Postuar më: 10/04/2014

“E vërteta e marrëveshjes me FMN, shlyerja e borxhit dhe puna me bizneset për antievazionin”

Sokol Balla: Z.Cani të fokusohemi pak tek marrëveshja me FMN. Duhet thënë që në të vërtetë nuk është se ka pasur një komunikim të hapur me publikun për sa i përket detajeve të kësaj marrëveshje. Pse?

 

Ministri Cani: Varet se çfarë nënkuptoni ju me komunikim me publikun!? Mund t’ju them se, sipas ecurisë së bisedimeve, negociatave, qeveria ka komunikuar me atë pjesë të publikut ose me grupet e interesit. P.sh, te KEK (Këshilli Ekonomik Kombëtar), ku anëtarë janë edhe shoqatat e biznesit, etj, një muaj përpara se të finalizonim këtë marrëveshje unë kam parashtruar se çfarë presim nga ky program.

Megjithatë, theksoj se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë, që unë njoh të negociatave, që çdo ditë, detajet të parashtrohen në publik. Publiku do të mësojë atë që duhet në çastin e duhur. Nëse je në negociata, për kushtet e saj dhe ku diskutohet interesi i kredisë, nuk mund t’i thuhet publikut shifra 5%, dhe pastaj 3% dhe më tej përfundon pas bisedimeve te 2%. Këto janë marrëveshje normale. Ndodh që edhe kryefamiljari nuk diskuton në familje me kaq detaje.

Mbaron një punë, mbaron një fazë, hidhet një shtresë le të themi në rrugë dhe pastaj publiku mëson të vërtetën e atyre ngjarjeve.

Ju do të kishit ndonjë dyshim që ne si përfaqësues të Qeverisë dhe të themi se Qeveria si përfaqësuese e popullit, do të bënim një marrëveshje në dëm të popullit?

Kjo marrëveshje jo vetëm që nuk është mbajtur sekret, por janë dhënë detaje që lidhen me huanë tani, sepse marrëveshja është një e tërë. Me FMN-në kemi një marrëveshje të tërë, për të cilën kemi negociuar nga mesi i muajit shtator 2013 dhe deri sa kemi arritur sot tek huaja. Kredia është pjesë e marrëveshjes, pjesë e punës që ne kemi bërë me FMN-në. Asgjë nuk ka qenë sekret!

Që në fillim kemi deklaruar se do të rithërrasim FMN-në, kemi deklaruar se çfarë është biseduar dhe çfarë po diskutohet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kam zbardhur kushtet e huasë. Të gjitha janë publikuar!

Të gjithë duhet ta kuptojnë (ata që janë sot në opozitë e kanë të qartë) se negociatat një ditë publikohen, asgjë nuk mbahet e fshehtë.

Duhet të dini edhe një fakt tjetër në lidhje me transparencën. Materialet e publikuara nga FMN-ja dhe BB-ja në faqet e internetit janë bërë me kërkesën tonë. Nëse ne do të këmbëngulnim, këto informacione, negociatat, termat, dokumenti i mirëkuptimit, etj, nuk do të dilnin, por ndodhi e kundërta. Ishim ne që e kërkuam.

Ne vijojmë të bisedojmë me FMN-në. Në fillim të muajit maj në Shqipëri do të vijë përsëri misioni i FMN-së dhe sërish do të bisedojmë, pra është një punë në vazhdim, dhe nuk mund të dalim çdo ditë dhe të flasim në publik për çdo takim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

 

Balla: Nëse opozita thotë se janë 21 kushte, që më thënë të drejtën unë i lexova dhe shumica prej tyre nuk janë kushte, por janë pjesë e programit elektoral të Partisë Socialiste, siç është taksimi progresiv, etj, megjithatë nëse vërtetë keni rënë dakord që të rritet çmimi i energjisë kjo është një gjë që publiku duhet ta dijë.

Ministri Cani: Ju mirëkuptoj, por le t’i ndajmë qartazi për publikun, për opozitën dhe pozitën. Zhurma në parlament u bë lidhur me huanë. Unë ju deklaroj me përgjegjësi maksimale, nuk ka asnjë kusht nga ato që janë përmendur apo përmendni ju lidhur me këtë hua. Kjo hua është e çlirët nga këto kushte.

Ju mund të merrni edhe ato që do negociojmë në prill dhe maj, sepse mes të tjerave ne do flasim dhe për vitin që vjen, se nuk mund ta lëmë për ta diskutuar në fund të 2014-s dhe ta bëjmë fakt të kryer. Jo! Ne kemi filluar negociatat edhe për 2015-n, edhe për 2016-n dhe ju kemi dorëzuar diçka edhe për 2015-n dhe 2016-n.  Ne do të hyjmë në negociata për 2015 më në detaje gjatë prill -maj, dhe më pas në një periudhë të dytë kur do të vijë misioni i FMN-së dhe n.q.s ju do na akuzoni përsëri se kjo është e lidhur me huanë tashmë të mbyllur, përsëri ju mund të keni të drejtën tuaj të thoni çfarë të doni.

