Postuar më: 11/10/2019

Denaj: Zbatimi i reformave strukturore ka rritur aftësitë konkurruese në vend

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Shkolla e Ekonomike dhe Shkencave Politike e Londrës, me temë “Një botë e re e Guximshme- E ardhmja e Bankingut në Evropën e Zhvilluar”.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj vlerësoi se Shqipëria në dekadat e fundit është transformuar ekonomikisht, duke i hapur rrugën një tregu me potenciale dhe mundësi jo vetëm në terma të burimeve natyrore, por edhe të kapitalit njerëzor. Rritja ekonomike e qëndrueshme dhe konsolidimi i kuadrit makro-fiskal në vitet e fundit, theksoi Ministrja, i kanë shërbyer uljes së papunësisë dhe përthithjes së investitorëve të huaj.

Megjithatë, Ministrja vuri theksin në disa elementë të rëndësishëm në sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme në afatmesëm, si: fokusimi në sektorë me potenciale për zhvillimin ekonomik, si turizmi apo bujqësia; rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit të mesëm; aksesin në financë; si dhe formalizimin e ekonomisë.

“Duhet të kemi fokus në strukturën e ndikimit në rritjen ekonomike dhe mbi të gjitha në potencialet ekonomike që ka vendi ynë në disa sektorë, siç është ai i bujqësisë apo turizmit dhe, në këtë aspekt, kuptohet që zhvillimet infrastrukturore janë të rëndësishme, po jo vetëm. Rritja e konkurrueshmërisë së biznesit të mesëm në Shqipëri është po aq e rëndësishme, formalizimi i ekonomisë është po aq i rëndësishëm dhe aksesi në finance vjen si një element i domosdoshëm për ta bërë këtë rritje të qëndrueshme në terma afatmesëm”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja u shpreh se perspektiva ekonomike në terma afatmesëm mbetet pozitive me një nivel mesatar inflacioni në nivelet e 2% dhe me një politikë monetare stimuluese.

Gjithashtu, znj. Denaj vlerësoi edhe zhvillimet në sektorin bankar, i cili sot është i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, duke shërbyer si një katalizator në rritje për kreditimin e sektorit privat, ndersa niveli i kredive të këqija ka zbritur në nivelet e 11.2 %.

Ministrja Denaj shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të vijuar reformat dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në sektorë të ndryshëm, në mënyrë që të mundësohet një rritje ekonomike e qëndrueshme, në nivelin prej 3-4 për qind.

“Zbatimi i reformave të administrimit fiskal si pjesë e reformave më të gjëra strukturore do të ndihmojë rritjen e aftësisë konkurruese, rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e inovacionit duke siguruar kushtet të barabarta konkurrence ndërmjet lojtarëve në treg”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja përmendi disa nga ndryshimet ligjore kryesore që janë ndërmarrë së fundmi, si Ligji i Unifikuar i Investimeve në bashkëpunim me IFC, projektligji për “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, ndërsa në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë synohet përmirësimi i kuadrit ligjor financiar për Sistemet e Pagesave apo për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Denaj u shpreh se, vetëm përmes reformave të integruara me të gjithë aktorët mund të shkohet përpara drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

 

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar z. President,

I nderuar Guvernator,

I nderuar z. kryetar i komisionit të Ekonomisë,

Të nderuar bashkëpunëtorë të London School of Economics,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë, ku të theksojmë të gjitha shqetësimet e ngritura deri tani për rolet e institucioneve dhe se si këto të gërshetohen për të sjellë një prosperitet për të gjithë.

Roli i institucioneve të konsoliduara në Shqipëri mbetet imperativ në mbarëvajtjen e politikave qeveritare, por jo vetëm. Banka e Shqipërisë ndër vite ka dëshmuar stabilitetin dhe përqasjen e duhur institucionale kundrejt angazhimit për një ekonomi të qëndrueshme dhe në zgjerim të vazhdueshëm dhe për këtë Ju përgëzoj.

Në dekadat e fundit Shqipëria është transformuar ekonomikisht, duke i hapur rrugën një tregu me potenciale dhe mundësi jo vetëm në terma të burimeve natyrore, por edhe të kapitalit njerëzor. Rritja ekonomike e qëndrueshme dhe konsolidimi i kuadrit makro-fiskal, në vitet e fundit, i kanë shërbyer uljes së papunësisë dhe përthithjes së investitorëve të huaj.

