Postuar më: 27/05/2016

Ekonomia, arritjet dhe sfidat në sytë e studentëve

Përshëndetje të gjithëve,

 

Sot nuk dua të mbaj një fjalë të zakonshme me konotacion të theksuar politik, megjithëse nuk i shpëtojmë dot, por do të dua të ndaj me ju larg konotacioneve politike, mendimet e mia qoftë institucionale, qoftë personale, për zhvillimet ekonomike, për atë që kemi bërë si qeveri, atë që nuk kemi bërë dot si qeveri dhe atë që do të duhet të bëjmë në vazhdim si qeveri dhe si Aleancë.

 

Ju jeni studentë të Fakultetit të Ekonomisë, jeni studentë të Departamentit të Financës dhe disa prej jush sigurisht do të jenë nesër punonjës të administratës publike shtetërore, apo do të punojnë në ndërmarrjet private dhe sigurisht që po lini, do të lini gjurmët tuaja, qoftë në administratë, qoftë në sektorin privat, qoftë në ekonomi. Ju e dini shumë mirë, këtu edhe sikur të flisnim me terma teknikë, do të ishim “në shtëpinë tuaj dhe tonën”, do të ishim shumë të qartë.

 

Ekonomia shqiptare zhvillohet në një kontekst të caktuar dhe pse e them këtë vazhdimisht? E them këtë vazhdimisht dhe besoj se pedagogët dhe ju do të më mbështesni, kemi një debat shumë të madh për rritjen ekonomike. Sa do të duhej të ishte rritja ekonomike? Rritja ekonomike në ëndrrat e mia do të duhej të ishte 7%, ndoshta dhe 10% dhe12%, por çdo ekonomi zhvillohet, lëviz, rritet në kontekstin e vet dhe konteksti jonë është rajoni, konteksti jonë është një ekonomi e vogël me 3 milionë konsumatorë, (nëse do i numëronim si konsumatorë) dhe ekonomia jonë zhvillohet, rritet, goditet, bie, në kuadrin e fqinjëve që janë Italia, Greqia dhe të gjithë vendet e rajonit dhe sigurisht e influencuar në të gjithë kontekstin rajonal.

 

Mos harroni që në vitin 2012 Shqipëria ishte statistikisht në kulmin e varfërisë së saj. Po ta politizoja, do të thoja se arsyet ishin keqmanaxhimi dhe verbëria e politikave ekonomike. Këtë jua them, e keni në dorë ju ta merreni ta besoni ose jo, por fakti që viti 2012 ka qenë viti më i keq ekonomik i Shqipërisë nuk mund ta mohojmë dhe është fakt që varfëria në vitin 2012 dhe jo statistikisht nga ana e qeverisë, por statitikisht nga BB dhe FMN, arriti realisht thellimin më të madh. Është  sfidë e madhe për një grup që qeveris, do ta keni dhe ju sfidë dhe unë shpresoj që kurrë të mos keni sfida, si tonat dhe të miat. Unë personalisht (kam punuar dhe me shumë nga pedagogët tuaj këtu), kam pasur sfida shumë të vështira edhe pse interesante. Kam punuar në Ministrinë e Financave në vitin 1997, e kam filluar punën në mars të vitit 1997, kam punuar me profesor Toninin, Halitin, prof.Dhorin, Edën, etj dhe sigurisht edhe në aspektin e shakasë traumën e 1997, ashtu sikurse ekonomia nuk e ka kaluar akoma, as unë nuk e kam kaluar akoma dhe nuk do të doja të kishit sfida si të miat, si ato të ’97 dhe nuk do të doja të keni sfida si të miat dhe të kësaj Qeverie si të vitit 2013, kur merret një ekonomi në rënie dhe një ekonomi ku buxheti i shtetit kishte 700 mln borxhe të paregjistruara, të padeklaruara, të pakontabilizuara ndaj sipërmarrjes private, tvsH të parimbursuar apo dhe shërbime publike të papaguara dhe më thoni çfarë do të ndodhte me biznesin privat, se po flasim për biznesin privat që është një sfidë më vete.