Unë po ju përgjigjem drejtpërdrejtë. A ka huaja kushte, supozohet për ulje pagash, për ngrirje pensionesh, për rritje taksash? Kjo hua nuk ka asnjë kusht!

Tani, le të biem dakord! A kemi përmbushur kushte për ta marrë këtë hua? Po!

 

Balla:Cilat janë?

Ministri Cani: Janë mbi 20, janë 30 kushte të marra së bashku me FMN-në dhe Bankën Botërore, nga të cilat, më pak se 10,  pra 8 janë të ndërthurura, të përbashkëta mes dy institucioneve. Janë 22 parakushte të realizuara nga qeveria.

 

Balla: Pse e sollët FMN dhe a është gjë e mirë?

Ministri Cani: Le të themi, në një familje, kryefamiljari shkon dhe pi gjithë natën, luan edhe në kazino, na merr ca borxhe fshehtazi, dhe kur djali merr drejtimin e shtëpisë konstaton se babai fshehtas familjarëve paska marrë në borxh. Tani më thoni, ky djalë që e morri përsipër shtëpinë për ta miradministruar duhet ta nxjerrë këtë borxh në sipërfaqe? Pika e parë, besoj se nuk do ketë shqiptarë që nuk do thotë se në familje patjetër që duhet të deklarohet, sepse borxhi është aty. Ti e fsheh, por borxhi është aty.

Pika e dytë: Djali mund të mos e njoh borxhin duke thënë se e ka marrë babai, të cilin e ka përzënë nga shtëpia. Por kush ta pranon këtë? Është babai yt, ka qenë kryefamiljari yt, sa herë do ndryshosh kryefamiljarin do lësh pa larë borxhin!?

Natyrisht, nëse atëherë jemi dakord që ky borxh t’í njihet atij që ta kanë dhënë, do dalësh në pikën e dytë që do ta paguash. Dhe që ta paguash borxhin do të shkosh të gjesh para.

Ne si qeveri kemi deklaruar se e njohim dhe do ta shlyejmë këtë borxh, por duhet të gjejmë edhe fondet. Në këtë pikë, le t’i kthehemi simbolikisht shembullit të djalit kryefamiljar që mori drejtimin e familjes të zhytur në borxhe nga babai. Hapësira për tu gjetur paratë nga familjarët, do të jenë: duke punuar më shumë, duke punuar edhe në turn të dytë apo të tretë për të nxjerrë të ardhura shtesë.

Tani shqiptarët habiten si do të bëhet kjo!? Me taksa, sepse ke marrë një borxh, do të shlyesh një borxh. Për 18 miliardë lekë janë taksa të shtuara për të shlyer 35 miliardë lekë borxhe të marra.

 

Balla: Ju keni deklaruar se keni ulur taksat për 97%…?

Ministri Cani. Taksat janë ulur për 97% të popullsisë, rrogëtarëve, duke filluar prej datës 1 janar 2014 dhe kjo është evidente.

Për të gjetur paratë e nevojshme për të shlyer borxhin, mund t’i  rrisnim taksat me efekt 35 miliardë lekë në buxhet, por nuk vepruam kështu. Mund të ndiqnim rrugën tjetër, atë të marrjes hua në tregun e brendshëm bankar, por nuk e gjykuam kështu, sepse menduam t’ia lëmë hapësirën biznesit privat për kreditim.

Mund të dilnim në tregun ndërkombëtar, por nuk do të ishte e lehtë. Të dalësh në tregun ndërkombëtar duke deklaruar se ke rreth 6% të GDP borxh të fshehur dhe bashkë me të, borxhin publik në total e çon nga 65 në 70%, natyrisht që je në pikën tënde më të keqe. Për rrjedhojë do të merrnim kredi me interes të lartë. Por zgjodhëm rrugën tjetër: hymë në marrëdhënie me FMN-në dhe Bankën Botërore. E kishim gjykuar më parë se do të hynim në marrëdhënie dhe ndërkohë kërkuam edhe kredi prej tyre. Zgjodhëm këtë rrugë për të mos rritur taksat ndaj biznesit përtej kufirit, për të mos cënuar tregun e brendshëm bankar dhe për të mos marrë hua me kosto të lartë në tregun ndërkombëtar.

E vërtetë, ne e rritëm tatim-fitimin, nga 10 në 15%, nuk e fsheh si fakt. Qeveria demokratike e uli këtë taksë nga 20% që ishte, por kam dokumente që provojnë se ka rritur nga ana tjetër taksat e tjera për ta kompensuar këtë ulje me 100%.

Pasi ju drejtuam FMN-së dhe Bankës Botërore, filluam negociatat dhe ja ku jemi në këtë marrëveshje. Publikut dhe opozitës doemos, nuk i kemi zbardhur vetëm kushtet e huasë, termat, etj, por edhe memorandumin e mirëkuptimit, edhe të gjithë llojet e dokumenteve. Madje, i kemi thënë FMN-së të publikojë edhe pjesën teknike, hartuar nga grupi i tyre në lidhje me taksat, për të cilën ne nuk kemi rënë ende dakord, se cilat mund të rriten dhe cilat mund të ulen. Por po të doni, ju tregoj taksat e rritura në 8 vjet nga qeveria demokratike.