Po a është kjo e mjaftueshme? Sigurisht që jo. Rritja ekonomike do një vëmendje si në aspekt shifrash, ashtu edhe strukturash dhe sigurisht ulje të ndikimit të përqendrimit në sektorë të veçantë, si ai i energjisë, i cili në terma të 6-mujorit të parë ka pasur një ndikim më pak, me gati 1 pikë përqindje, por fokus duhet të kemi në strukturën e ndikimit në rritjen ekonomike dhe mbi të gjitha në potencialet ekonomike që ka vendi ynë në disa sektorë, siç është ai i bujqësisë, turizmit dhe në këtë aspekt kuptohet që zhvillimet infrastrukturore janë të rëndësishme, po jo vetëm. Rritja e konkurrueshmërisë së biznesit të mesëm në Shqipëri është po aq e rëndësishme, formalizimi i ekonomisë është po aq i rëndësishëm dhe aksesi në financë për të gjitha treguesit që u thanë pak më lart vjen si një element i domosdoshëm për ta bërë këtë rritje të qëndrueshme në terma afatmesëm.

Perspektiva ekonomike mbetet pozitive me një nivel mesatar inflacioni në nivelet e 2% dhe me një politikë monetare stimuluese, e cila ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, duke nxitur kreditimin, edhe pse me ritme të ulëta dhe në diskutimet e sotme besoj se do të jepen përgjigjen për pyetjet që do të ngrihen. Megjithatë janë për tu përgëzuar dhe vlerësuar disa nga treguesit pozitivë të realizuar në sektorin bankar, mbi të gjitha ai i lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit që sot është në nivelin e 18.5%, apo ulja e kredive të këqija në treguesin e 11.2%. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje të moderuar të treguesit të rritjes vjetore prej 6.8 % për tremujorin e dytë të vitit dhe shpresojmë që të shikojmë se si mund të nxiten më tej të gjithë elementët që mund ta nxisin këtë.

Banka Botërore ka vlerësuar miratimin e ligjit mbi falimentin dhe rolin e Bankës së Shqipërisë në përmirësimin e kuadrit rregullator. Me një angazhim të përbashkët edhe të MFE, do t’i jepet zgjidhje e mëtejshme problemit të Kredive të Këqija, duke eleminuar një ngërç shumëvjeçar, në mënyrë përfundimtare shpresoj. Aksesi në financë për bizneset e vogla dhe të mesme është imperativ. Qeveria shqiptare është angazhuar në shumë forma për të ndihmuar që ky akses të jetë produktiv dhe efiçent edhe me skema të cilat nxisin kreditimin nëpërmjet stimulimit të një elementi që është jo pak i rëndësishëm, ai i kolateralit, duke i dhënë një stimul për të eliminuar këtë ngërç në momentet e analizave financiare kur shikohet dhe vlerësohet risku në këtë aspekt. Megjithatë, shohim që në shumë nga këto iniciativa efektiviteti i tyre është ende për tu analizuar dhe parë më tej drejt rritjes së mëtejshme të nxitjes së aksesit në finanacë.

Në linjë me pritshmëritë për të mundësuar një rritje ekonomike në intervalin 3-4% dhe të qëndrueshme në nivel afatmesëm, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në pozitat e vijimit të reformave dhe angazhimit drejt përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional në sektorë të ndryshëm.

Në bashkëpunim me IFC-në po finalizojmë Ligjin e Unifikuar të Investimeve. Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare synojmë përmirësimin e kuadrit ligjor financiar për Sistemet e Pagesave apo për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive. Miratuam në Korrik ndyrshimet në Ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”. Kemi përfunduar Konsultimin Publik për ligjin “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, duke synuar një ndikim më të lartë në formalizim të ekonomisë.

Zbatimi i reformave të administrimit fiskal si pjesë e reformave më të gjera strukturore do të ndihmojë rritjen e aftësisë konkurruese, rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e inovacionit duke siguruar kushte të barabarta konkurrence ndërmjet lojtarëve në treg.

Në kryesimin tonë në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore, gjatë vitit 2019, jemi përpjekur të nxisim dialogun për një treg të përbashkët rajonal, për avancimin në rajon të tregtisë elektronike dhe për promovimin në hartën e investitorëve të një rajoni me potenciale ende të paeksporuara plotësisht.

Të gjitha këto janë nisma në vijim të qëllimit për një qeverisje afatgjatë dhe për një kuadër ligjor dhe institucional të qëndrueshëm. Vetëm përmes reformave dhe reformave të integruara me të gjithë aktorët, është e rëndësishme të shikojmë përpara drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Institucionet Qendrore do të jenë në mbështetje të vazhdueshme për avancimin e sektorit financiar, ndoshta në të ardhmen edhe përmes paketave ligjore, të cilat ofrojnë mundësi të reja eksplorimi dhe zhvillimi të institucioneve bankare dhe jobankare në vend.

Në vijim, kam bindjen që kontributet tuaja dhe eksperiencat e vyera në diskutime sot do të sjellin shuëm detyra edhe për ne në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e jemi të lumtur t’i mirëpresim ato.

Suksese dhe ju faleminderit.