 

Sfida si kjo ia vlen të keni – përmirësimin e klimës së biznesit në favor të rritjes së investimeve të huaja dhe të brendshme. Unë do të theksoj sa herë që mundem, qoftë politikisht në Parlament, qoftë këtu me ju, edhe emocionalisht, edhe duke ju referuar fakteve. Gjetëm një buxhet realisht bosh dhe sikur të numëronim ditët në 23 tetor 2013 nuk do të kishim asnjë lek për të paguar qoftë pensionet, qoftë mësuesit, policët, spitalet dhe kur na shikoni në debatin politik, ndonjëherë na jepnin të drejtë, ndonjëherë na mbështesni, ndonjëherë nuk na mbështesni, por sot në ato që ndaj me ju, nuk dua të politizoj asnjë shifër dhe nuk dua të deformoj asnjë shifër në favor të asaj që unë përfaqësoj.

 

Në të njëjtën kohë, dua të mos harroni se rritja ekonomike ka shkuar në 2.62% dhe debatet janë të shumta se sa duhet të ishte rritja ekonomie. Unë e nisa me ëndërrën time, që do të doja ta kishim 7%, por nuk e kemi dot për shkak të kontekstit, për shkak të ekonomisë, por ama është gati 2 herë e gjysmë më shumë se ajo që ishte në vitin 2013 dhe ajo që është e rëndësishme dhe ju ma kuptoni drejtpërsëdrejti shumë mirë është se po të krahasosh rritjen tonë ekonomike në krahasim me Rajonin, pavarësisht se ne jemi 0.5% mbi Rajonin, ne kemi një cilësi shumë interesante në rritjen ekonomike sot. Ne kemi tempin rritës të konsoliduar. Të gjitha vendet e rajonit kanë luhatje serioze në rritjen ekonomike edhe për shkak të strukturës së tyre të pakonsoliduar, ndërsa ne në dy vite kemi bërë dy gjëra tej të rëndësishme, Kur them Ne nuk them as Edi Rama, as Arben Ahmetaj, as vetëm Qeveria , por edhe sipërmarrja, edhe konsumatori, kanë kaluar në dy korrekitime teje serioze. Së pari ekonomia ka vetëkorrigjuar veten edhe nën trysninë pozitive të reformave, ka kaluar nga ndërtimi në industri, ka kaluar nga shërbimet me aktivitet me vlerë të ulët në aktivitete me vlerë të lartë dhe dua të ndaj me ju si studentë dhe si pedagogë, që përfundimsiht Shqipëria e ka lënë pas krizën ekonomike të ciklit të gjatë 2008-2014. Viti 2015 ka qenë në vit shuëm i vështirë për ekonominë shqiptare, sepse përveçse vetëkorrektoi veten, kaloi dhe në një axhustim fiskal tejet të rëndësishëm për të ulur deficitin, për të përmbajtur borxhin në ato nivele që ne kishim rënë dakord me FMN dhe këtë vit të fillojmë uljen graduale të  borxhit, i cili sigurisht tani përkon dhe me ndryshime ligjore, që nuk janë thjesht ndryshime ligjore, por është një filozofi e tërë e një qeverie në favor të gjeneratës që vjen, që është gjenerata juaj.

 

Dua të ndaj me ju që sigurisht që situata nuk është rozë por e kemi lënë krizën pas, dhe dua të ndaj disa statistika tejet interesante që kanë domethënie për ju, por edhe për konsumatorin.

 

Me gjithë lëkundjet ekonomike të këtyre viteve, më në fund ka stabilitet të rritjes së konsumit. Tremujori i tretë i vitit 2015, tremujori i katërt i vitit 2015, dhe tremujori i parë i vitit 2016 kanë  rritje të drejtpërdrejtë të konsumit total dhe kryesisht të konsumit privat, sepse sigurisht që qeveria vazhdon të frenoje veten me përgjegjëshmëri dhe e bindur se është gjëja e duhur që duhet bërë.

 

Lajmi tjetër është që dhe tremujori i këtij viti, në bazë të përllogaritjeve paraprake të INSTAT dhe BSH, i ka të gjitha gjasat që rritja ekonomike të jetë për tremujorin e parë të vitit 2016 mbi 2.6% , pra të jetë në nivelin midis 2.6-3% dhe duke iu referuar peshës që ka tremujori i parë dhe trendit që ka rritja ekonomike zakonisht në vit nëpër tremujor, ne jemi të bindur që Shqipëria do kapë shifrën vjetore 3.4-3.5%.