 

Balla:Pse borxhi i lartë është problem?

Ministri Cani: Po e thjeshtëzoj përgjigjen për publikun. Ju shkoni në një bankë për të marr hua dhe i thoni bankës se 70% të të ardhurave mujore të mia i kam borxh në një bankë tjetër. Bashkë me ju shkoj dhe unë për të marrë një hua, dhe i them që unë vetëm 10% të të ardhurave i kam të angazhuara me një hua në një bankë tjetër. Për ju, meqë jam bankier, 0 do merrni ose do e merrni me interesa shumë të lartë, kurse për mua do të zihen bankat se cila do të ma japë këtë kredi. Pra ky është dallimi.

 

Balla:Çfarë kushtesh ka kjo hua? Opozita thotë se nga 330 milionë euro, 30 milionë prej tyre janë interesa?

Ministri Cani: Me lejoni të bëj një krahasim me kredinë e marrë nga qeveria në vitin 2009, për të njëjtën situatë ku jemi. U morën rreth 195 milionë euro për Rrugën e Kombit me interes 13.5%, kurse ne e morëm huanë nga FMN-ja me interes 2%. Dallimi është i qartë.

Duhet të kuptojmë se nuk shkuam te FMN-ja dhe BB-ja për të kërkuar hua kur ishim keq. Ne kishim dyshime për ekonominë. Ka të bëjë shumë sinqeriteti. Atje ku merr borxh, kur je i sinqertë dhe i tregon të gjithë të vërtetën ashtu siç është, natyrisht që është më e lehtë, e merr borxhin edhe me kushte më të lehta. Së bashku me këto dy institucione, përfshi edhe ndihmën e BE-së, do të kemi rreth 800 milionë euro (rreth 1 miliard dollarë) si program në 3 vite. Për vitin 2014, parashikojmë një rritje ekonomike 2.1%.

 

 

 

Pjesa e Dytë

 

Balla: Zoti Cani ju vetë, personalisht, në cilësinë e ekspertit si ish-Guvernator i Bankës së Shqipërisë, gjatë viteve 2009 e këtej në daljet tuaja publike keni ngritur ndër të parët alarmin se ekonomia po shkon në drejtimin e gabuar, aq sa deri diku keni “marrë” edhe kritika nga institucionet ndërkombëtare në nivel personal. Tani që të marrim përgjigje konkrete, meqë ju keni financat e shtëpisë sonë në duar tuaj, është vërtetë gjendja aq alarmante, sa mendonit se ishte?

Ministri Cani: Në shumë drejtime, madje edhe më keq nga sa e prisja. Sidomos administrata. Kurrë nuk kisha menduar se do të kisha një administratë kaq të demoralizuar dhe kaq të papërkushtuar për punët e shtetit.

Ky ishte një zhgënjim i madh, dhe të prishësh administratën do shumë punë për ta rivënë. Nuk po flas vetëm për Ministrinë e Financave, por për administratën në tërësi.

Megjithatë, le të ndalemi tek ekonomia, rritja e saj. Përveç vitit 1997, në dy dekada kishim një ekonomi me rritje mesatare 6 % dhe në tremujorin e tretë 2013 me -2.6 %. Natyrshëm që kjo është goditje e fortë për ekonominë shqiptare. Le të marrim një tregues tjetër, kreditimi. Nga një ekonomi e mësuar në 2005-2007 me një rritje çdo vit nga 30-50%, aktualisht niveli ka rënë në 0, në mos në minus.  Kreditë me probleme, nga 2.4% aktualisht janë 24%, pra kemi një 10-fishim.

Të ardhurat nga tatim- taksat, doganat, pra të ardhurat e buxhetit, në fund të 9-mujorit të parë të vitit 2013 ishin 200 milionë USD më pak nga objektivi ose 100 milionë USD nga viti 2012.

Në këto kushte nuk e di ku ta kërkojmë ekonominë të jetë më keq?

Për të qenë realist, korrekt me të gjithë publikun, unë kam folur për një nivel huaje në terma real afër 100% të GDP-së, ndërsa sot deklaroj për 70-75% të borxhit publik. Përse e shtoja unë 30%? Sepse shteti ka nxjerrë disa akte ligjore, disa vendime gjykatash të të gjithë llojeve, të cilat nuk i paguan. P.sh. u ka thënë ish-pronarëve se do i shpërblej, por nuk i ka shpërblyer ose p.sh. vendime nga gjykata e Strasburgut. Quhet apo nuk quhet borxh? Nëse do shtojmë këto, shkojmë pa frikë tek 100%.

Le të marrim dhe 2-3 elementë të tjerë. Në 16 shtator kur mora detyrën e ministrit të Financave gjeta një borxh 66%, gjej një borxh të fshehur prej 5.3% të certifikuar nga ne dhe FMN-ja, por edhe nga një audit ndërkombëtar. Rreth 720 milionë USD, por mund të ndryshojë pasi ende nuk e kemi mbyllur.

