe për mua në këtë grafik është një shifër jashtëzakonisht shumë pozitive. Rënia e papunësisë siç e shikoni vazhdon që nga 2014 të jetë konstante në një nivel 13.9 përqind. Sigurisht që, sfida e punësimit është një nga sfidat kryesore të qeverisë Rama 2. Punësimi është një nga prioritetet e punës së kësaj qeverie. Nuk ka arsye për të qenë të kënaqur me shifrën, ne kemi thënë që do ta zbresim shifrën e papunësisë nëpërmjet rritjes ekonomike, zgjerimit të punësimit, duke e ndihmuar edhe me intensifikimin e arsimit profesional, do ta zbresim në nivele njëshifrore.
Investimet e huaja direkte vazhdojnë të kontribuojnë rëndësisëhm në ekonomi. 6 mujori është në nivelet 374 milionë euro. Ne mendojmë që 6 mujori i dytë do të jetë akoma edhe më i mirë. Besojmë që sërish do të arrijmë në nivele mbi 1 miliardë dollarë, gjithsesi mbetet për t’u parë në vijueshmëri dhe së bashku do t’i ndajmë sërish shifrat.
Nuk ka nevojë t’i referohem vazhdimisht qëndrimit të agjensive të vlerësimit. Ne vazhdojmë të jemi në nivele të referuar nga agjensitë e vlerësimit shumë pozitive, arsyet janë të shumta: konsolidimi fiskal që ka ndërmarrë qeveria, ulja e borxhit është një nga arsyet kryesore që ne jemi në referencë shumë pozitive nga agjensitë e vlerësimit.
Kam sjellë një grafik që na vlen për të kuptuar kur diskutojmë çfarë po bën Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Serbia apo të gjitha vendet e rajonit. Po ta shikoni, Shqipëria, nga 100 përqind e investimeve të huaja në rajon, tërheq 25 përqind. Është në nivele edhe shifrore goxha të kënaqshme.
Dua të shtoj që përsa i përket tërheqjes së investimeve të huaja, kemi një sfidë specifike si vend. Do duhet të punojmë shumë, shumë intensivisht që të tërheqim investime të huaja serioze në nivel prodhues, jo vetëm kompani të mëdha, por patjetër edhe të mëdha, në mënyrë që të përputhim rritjen e konsiderueshme të tërheqjes së investimeve të huaja nga kompani prodhimi, apo kompani të huaja nga sektorë të ndryshëm, energji, manifakturë, bujqësi, turizëm që të zëvendësojmë ato dy-tre projekte të mëdha, të cilat në dy vitet që vijnë kanë trajektoren e konkludimit të fazës investuese dhe hyrjes në fazë operimi. Kjo është një sfidë shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme që qeveria “Rama 2” ka përsa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.
Pra, është koha që të fokusohemi tek projektet e investimeve të huaja prodhuese apo investime të rëndësishme në turizëm, duke vazhduar patjetër tërheqjen e investimeve në sektorin energjitik, duke përfshirë dhe atë hidrokarbur.
Kam sjellë një grafik shumë interesant të besimit në ekonomi, do t’ju lutesha të shikonit momentin e rënies në 3 mujorin e dytë të vitit 2017, është efekti i çadrës. E kemi diskutuar disa herë, çfarë bën politika kur është e marrë dhe shenja ja ku është. Ja pse, në mendimin tim, bëhen marrëveshjet e mëdha. Marrëveshjet e mëdha nuk bëhen për hatër të Kryeministrit, Kryeministri bëri hapa përtej asaj që do të bënte çdo lloj Kryeministri, jo për hatër të vetes. Bëri një marrëveshje të vështirë, por në favor të vendit, për të kthyer besimin e këtyre aktorëve në ekonomi. Pra është mirë që t’i rikthehemi ngjarjeve për të kuptuar përse kanë ndodhur ato.
Marrëveshja e 18 Majit ka shpëtuar dhe ka dhënë shumë efekte pozitive, dy janë kryesoret: Zgjedhjet e qeta, të lira e të ndershme dhe kthimi i besimit të aktorëve, pra biznesit dhe konsumatorëve në ekonomi.
Nuk janë thjesht grafikë, janë konseguenca të veprimeve politike të një Kryeministri shumë të përgjegjshëm, apo të një force politike shumë të përgjegjshme, në favor të qytetarëve edhe të ekonomisë së vendit.
Ndërkohë, përsa i përket kredisë, është niveli më i ulët i kredive të këqija në korrik 2017 dhe vazhdon të ulet, në 15.8%. Shikojeni gati 10% më e ulët nga sa e morëm në vitin 2013 apo edhe vitin. Unë e kuptoj shumë mirë që pritshmëria juaj ndaj kësaj qeverie është shumë e madhe, edhe kështu duhet të jetë, sic është dhe pritshmëria e qytetarëve. Sigurisht në një moment ia vlen mendoj të rikthehemi në retrospektivë, për të kuptuar perspektivën. Shikoni çfarë angazhimi në vite për të bërë gjënë e duhur dhe nuk ka qënë e lehtë.