 

Lajmi tjetër i mirë, ka filluar një ringjallje e kreditimit, tek koorporatat është shumë mdoeste, tek biznesi i vogël dhe i mesëm është më shumë se modeste, tek kredia konsumatore është dy shifrore dhe të gjitha këto, përtej debatit politik që dëgjoni “ra ekonomia”, “deflacioni”, se e marrin deflacionin dhe duan ta kthejnë në një instrument politik pa i hyrë fare cilësisë dhe statistikës dhe bazës përtej shfirës, këto janë shifra që tregojnë se ekonomia shqiptare ka dalë nga kriza dhe dua të ndaj me ju, edhe emocionalisht edhe njerëzisht: Po kujt i shërbejnë të gjitha thirrjet që bëhen përtej realitetit? Kujt i shërbejnë ra ekonomia, punësimi apo hedhje balte mbi çfarë të duan? Në finale çdo qeveri ka trajektoren e vetë. Një mandat, dy mandate, tre mandate. Ikën. Konsumatori, qytetari, mbetet, dhe ekonomia nuk është pronë e askujt, është e qytetarit dhe sa herë e godasim ekonominë me qëllim, dëm i bëjmë qytetarit.

 

Unë jam dakord që një qeveri, unë jam dakord që një Kryeministër, unë jam dakord që ministri i Financave të merren në raport nga pozita dhe opozita dhe debati të jetë cilat janë problemet, risqet dhe çfarë duhet të bëhet që të shtohet gjallërimi i motorëve të zhvillimit ekonomik dhe të lirohet sipërmarrja private në mënyrë që ai besim që akoma nuk është aq i fortë tek sipërmarrja, tek ekonomia shqiptare, të ringjallet në mënyrë që gjëja më normale e sipërmarrjes të jetë të mendojë për të investuar.

 

Shifër tjetër që do të dua të ndaj me ju dhe jam i bindur se që të gjitha kanë sens kur ju i dëgjoni, është rritja e vlerës së shtuar në ekonomi. Nuk e bëj pa qëllim, e bëj në mënyrë që të krijojmë një mozaik të plotë të asaj që është duke ndodhur në ekonominë shqipatre, ku unë si ministër Financash ndaj shifrat me ju dhe kur unë them me bindje se ne e kemi lënë krizën pas, por jo rreziqet, jam i bindur dhe e furnizoj me shifra.

 

Është rritur, në bazë të raportit të fundit të BSH, me 10.8% vlera e shtuar në ekonomi. Ju dëgjoni shume legjenda urbane që ikin investitorët. Shqipëria juaj, më shumë se sa e një qeverie, ka problemet e veta, i ka të pafundme, por do i ketë për shkak të zhvillimit, për shkak të kontekstit, manaxhimit, adoptimit, por është vend atraktiv për investimet e huaja. Vitin e kaluar kapëm shifrën rekord 889 mln euro, i tërhoqi ekonomia shqiptare dhe investimet kanë qenë një nga arsyet, faktorët, që ne kemi dalë nga kriza. Dikush mund të thotë që 889 mln janë mjaft? Nuk janë mjaft, por jemi të dytët në rajon pas Malit të Zi për investimet si përqindje e PBB dhe mos harroni që Shqipëria në vitin 2015, për shkak të çmimit të naftës ka pasur goditje në tërheqjen e investimeve vetëm në hidrokarbure: Shelli nuk investoi, Bankers nuk investoi dhe nëse thuhet që u bënë investime vetëm në hidrocentrale, nuk është e vërtetë.

 

180 mln dollarë nga gjithë shuma e investimeve të huaja është pjesa që është investuar në hidrocentrale, pjesa tjetër është në manifakturë dhe këtu dua të sqaroj dhe legjendën urbane që Maqedonai është më mirë, më trendi se ne. Ne Maqedonisë i urojmë suksese në çdo aspekt, por ne jemi komplementarë dhe në konkurrencë me ta, dhe kemi tërhequr shumë më shumë, dyfishin e investiemeve që kanë tërhequr ata, dhe mos harroni që ai shtet vazhdon të japë subvencione; dhe mos harroni që nesër ato subvencione nuk do të ekzistojnë më, ndërsa ekonomia jonë dhe tërheqja jonë është e pastër, sepse ne nuk ofrojmë subvencione. Ka debat të madh nëse duhet të ofrojmë ne subvencione apo jo? Unë jam i bindur që jo, duhet të ofrojmë lehtësira proceduriale, duhet të ofrojmë reformë në drejtësi patjetër, duhet të ofrojmë një sistem tatimor shumë të thjeshtë, por jo subvencione, sepse ato e devijojnë, mund të ketë rritje të përkohshme, por në afatgjatë nuk e ndihmojnë një ekonomi. Dhe kur debatoj me miq të mirë për ekonominë i them që ne kemi problemet dhe ngërçet tona, por kjo është një ekonomi që nuk ka subvencione,  dhe kur diskutojmë për shtrëngesat kur të hyjmë në BE u them që patjetër që do kemi për shkak të konkurrueshmërisë dhe do rritet konkurrueshmëria, patjetër që do kemi probleme, por mos harroni se ne nuk kemi subvencione, dhe ditën që futemi në BE apo që fillojmë negociatat në aspektin teknik dhe kushtëzues, ne nuk kemi çfarë të heqim siç kanë pasur shumë vende apo do të kenë shumë vende, qoftë Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, etj.