Më 16 shtator, kur shkoj në zyrë, ditën e parë të punës gjej 100 milionë USD fatura që prisnin prej muajsh në thesar për tu paguar. Pra, ishin fatura të njohura, detyrime të njohura nga qeveria, jo këto të panjohurat (720 milionë USD). Qeveria i njihte këto fatura të mbetura me muaj në thesar, por nuk kishte mundësi t’i paguante. Brenda një muaji e gjysmë u shlyen nga qeveria e re.

 

Balla: Me sa lekë e gjetët arkën e shtetit?

Ministri Cani: Afër zeros-s. Nuk shlyenim dot. Po qe se në thesar ke 100 milionë USD fatura që nuk i shlyen dot, do të thotë që nuk ke gjendje, s’ke likuiditet.

 

Balla: Ju po merrni hua 330 milionë dhe ndoshta do arrini në një miliardë, po a janë të mjaftueshme?

Ministri Cani: Kush ju tha që është e mjaftueshme, unë ju thashë që do marrim një miliardë në të tre vitet.

Le të dalim përtej kësaj. Një herë për çfarë e morëm huanë? Për të shlyer një borxh të vjetër dhe ka logjikë në këtë, d.m.th që ti të mos e lësh biznesin, që unë t’i kem hua dhe të mos guxojë ta artikulojë. Se kanë harruar pak shqiptarët, nuk guxonte huadhënësi t’i thoshte më ke hua qeverisë. Në emisionin tuaj kemi qenë që nuk e artikulonte. Tani e artikulon. Shyqyr, kjo është demokracia.

Së dyti, ai e artikulon, unë i them do të ta paguaj. Borxhin do ta shlyejmë për 3 vjet.

Ka disa parakushte që kur i plotëson, merr kredi dhe është sukses, sepse ti ke përmbushur disa parakushte, ajo bankë, FMN-ja që të jep kredi, pra gjykon se je i përshtatshëm për të marrë kredi, sepse ti ke plotësuar disa parakushte. Tani përsëri habiten shqiptarët që ka disa kushte për të vazhduar me këtë kredi? Natyrisht. Kur ju mendoni t’i jepni borxh dikujt natyrisht që ka disa parakushte, që unë të mos shkoj kazinove, etj. Dhe pastaj do më vësh disa kushte që të mos shkoj në kazino, por të shkoj në punë dhe të nxjerrë të ardhurat.

 

Balla: Dhe cilat janë kushtet?

Ministri Cani: Të gjitha kushtet që kemi janë vetëm një pjesë e programit të qeverisë të koalicionit, vetëm një pjesë, ndoshta 1/3. Ne që kur kemi ardhur në pushtet kemi deklaruar qartazi që kemi ndërmend të bëjmë reforma strukturore, që parafolësi i artikuloi si reforma që duhen doemos. Nuk mundet një qeveri të bazojë gjithë punën e vet tek borxhi. E kundërta do kishte qenë e thjeshtë, nuk do kishte nevojë për qeveri. Në radhë të parë janë të ardhurat që do i realizosh vetë, sepse vetëm buxheti i një viti është mbi 300 milionë euro, kështu që kështu sigurove 100, po ku ta gjesh pjesën tjetër.

Janë të gjitha reformat: pensionet, energji, arsimin, shëndetësi, nuk ka sektorë të ekonomisë që nuk do të reformohet. Do reformohen thelbësisht, ka nga ata që kanë nevojë për rregullime. Gjendja në të cilën jemi, kërkon reforma.

 

Balla: Të gjitha qeverive u ka ndodhur që në mandatin e fundit kanë degjeneruar?

Ministri Cani: Qeveria që iku i rastisi në 5 vitet e fundit.

Tani jemi shumë pranë vitit 1997.

 

Balla: Kujdes me këto deklarata! Ju thoni se ekonomikisht jemi pranë ’97?

Ministri Cani: Në fund të vitit, kur e morëm në 16 shtator? Asnjë dyshim të mos keni. Në ‘97 kishim prapë gjendje pak rezerva, tani s’kishim.

Unë nuk i kam shumë qejf këto deklarata, por nëse doni, meqë fola për krahasimin e kredisë së 2009-s me këtë hua të FMN-së, do ta çoj për ndjekje penale marrjen e asaj kredie me 13.3% kur në treg mund të merrej më lirë. Do ta çoj për ndjekje penale.

 

Balla: Kë do çoni për ndjekje penale? Z.Bode?

Ministri Cani: Po, ish-ministrin e Financave. Të mos e kishte marrë atë kredi, nuk ka asnjë argument. Ka shkelje procedurash njëra pas tjetrës.

Si nuk është gjendja si në ‘97? Unë po ju parashtroj: borxh i fshehur, fatura që presin, rritur 10 herë gjendja e kredive të këqija, kreditimi 0, buxheti 200 milionë më pak. Po pse çfarë mund ta gjejë Shqipërinë? Ju mendoni që Shqipërisë t’i bjerë bomba atomike që të na gjejë e keqja?!