Përsa i përket tregtisë, kemi një rritje të eksporteve në 12.9%. Ajo që është interesante, janë eksportet që rriten në mënyrë konstante, eksportet definitive ku nuk përfshihen mineralet, energjia dhe lëndët djegëse. Gjithsesi këtu kemi një sfidë tjetër, zgjerimi i gamës së eksporteve. Ne vërtet kemi numra pozitivë në eksport, por kemi një gamë akoma të ngushtë eksportesh dhe eksportet tona varen patjetër, nga eksporti i lëndëve djegëse, energjisë dhe mineraleve. Besoj këtu është dhe sfida, diversifikimi i ekonomisë dhe diversifikimi i eksporteve shqiptare. Është pozitive, por ashtu sic është ka risqe serioze, pra sfida është zgjerimi i gamës dhe diversifikimi i eksporteve. Ka diferenca në vite, por akoma jemi shumë larg.
Gjithë logjika e modelit të ri qëndron prapa asaj që kemi thënë në programin e qeverisë, që I referohemi si industrializimi I lehtë, që sigurisht nuk e bën qeveria, por e bën shoqëria dhe sektori privat. Pra ato ndërmarjet e vogla dhe të mesme prodhuese që mund të kthehen dhe do kthehen në pulsin e ekonomisë shqiptare, por që do të reflektojnë në ndryshimin e gamës dhe në diversifikimin e eksporteve shqiptare dhe aty do të themi që ia kemi dalë përfundimisht.
E njëjta gjë është me importet dhe importet e makinerive dhe pajisjeve, të cilat vazhdojnë të kenë rritje, rritje serioze dhe është domethënëse për të kuptuar se ku jemi duke shkuar me sektorin e prodhimit apo me investimet në tërësi.
Lidhur me performancën e mbledhjes së të ardhurave, nga planifikimi fillestar kemi mbledhur 7.1 miliardë, 71 milionë dollarë më shumë se sa plani dhe siç e shikoni është gati 20 miliardë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo nuk do të thotë që ne do duhet të jemi të kënaqur, kjo është puna jonë, por ne kemi një sfidë që të mbajmë tempin e rimbursimeve të mëdha, qoftë në energji apo në sektorë të tjerë.
Në fund të vitit do të rimbursojmë gati 15 deri në 16 miliardë lekë, kemi rimbursuar deri tani 12 miliardë lekë. Është rekord në vite! Është detyra jonë, që ta përmirësojmë më shumë sistemin e rimbursimeve të TVSH-së, se në finale është detyrim ligjor dhe janë paratë e sipërmarrjes ato që duhen rimbursuar. Edhe këtu kemi sfidë të rëndësishme, më duhet ta them që do të duhet ta përmirësojmë sistemin tonë të rimbursimit të TVSH-së, në mënyrë që pastaj sistemi fiskal të jetë në rimbursim automatik, ai është qëllimi.
Përsa i përket borxhit publik. Debati ndonjëherë kthehet politik dhe patjetër që borxhi publik është edhe një kategori politike për t’u debatuar, por ky është viti i dytë që ne do ta mbyllin me balancë primare pozitive. Unë e kam shpjeguar për qytetarët dhe ju jeni gazetarë profesionist ekonomie, në momentin që një qeveri, nuk prodhon balancë primare negative, do të thotë që nuk prodhon borxh të ri, do të thotë që përkundrazi, jo vetëm që nuk prodhon borxh të ri, por kursen për të paguar borxhet e vjetra. Këtë ka bërë kjo qeveri. Dhe mos harroni që situata në kursin e këmbimit, nuk ka qënë e thjeshtë, ka qënë në disfavor të lekut dhe ajo reflekton në totalin e borxhit në përqindje të GDP-së. Edhe këtë vit do ta mbyllim me ulje borxhi me balancë primare 0.4 4%, me bazë plus, në bazë të aktit normativ që u bë në Gusht të këtij viti dhe vitin tjetër besojmë që do jetë një balancë primarë 0.5% me një ulje 2% të borxhit publik.
Ndërkohë lidhur me qëndrueshmërinë e borxhit, yield-i mesatar i ponderuar është në nivele të ulta të kënaqshme dhe një maturim goxha i shëndetshëm, 360 ditë, qe tregon që borxhi është nën kontroll por do të duhet të monitorohet përditë, sepse risqet janë atje sidomos risqet globale. Ka risqe të brendshme, ka dhe risqe të jashtme. Risqet e brendshme është angazhimi politik dhe manaxhimi teknik, që kjo qeveri e ka garantuar angazhimin të ulë borxhin dhe me ligj dhe njësia e menaxhimit të borxhit të MFE është në lartësinë e detyrës por sigurisht që ne nuk i kontrollojmë dot risqet e jashtme në një shock ekonomik në rajon, apo në Eurozonë, apo përtej.