 

Po ju them dhe diçka tjetër për shkak të debatit shumë të madh. E dini sa e ka ngarkesën e pagave të personelit Bosnjë-Hercegovina në buxhetin e shtetit? E ka 12% të PBB, ne e kemi më pak se gjysma e kësaj që do të thotë se nga ana strukturore, ne e kemi gëlltitur problematikën dhe tani kemi një detyrë, ta bëjmë këtë vend të thjeshtë nga ana tatimore, ta bëjmë këtë vend të drejtë nga ana e gjykimit, pra të reformës në drejtësi dhe ta bëjmë këtë vend modest dhe të bëjmë që ky brez të ketë aftësi që të përputhet me tregun e punës dhe këtu po vij tek elementi tjetër të asaj që unë besoj se është një nga sfidat që ka Shqipëria.

 

Një nga diskutimet që kemi me investitorët e huaj dhe vendas është a ka fuqi punëtore të kualifikuar të të gjitha niveleve? Dhe përgjigjja është jo mjaftueshëm. Ne i kemi vënë theksin reformës në arsimin, veçanërisht në shkollat profesionle dhe ma besoni, pedagogët tuaj e dinë më mirë se kushdo dhe ju shumë shpejt do ta dini, që nuk është klishe, çdo tërheqje që ne bëjmë tek investimet e huaja dhe çdo tentativë për të kaluar nga aktivitete të vlerës së ulët të shtuar në aktivitete të vlerës së lartë të shtuar, nga ndërtimi në industri, do kualifikim, do njerëz të kualifikuar dhe nëse nuk do të jemi të kualifikuar nuk do të arrijmë dot të tërheqim ato industri që lënë vlerë më të madhe të shtuar, pra të kalojmë si sot nga fasonët në cikël të plotë, nga eksporti i lëndëve të para bruto në përpunim siç po ndodh sot me industrinë minerare.

 

Më tej, është integrimi rajonal i ekonomisë shqiptare. Këtu do të duhet të kemi një kulturë të re besoj të patriotizmit ekonomik. Patriotizmi ekonomik sigurisht që ka fleksibilitetet e veta, por në këndvështrimin tim personal, por dhe të certifikuar shkencërisht, edhe në auditorët tuaj por edhe në botë, integrimi rajonal, integrimi shqip, një ekonomi e hapur, është platforma ku fle, rritet, zhvillohet suksesi ekonomik.  Një ekonomi e mbyllur nuk ja del dot. Mos harroni se ne jemi një ekonomi shumë e vogël dhe çdo investitor serioz nuk do të mund të vinte dot këtu, nëse nuk do të bindej që kjo është një ekonomi pjesë e një ekonomie të hapur, në rajon, e 26 mln konsumatorëve.

 

CEFTA ka qenë një përpjekje. CEFTA është marrëveshja e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit. Është e mjaftueshme? Jo nuk është, sepse janë sajuar diku me të drejtë, diku pa të drejtë, dhjetra  pengesa buroktatike. T’ju sjell një shembull. Certifikatat fitosanitare. Ndoshta nuk ju thotë asgjë kjo, por mos harroni se aty në kufi, ku konceptohet ndarja e një ekonomie me një ekonomi tjetër, një certifikate fitosanitare që njihet nga ne por jo nga Kosova apo nga Serbia apo nga Mal i Zi apo anasjelltas nëse doni, kthehet në problem për sipërmarrjen dhe kthehet në vonesa me ditë të tëra dhe në finale është humbje konkurrueshmërie.