FMN-ja për herë të parë pranon elasticitet, pra n.q.s ekonomia shqiptare nuk rritet tek 2-2.1%, FMN-ja pranon që qeveria shqiptare të mos angazhohet në shlyerje borxhi, por të angazhohet në nxitje të ekonomisë. Natyrisht që më takon si ministër i Financave, në emër të qeverisë të them që është rezultat i një suksesi të madh të qeverisë shqiptare, është një rezultat i një suksesi të madh në raport me pasojat e vendeve të tjera si Greqia, pasi FMN-ja mësoi të mos vazhdojë me politika kaq të egra.

Së dyti, ne gjykuam që nxitësi, përshpejtuesi i rritjes ekonomie bazohet në 2 elemente të menjëhershëm dhe pastaj në  elementin e tretë, me shtrirje kohore më të gjerë.

Elementi i parë shlyerja e gjithë borxheve të vjetra. Pra që t’i fusësh ekonomisë 350 milionë USD injektim likuiditeti, por jo për ekonominë publike, por për gjithë bizneset private, do të thotë të përmirësohesh gjendjen ekonomike financiare të biznesit, do të thotë që ai biznes të mendojë për të investuar për nesër, do të thotë që do hap më shumë vende pune,  sepse ndonjëherë publiku ka pak “inat” që pse ja japim biznesit? Ja japim për publikun, sepse ai biznes do i fusë në punë dhe do hapë vende pune.

Ne gjykuam që do përshpejtojmë investimet. Dhe sa për ta ditur ne detyrimin e kemi marrë 350 milionë USD brenda vitit 2014 , ne shpresojmë dhe duken të gjitha bathët që në 30 qershor do t’i shlyejmë 350 milionë USD, që janë detyrime ndaj biznesit, pa harruar detyrime vendimesh gjykatash ndaj individët.

Sa kemi shlyer deri tani? Kemi shlyer 200 milionë USD. Kemi filluar, nuk jemi në gjumë, nuk po premtojmë për një gjë që do të vijë, kemi bërë mbi gjysmën e tyre.

Elementi i dytë i nxitjes ekonomisë që besoj biem dakord, janë investimet dhe investime publike sa më shumë dhe ne për këtë u lejuam edhe nga FMN-ja që ta rrisim pak borxhin gjatë vitit 2014 për të parë kurbën ulëse në vitet 2015-2016-2017, për ta çuar tek 65% më pas, por jo këtë vit.

Pse? Për të nxitur ekonominë. Pse? Sepse biznesi dhe bankat kanë rënë në një ngërç. Bankat janë konservatore për të dhënë kredi, biznesi nuk pasqyron pasqyra të kënaqshme financiare për ta marrë kredinë atëherë ne gjykuam që ta angazhojmë biznesin nëpërmjet veprave publike dhe për këtë do të jetë afërsisht 1 miliardë euro investime bashkë me këtë shlyerjen e detyrimeve të vjetra, sepse dhe ato investime janë në vetvete, në mënyrë që të nxitet punësimi, biznesi, etj.

Ndërkohë duke shlyer detyrimet e vjetra, duke dhënë investime ne nxisim edhe bankat, sepse tërë këto biznese do shkojnë të shlyejnë kreditë, etj.

 

Nazarko: Zoti ministër, e dini se është “kërcënim kinez” ai për Boden, sepse këtu nuk dënohet njeri?

Ministri Cani: Ju mirëkuptoj, por me një kusht! Që unë të zbatoj të drejtat e një shteti demokratik që ta çojë për ndjekje, pastaj po të doni ta bëj edhe policin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin…

Deri tani, në prokurori, Ministria e Financave, vetëm si ministri, ka dërguar 94 raste. Se çfarë bën prokuroria, është pjesë e saj, se çfarë bëjnë gjykatat, është pjesa e tyre.

Por jo pa u shqetësuar si ministër i kësaj qeverie. Natyrisht kam dhe unë përgjegjësitë për ta ndjekur më tej. Unë nuk dal në publik për të treguar, sepse nuk është ndonjë fitore e madhe që të thuash po padis, po çoj për ndjekje penale, jam i heshtur, por bëj punën e shtetit.

D.m.th has ngjarjen, e gjykoj për ndjekje penale, e çoj për ndjekje penale, sepse secili në Shqipëri gjykon të veprojë në përputhje ose në shkelje të ligjit, dhe mbi supet e veta i ka llogaritur këto përgjegjësi, ka llogaritur se mund të vijë një ministër si Shkëlqim Cani, i cili nuk heziton të të çojë në prokurori për shkelje, nuk janë vetëm ish-ët, por edhe ekzistuesit dhe kushdo t’i dalë për zot ligjit, rregullit, sepse në fund fare do arrijmë tek shteti që funksionon  me ligjet e veta.

 

 

Balla: E keni dorëzuar mandatin e deputetit?

Ministri Cani: Jo!

 

Balla: Kur do ta dorëzoni?

Ministri Cani: Po të shohim. Ju doni parashikime…?

 

 

Pjesa e Tretë

 

Balla: Ekonomia në tërësi, bilancet, evazioni, sa qëndron skandali i faturave të dyfishta?