Ju kam sjellë disa element të sektorit të transportit që tregojnë ndryshime pozitive në një sektor që është puls për ekonominë.
Disa të dhëna për aksionin anti-informalitet. Do të ndaj me ju që ndryshimi I përgjegjësisë nga biznesi I vogël në biznes të madh, në pak ditë, janë gati 626 subjekte. Numri I tatimpaguesve të rinj të regjistruar në një javë është 1263. Rritja e xhiros e krahasuar me të njëjtën periudhë 1 deri në 8 Tetor 2017 vs. 2016, është 23%. Rritja e kuponave për të njëjtën peiudhë është 33%. Ne jemi fokusuar në aksionin anti-informalitet tek sipërmarrja e madhe dhe me atë ndryshim që do të bëjmë në shtrirjen e TVSH deri në nivelin zero, ne besojmë që do ta ndihmojmë formalizimin e ekonomisë dhe sigurisht që ky formalizim, do të bëhet pa asnjë rritje çmimi, sepse 20% është në kostot e çmimit final dhe kostot i vendos tregu dhe jo ne.
Për biznesin e vogël do të kemi një deklarim të thjeshtësuar një herë në tre muaj dhe patjetër që MFE tani që po harton draftin, po kujdeset që zejtarët, në bazë të ligjit të zejtarisë, të mos jenë pjesë e sistemit të shtrirë deri në nivelin zero dhe tregjet formale të bashkive, pra që janë dhënë me leje të bashkisë, të trajtohen ndryshe. Unë besoj që aksioni anti-informalitet ka si qëllim edukimin e mëtejshëm e tatimpaguesve dhe në konseguencë rritjen pozitive të të ardhurave, patjetër. Besoj që këtu kemi një sfidë akoma më të madhe si vend për të kapur nivelet e përqindjes së të ardhurave tatimore, me nivelet e rajonit të paktën.
Një nga prioritetet e qeverisë, është shpallur nga Kryeministri që para zgjedhjeve të 25 Qershorit, është deregulimi për ta thënë për qytetarët është thjeshtësimi I procedurave, thjeshtësimi I marrëdhënieve të qytetarit dhe sipërmarrjes me administratën, dhe së fundmi, në atë vizion që ka shpallur Kryeministri dhe që gjatë verës është punuar një dokument nga një grup pune i caktuar po nga Kryeministri me gjetje të detajuara, ne po kalojmë në fazën e ushtrimit të atyre gjetjeve, të thjeshtësimit të procedurave. Certifikatat psh. s’ka nevojë të printohen se me firmën elektronike është shumë e thjeshtë për t’u marrë nga administrata për secilin nga qytetarët, kudo, në cdo sportel që paraqitet qytetari. Në konsultë me Kryeministrin, përpara disa ditësh unë kam nxjerrë një urdhër për të gjitha institucionet e varësisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të mos I kërkojnë qytearëve dhe sipërmarrjes 13 dokumente.
Kemi bërë një llogari, që kohën që harxhon qytetari dhe sipërmarrja në vit, për të marrë këto dokumenta, për të pritur në sportelet tona është 56 vite në vit, nëse e marrim ditën e punës 8 orë, 56 vite. Dhe tani qytetarët dhe sipërmarrja nuk ka nevojë më t’i dorëzojë ato fizikisht. Do t’iu lutesha qytetarëve dhe sipërmarrjes që kur shkojnë në sportelet e institucioneve të varësisë së MFE të mos i kenë këto dokumenta me vete sepse është detyrë e administratës që t’i nxjerrë nga sistemi e-Albania që është një sistem dixhital i integruar ku ka mundesi te aksesohet informacion I nevojshëm, I domosdoshëm, I detajuar, ne favor të qytetarëve dhe në favor të sipërmarrjes duke filluar që nga çertifikata e regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit. Ekstrakti historik i kompanisë në QKB. Nuk ka nevoje vërtetimi për posedim mjetesh, është në sistemin e-Albania, aksesohet nga e-Albania ne databazen specifike të institucioneve, nuk ka nevojë ta ketë qytetari. Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për tatimpaguesit, nuk ka nevojë, e ka detyrë administrata. Vërtetim për individ të paregjistruar, nuk ka nevojë. Vërtetim për përgjegjësinë tatimore, nuk ka nevojë. 56 vite dhe po të përdornim një metodologji të thjeshtë për ta kuantifikuar, do ishin miliona e miliona euro, dhe këto janë në favor të lëhtësimit të jetës së sipërmarrjes dhe të qytetarëve, në favor të zhvillimit ekonomik.
Ju kam sjellë dhe raportin e konkurueshmërisë globale, përmirësimin shumë të ndjeshëm nga 2013. Arsyet janë të drejpërdrejta, një nga arsyet kryesore është konsolidimi fiskal, ulja e borxhit. Këto ishin ato që në tërësi unë desha të ndaja me ju sot për të rifilluar atë traditë që kemi pasur për të ndarë zhvillimet e fundit ekonomike.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.