 

Çfarë sfide kemi tjetër? Kemi sfidën e rritjes së produktivitetit. Ka pasur luhatje dhe  negative ajo që ju e quani produktiviteti i të gjithë faktorëve të prodhimit, kjo nuk është e mirë për Shqipërinë sepse kur një ekonomie të hapur i ulet produktiviteti, sidomos i fuqisë punëtore apo dhe gjithë faktorëve të tjerë, humbet avantazh dhe humbja e avantazhit na lë vetëm në ato aktivitete, industri që janë vlerë e ulët. Kjo klisheja e fasonit që ne e kemi lënë realisht pas, është një referencë e drejtpërdrejtë, pra nëse ka produktivitet për 1 milion arsye ne ngelemi tek vlera e ulët e shtuar, nëse produktiviteti rritet, vlera e shtuar, sigurisht paralelisht ato shkojnë me vlerën e rritur në ritëm të shtuar në ekonomi.

 

Disa këndvështime të papunësisë. Sigurisht që në çdo lloj këndvështrimi Shqipëria e ka papunësinë të lartë dhe papunësinë e të rinjve, megjithatë ka një trend modest të uljes së papunësisë, nga 17.5 në 17.1%. Dikush në parlament më pyeti –“po ti po mburresh me ulje 0.4% ?” Po do të duhet të duhet të zbresim tek niveli emocional dhe njerëzor kur diskutojmë, se 0.4% janë familje të tëra që kanë gjetur punë dhe duke iu referuar raportit të BB në rajon, në tre vende, janë 140 mijë vetë që kanë dal nga varfëria. Janë shumë? Nuk janë shumë, por janë 140 mijë familje që kanë bërë një hap larg varfërisë. Shqipëria nuk themi se është e pasur, por është pak më pak e varfër se nga sa ka qenë. E ka lënë pas 2012 me sfida dhe me risqe shumë të mëdha. Në të njëjtën kohë ne kemi papunësinë  e të rinjve 32%, tani nëse do thoja se është më e ulëta në rajon, ky do ishte justifikim politik, e vërteta është se papunësia e të rinjve është e lartë. Është më e ulëta në rajon, por është sërish e lartë dhe ka tendenca ulje akoma modeste. Do të duhet t’i lidhim këto procese shumë fort me tërheqjen e investimeve të huaja, me thjeshtimin e procedurave tatimore dhe me rritjen e arsimit profesional.

Në fund për sa i përket pjesës ekonomie, dua të ndaj me ju që personalisht gjithmonë e kam pasur një shqetësim të vazhdueshëm dhe një konsiderim të vazhdueshëm, përmirësimin e klimës së biznesit. Unë jam i bindur që perceptimi për ekonominë shqiptare është më i keq se realiteti ekonomik shqiptar. Kështu ndodh, sepse mikrofonin e kanë njerëz që ndonjëherë shohin gotën gjysëm bosh, në të drejtë dhe legjitimitet të vet, nganjëherë ka ekzagjerim, por unë jam i bindur që aty tek perceptimi ka probleme qe qeveria do të duhet t’i rregullojë, do duhet t’i fiksojë, do duhet t’i përmirësojë, dhe një nga ato unë jam i bindur është pjesa e procedurave tatimore dhe doganore.

 

Nuk kam pse ta fsheh, se megjithëse ne kemi një sistem tatimor të drejtpërdrejtë, pjesa e procedurave lë shumë për të dëshiruar. Dua të ndaj me ju disa ndryshime që do të bëjmë së fundmi. Ne nuk do i rrisim taksat, të vetmet ndryshime që do të kemi do të jenë më të ulëta, paketa kryesore që do të bëjmë do të jetë paketa e thjeshtëzimti të procedurave dhe për të gjithë ata që janë të fokusuar tek pjesa fiskale, por dhe qytetarët që na dëgjojnë, dua të ndaj me ju dy elementë shumë të thjeshtë por shumë domethënës. Siç e ka sot sistemi fiskal, nuk e lejon drejtpërsëdrejti tatimpaguesin që të vetëkorrigjohet që është një nga parimet kryesore: vullnetarizmi në pagesën e taksave dhe të drejtën për t’u vetëkorrigjuar. E ka të kufizuar në kohë dhe e ka me penalitet.

 

Në paketën e re të procedurave në fund të korrikut, do t’i japim të drejtë sipërmarrjes që të vetëkorrigjohet për 3 apo 5 vite që kanë kaluar pa penalitet dhe një thjeshtim tjetër është dhe detyrimi që do t’i bëjmë me ligj administratës tatimore që të njoftojë sipërmarrjen minimalisht 1 muaj para për kontrollin e thelluar që do t’i bëjë, dhe që nga momenti që sipërmarrja merr letër për njoftimin e kontrollit do të ketë të drejtë pa penalitet që të vetëkorrigjohet. Në këtë aspekt unë besoj, si të gjithë ju, që nuk mblidhen dot tatimet dhe të ardhurat me shkop, çdo administratë që mendon që do i mbledhë të ardhurat në mënyrë represive dështon, sepse humbet partneritetin me sipërmarrjen, i cili është bazë i një sistemi tatimor ku parimi kryesor është vullnetarizmi dhe barazia.

 

Dje kisha një bisedë me një studiues amerikan të USAID dhe po ndaja elementët për paketën dhe më bëri përshtypje një nga elementet që më theksoi, kur po i shpjegoja se duam që të bëjmë tre gjëra: t’i japim të drejtën e korrektimit pa penalitet, kushtin që kontrolli të jetë i lajmëruar dhe detyrimin e administratës të ketë një program shumë të qartë të edukimit të tatimpaguesit. Më tha: E dini çfarë bëjmë ne në shtetin e Nju Jork? Sigurisht që administrata tatimore duhet të ketë një shkop, por ne çfarë bëjmë? E ndihmojmë, pastaj e ndihmojmë…dhe vetëm në fund, administrata tatimore përdor instrumentat e veta në të drejtë ligjore, pra thelbi është që administrata tatimore duhet të jetë në shërbim të tatimpaguesit.

 

Ju e dini dhe do ta dini kur të dilni në punë që të mbledhësh një borxh ka kosto shumë më të madhe se të mbledhësh një detyrim të drejtpërdrejt dhe çdo gjobë që kthehet në borxh, është kosto dhe nuk është para që shteti, buxheti, institucionet mund ta përdorin drejtëpërdrejtë në ndërtimin e  rrugëve, në përmirësim të shërbimeve,  në ndërtime spitale, etj dhe thënë kjo, besoj se kemi parë një revolucion të tërë që do të duhet ta bëjmë dhe do të duhet t’i largojmë pak nga kuadri konservator i të qënurit përballë biznesit, por do të duhet të jemi krah për krah me biznesin.

 

Dy elementët e fundit dhe ju kërkojë ndjesë se u zgjata por u ndjeva mirë mes jush. Ka dy elementë që unë dua  të ndaj me ju që në këndvështirmin tim janë tejet të rëndësishme. Në finale ekonomia është perceptim. Nëse e mbani mend në 11 shtator të 2011, pas sulmeve terroriste, presidenti amerikan doli në konferencë të nesërmen dhe i tha qytetarëve amerikanë: “Ne do të vazhdojmë mënyrën tonë të jetesës. Ju lutem konsumoni, konsumoni, konsumoni”. Perceptimi në ekonomi është gjëja më e rëndësishme dhe ju si studentë, aty ku gjërat në këndvështrimin dhe perceptimin tuaj lëvizin pozitivisht dhe ju i njihni shifrat, duhet të flasim mirë në favor të konsumit, sepse konsumi pastaj rrit xhiron ekonomike dhe rritjen ekonomike. Është shumë e rëndësishme që të injektojmë pozitivitet në ekonomi, jo në favor të një qeverie, as në favor të një kryeministri, por në favor të ekonomisë dhe të rritjes së mirëqenies.

 

E fundit, reforma në drejtësi është thelbësore edhe në aspektin ekonomik. Nuk mendohet reforma në drejtësi jashtë rritjes ekonomike dhe përmirësimit të imazhit. Sigurisht që reforma në drejtësi nuk do ta ndryshojë Shqipërinë brenda një nate, por do të fillojë atë farën e mirë ta rrisë në vite, në mënyrë që gjenerata e re, gjenerata tjetër të mos jetojë siç jetojmë ne, por të jetojë shumë herë më mirë dhe pa dilemën e drejtësisë. Në këndvështrimin tim personal por dhe në këndvështrimin tim politik reforma në drejtësi është nëna e reformave, është platforma ku fle i gjithë zhvillimi ekonomik i vendit.

 

Faleminderit!

Të rejat e fundit