Ministri Cani: Natyrisht kjo që është një temë e gjerë dhe nganjëherë merr edhe retorikë dhe duket sikur flitet për një ardhme që asnjëherë nuk po vjen, kjo çështja e evazionit, korrupsionit në ekonomi dhe për pasojë dalim tek trajtimi jo i barabartë i bizneseve dhe në një padrejtësi e madhe në shoqëri ku ca paguajnë dhe u rritet pagesa nëpërmjet sistemit të taksave etj, dhe ca të tjerë që i shpëtojnë kësaj. Unë do doja të thosha se le ti referohemi ministrisë së Financave dhe për analogji po them edhe për energjetikën, etj.

Për vitin 2014 në buxhet ne parashikuam rritje të të ardhurave nga tatim-taksat dhe doganat në një shumë prej 40 miliardë lekësh ose 400 milionë USD. Në 6 muaj qeverisje e krahasuar pra tetor 2013-31 mars 2014, me tetor 2012-31 mars 2013 ne kemi realizuar 170 milionë USD më shumë.

 

Balla: Si jeni në raport me 400 milionëshin si plan?

Ne e kemi realizuar 170 milionë çka tregon se ne po ecim në rrugë të mbarë.

Pika e dytë është: kemi 40 miliardë lekë për të realizuar objektivin tonë në të ardhura, pra të ardhurat tona të këtij viti, 2014, janë 40 miliardë lekë më shumë se viti 2013. Në këto të ardhura, meqë e lidha me evazionin,  afërsisht 18 miliardë ose afërsisht gjysma e tyre, janë të ardhura të cilat nuk vijnë nga rritja ekonomike, nga rritja e çmimeve ose nga formula e thjeshtë e rritjes së të ardhurave për pasojë të rritjes ekonomike dhe rritjes së çmimeve, por janë pa faktor ose në luftë ndaj evazionit dhe me shtrirjen e bazës në tatimpagues.

Pra që do të thotë është luftë kundër evazionit. Në këtë periudhën 3-mujore ne jemi në rrugë të mbarë në realizimin e atyre detyrimeve që kemi, pra ne i kemi realizuar objektivat që kemi si Ministri Financash. Kritika që na vjen nga pas veshit, nga opozita është që ne nuk qënkërkemi të saktë në parashikim. Për korrektesë ndaj jush, ndaj publikut, ndaj opozitës, sepse natyrisht që çdo fjalë që unë them mund të më vijë e komentuar, ne kemi ndjekur të njëjtën metodologji që është ndjekur 3-4 vitet e fundit. Pra siç ishte tremujori i parë i viti 2013, 2012, 2011, ne kemi ndjekur të njëjtën metodologji, pra sikur ishte dikush tjetër ministër, si unë ministër, ne ndoqëm të njëjtën metodologji dhe kemi realizuar objektivat, pra kjo tregon se ne duket se do jemi në rrugë në mbarë.

Ne shpresojmë që në mes të vitit të dalim dhe më shumë nga ç’kemi objektivin.  Cila është paketa? Çfarë ne sjellim të re në klimën e biznesit, në një motor të përmirësuar, etj?

Le të nisim tek klima e biznesit që janë disa faktorë që ne kemi punuar deri tani. Janë një sërë ligjesh të cilat ne po mundohemi t’i përmirësojmë me një kusht, që ti sjellim ose në standard ose pranë standardeve të BE-së. Ne jemi një vend që aspirojmë BE-në dhe doemos duhet të bëjmë ligje për BE-në.

Është ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, ligj i cili ka tre muaj që konsultohet në biznes.

E para, është një ligj i hartuar për të hyrë në 1 janar 2015, që po konsultohet, pra korrigjimi që thoni  dhe ndërkohë ligji drejt BE-së. Së dyti, kemi Kodin Doganor, i cili është prezantuar në KEK etj, i cili pretendohet, them pretendohet sepse dua të jem serioz me publikun, se ne themi është sipas standardeve të BE-së.

Nga ana tjetër ne themi se biznesit do i bëjmë one-shop etj, pra ne duam që të heqim dorë që në dogana kur shkon të mos i dal ai taksidari i famshëm ti thotë që më jep kaq, bëj kaq, por të paraqitet në sportele.

“Crown Agents” është për një punë në terren, pra doganierët shqiptar në një makinë me ndihmësit e tyre të “Crown Agents” shëtisin në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që standardet evropiane të zbatuara nga një institucion, i cili jetë e mot ka punuar me standarde ndërkombëtare dhe me praktika të BE-së, kërkon ta shtrijë në doganën shqiptare dhe shqiptarët ballafaqohen me të huaj dhe me shqiptarë, që edhe nëse ai doganieri shqiptar shkel një standard, është ai i huaji bashkë me tregtarin shqiptar që do t’i tregoj se ky është rregulli në Shqipëri. Ata kanë edhe kushte, për të qenë korrekt, sepse ata kanë tregues performance, por ajo që më është e rëndësishme është fakti se ata po trajtojnë 50 doganierë shqiptarë (plani është deri në 500), në mënyrë që pas një kontrate 2- vjeçare të mos lihet toka djerrë dhe shqiptarët të nisin të plugojnë me modelin shqiptar, por me modelin evropian, të zbatojnë një praktikë europiane.

Bankat. Ligji i heqjes nga bilanci të kredive të këqija. Kur një bankë do të gjykojë që ajo kredi nuk ka më shpresë, dikur organet e taksave shqiptare i thoshin se nuk na duhet por na jep një fitim të supozuar. Ne hoqëm dorë nga kjo dhe bankat po e pastruan nga bilanci, pra të ulin kreditë e këqija, ne s’kemi ca i marrim fitim, dhe kemi hequr dorë nga ky lloj fitimi.

Bankat na kërkuan që përmbaruesit të mos paguhen me të gjithë shumën që në fillim, 7% të vlerës së kredisë dhe ata pastaj shkonin në infinit mbledhja e kredisë. Jepet një përqindje në fillim, sepse ai ka një kosto për ta mbledhur kredinë, dhe shumicën do e marrin në fund, kur përmbaruesit do kenë mbledh kredinë, pra do bëhet sipas perfomancës.

Deri tani ne jemi marrë shumë me biznesin. Besoj, ka njerëz, individë, që kujtojnë sikur ne kemi harruar detyrën kryesore, si organe të tatimeve, të doganave dhe ne flasim vetëm për “muaj mjalti” me biznesin. Është e vërtetë, por kjo nuk do të thotë se ne kemi harruar të bëjmë detyrën tonë, po merremi edhe me  mbledhjen e të ardhurave. Po pse? Pasi marrëdhëniet biznes-taksidar shkuan në një gjendje të keqe, ne tashmë e kemi thirrur në mënyrë sistematike biznesin për të na treguar se ku ata kanë vuajtur nga ne. Meqë po më jepet rasti tek ju dhe në fakt një pjesë biznesi e ka bërë, i kemi bërë thirrje biznesit edhe për një praktikë që duhet si e tejkaluar për Ministrinë e Financave, ju themi ku jemi sjellë keq me ju, ose ku ligji, akti nënligjor ju dëmton, ripunoheni si e doni ju, na e paraqisni dhe ne do të jemi shumë serioz në marrjen parasysh të vërejtjeve tuaja. Kjo nuk do të thotë se ne do bëjmë çfarë thonë ata.

Roli i fundit i qeverisë është të balancojë diçka mes biznesit dhe popullit, ne jemi qeveri, ne e dimë që do të qeverisim, por që biznesi të na tregojë se ku çalon dhe si e mendon ta rregullojë, kjo nuk ka asnjë të keqe. Pse? Të marrësh një zotim që brenda 6-mujorit të parë ne do të rishikojmë të gjithë legjislacionin, jemi të gatshëm, nuk mund të bëhet nga ne vetë, se ne 10 burokratë kemi aty, pra ne e kemi bërë edhe mbi shpatullat e biznesit, pra do ta paguajë biznesi ekspertin më të mirë, do ta gjejë për ta bërë atë ligj sa më mirë të jetë e mundur dhe sigurisht që nëse ai ligj përputhet me standardet dhe ai ligj funksionon në Gjermani, Francë, Maqedoni po të doni, natyrisht që do të funksionojë edhe në Shqipëri dhe ne jemi gati ta marrim.

Tjetër ne themi p.sh. kasat fiskale. Që të dal tek pjesa shtrënguese, se deri tani u thashë “muajin e mjaltit”, por “muaji i mjaltit” nuk nënkupton se kemi detyrime familjare çifti, do të thotë që do fillojë ajo që quhet punë e të dyve. Pra pasi të nxjerrim aktet ligjore duhet t’i përgjigjen ligjit dhe ajo që dimë të gjithë është që kasat fiskale nuk funksionojnë në Shqipëri. Doni t’ju gënjej? Si do jetë? Do jetë mbi bazë risku, do jetë i lidhur online dhe atij taksidarit sapo ti nuk punon 3 orë me kasën, do i dali vijë e kuqe se ky dyqan nuk po punon me kasën dhe ai do vijë aty dhe do të thotë: zotëri ke 3 orë që nuk po punon, ky dyqan është i mbushur me klientë.

Gjithashtu, ne mendojmë që ndoshta në korrik të hedhim lotarinë e kuponit të kasave, në mënyrë që ta nxisim konsumatorin të tërheqë kuponin, në mënyrë që edhe ai individi të jetë i interesuar.

 

Balla: Paralel me atë lotarinë që thatë do e mbyllim dhe nuk e mbyllët?

Ministri Cani: Meqë më provokuat, sa edhe ajo është pjesë e Ministrisë së Financave, po ju them se janë katër kontrata koncensionare , mos kujtoni se nuk janë parë një më një. Vetëm duhet të dini një gjë: Ne kemi deklaruar që do të mbyllim të gjitha ato që janë antiligjore.

Ne menduam, mendojmë që se është në dëm të interesave dhe nëse ndonjë nga publiku që na dëgjon nuk mendon që ajo qeveri që ishte, me ligj ama, i cili t’i mbyll ca dyer, nuk ka lidhur, të themi, një kontratë të skanimit të mallrave me 39 euro kosto për çdo deklaratë që i kalon 1 mijë dollarë, dhe nuk mendon se na ka dëmtuar ne të gjithë shqiptarët, bën gabim. Dhe ne e denoncojmë që nuk është mirë, por ama nuk mund të dalim përtej ligjit, nëse nuk ka shkelje ligjore.

Por çfarë konstatoj? Shikoni çfarë paradoksi ka. Malli skanohet apo nuk skanohet, kalon tranzit apo jo, hyn njëherë për fasonistin si import dhe del si eksport duhet të paguajë 39 euro nëse është më shumë se 1 mijë USD. Ju mendoni se ne kur ishim në opozitë dhe jemi në qeveri duhet ta pranojmë këtë? Natyrisht që ne kemi hyrë në negociata me firmën për t’i treguar se kjo është kundër interesave të shqiptarëve, biznesit shqiptar dhe ne natyrisht që ne do mundohemi që nen më nen ta qëmtojmë kontratën dhe ligjin dhe nëse gjejmë një shkelje, ne ta prishim atë kontratë.

 

 

Komenti përmbledhës i ministrit

Ministri Cani: Lamë pa përmendur një strategji të tërë që po ndërtohet dita-ditës nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për investimet e huaja direkte dhe kur flasim për këtë natyrisht që janë nënkuptuar edhe investimet.

Jemi mësuar të dëgjojmë vetëm për material-porositësit (fasonët)  p.sh. 42 masat lehtësuese fiskale, etj, por po përgatitet një strategji ose një program i tërë për investimet e huaja direkte, ku do të krijohen lehtësira për biznesin në të gjitha drejtimet, në mënyrë që të nxirren, qoftë investime prodhuese, shërbime, etj si të huajt edhe vendasit.

Po kështu p.sh mund t’ju them edhe për energjinë. Nuk është parë vetëm si fushatë, ku ju them që duhet një reformë strukturore dhe tërësore, nuk është nënkuptuar as CEZ më vete, sepse kemi një problem për ta zgjidhur me CEZ, as KESH më vete, që është një problem tjetër që shet me një çmim më të lirë nga ç’blen, as edhe hidrocentralet e vegjël që në vetvete janë një problem më vete dhe meqë më kujtuat Bulqizën dhe që një pjesë e popullsisë atje proteston sepse ka hallin ujit të pijshëm apo ujin për ujitje që hidrocentrali ja merr gjatë verës, apo kromin që po shitet pjesë-pjesë dhe nuk po ndërtojmë një strategji të tërë.

Të gjitha këto nuk është se janë lënë në harresë, por natyrisht që s’mund ti përmend të gjitha. Shqiptarët nuk e dinë që qeveria ka një muaj realisht, që po merret seriozisht me thatësirën. Kemi 35% më pak reshje në Shqipëri, më pak reshje shiu, dëborë, që do të thotë se do kemi probleme shumë serioze me energjinë dhe kemi një muaj për të gjetur burimet alternative se do importojmë nga 100 milionë deri në 200 milionë euro energji shtesë, jashtë buxhetit, dhe ne po merremi. Sigurisht dikush mund të na akuzoj pse në sekret, por çfarë të bëjmë? Natyrisht që është detyra jonë, i dalim për zot, e kuptojmë që është problem, pra energjia është komplekse dhe nuk është vetëm çmimi, që më duket ana më e lehtë e problemit.

 

 

Pyetjet e fundit

 

Balla: Do i rrisni rrogat?

Ministri Cani: Rrogat janë rritur në 1 janar 2014, duke ulur tatimin mbi të ardhurat personale, ku 97% e popullsisë ka marrë rritje page.

 

Balla: Edhe pensionet do i rrisni?

Ministri Cani: Pensionet do të indeksohen në bazë të ligjit.

 

Balla: Do të ngrini rritjen e tyre të mëtejshme?

Ministri Cani: Jo. Nuk ka asnjë lloj marrëveshje të tillë.

 

Balla: Do të ketë rritje të tjera taksash?

Ministri Cani: Jo, nuk ka asnjë marrëveshje për rritje taksash.

 

Balla: Nuk ka lidhje me marrëveshjen, do të rrisni taksat apo jo?

Ministri Cani: Ju më pyesni se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Unë po ju them që sot nuk do të bëjmë asnjë nga këto veprime që thatë ju. Po më thatë se nuk do të jenë 200 milionë kosto nga thatësira, por 800 milionë euro, natyrisht unë do them se do shkurtojmë investimet, do të ribalancohet buxheti, do të ndodhë kjo apo ajo…

Tani unë po ju përgjigjem që me këtë situatë që njohim, edhe thatësirën me efektet e llogaritura, nuk kemi ndërmend të bëjmë ato që na përflet opozita dhe nuk kemi asnjë lloj marrëveshje me dikë të fshehtë apo të hapur për këtë çështje.

Të rejat e fundit