Postuar më: 04/03/2019

Denaj: Të rritet bashkëpunimi midis biznesit- zyrave të punës-shkollave profesionale

Maturimi  dhe qëndrueshmëria në zhvillimin e biznesit tashmë ka bërë që të ato të kërkojnë punonjës të kualifikuar për profesione të ndryshme. Një ndihmë e madhe për sipërmarrjen tashmë janë bërë zyrat e punës, të cilat orientojnë si punëmarrësit ashtu edhe punëdhënësit drejt kërkesave që ato kanë. Gjatë një inspektimi në Zyrën e Punës në Durrës, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u njoh nga afër me gjendjen e kësaj zyre.

“E vetmja gjë që dua të theksoj është që, sidomos në qytete si Durrësi, me potencialin e madh që ofron qyteti dhe sidomos në sektorë të veçantë, por edhe shumë strategjikë, si ai i turizmit, ne mundet patjetër që të krijojmë një mundësi më të madhe për të koordinuar informacionin dhe për ta bërë atë një informacion që vjen tek ne në mënyrë më efektive, sepse edhe kjo pjesa e kostove është shumë e rëndësishme. Unë jam pozitivisht e impresionuar me numrin e personave që kërkojnë për tu trajnuar në programet tona “soft-skills”, ishin rreth 3600 persona”, theksoi Ministrja.

Ndërsa, Drejtori i Zyrës së Punës së Durrësit, