Postuar më: 25/04/2014

“Doganat, unifikim legjislacioni Shqipëri-Kosovë”

Si fillim dua falenderoj shumë kolegun, mikun tim, ministrin e Financave të Kosovës, z.Besim Beqaj për ndihmën në ato punë që kemi filluar të bëjmë. Gjithashtu më duhet të falenderoj edhe kryeministrin për trajtimin në detaje të çështjeve doganore. E përmenda falenderimin për kryeministrin më shumë për ta ditur ju biznesmenë, pasi kur kryeministri i di në detaje gjërat, është shumë e vështirë që ti shmanget mosrealizimit të ndonjë kërkese apo detyrimi që ke marrë përsipër.

Por meqë është rasti dhe më takonte në fakt të uroj mirëseardhjen, sidomos për palën kosovare që ka bërë rrugë për të ardhur deri këtu. Do ti sugjeroja biznesit të shfrytëzonte  rastin për të qëmtuar akoma më shumë dhe të parashtronte kërkesa, sepse çfarë u thanë ndoshta janë një pjesë e mirë edhe e kërkesave tuaja, por për nevojat tuaja ju do të dini ti hartoni, ti artikuloni këtu edhe më mirë, morinë e kërkesave që keni ndaj nesh.

Janë tre –katër pika ku unë do të dëshiroja të ndalem. Do e nis nga ajo që të dy parafolësit, si Kryeministri dhe ministri i Financave thanë. Ne e ndjejmë dhe e pranojmë se jemi larg asaj që dëshirojmë, larg asaj që synojmë, në fakt edhe larg asaj që të gjithë bashkë në këtë tryezë të rrumbullakët ndjejmë që nuk kemi bërë ndaj shtetasve shqiptarë në të dy krahët e kufirit.

Do të desha të ndalem së pari në aspektin e legjislacionit. Kuptohet bashkë me ministrin e Financave, bashkë edhe me dy drejtorët e doganave, ne e dimë se legjislacioni doganor  ka nevojë për tu përmirësuar. Mendoj se është jo dhe aq e vështirë për tu bërë ky përmirësim pasi të dy administratat do punojnë si për tu përafruar drejt njehsimit, qofshin kodet doganore apo aktet e tjera nënligjore, qoftë përafrim me synim realizimin e standardeve të BE. Kështu që doemos që nuk kemi pse ne të justifikohemi në qoftë se puna jonë nuk do ecë shpejt lidhur me këtë çështje. Dhe për këtë, natyrisht që ka nisur puna me ngritjen e grupeve teknike.

Së dyti dhe më e rëndësishmja, është zbatimi në praktikë, sepse ne ndonjëherë ligjet dhe aktet i kemi mirë, por i zbatojmë keq. Ne kemi përzgjedhur një kompani ndërkombëtare, “Crown Agents” e cila  synon veç të tjerash të na përafrojë edhe më praktikën, duke na këshilluar atë të BE-së. Kuptohet që siç tha kryeministri, ne e pranojmë shumë qartazi dhe hapur që ka praktika shumë të mira dhe në kahun e administratës kosovare, në rastin konkret të doganave, por si ministër i Financave them edhe më tej, dhe për tatimet etj, dhe ne natyrisht që do e shohim me shumë përparësi.

 

Një pikë e tretë që doja të prekja është që ne nuk kemi synim vetëm mbledhjen e të ardhurave, por synim parësor sigurisht që kemi lehtësimin e tregtisë, biznesit, investimeve në të dy vendet respektive.

 

Në fund do doja të thosha që me këtë rrugë, ne jo dy ditë siç tha kryeministri, por duhet të synojmë dy orë e pse jo edhe dy minuta nesër, dhe nuk ka arsye, nuk na justifikon asgjë. Kuptohet se lufta ndaj korrupsionit, ndaj evazionit dhe ndaj krimit është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të të gjithëve ne.

Nuk është vetëm e qeverisë, por është e të gjithëve ne!

Të rejat e fundit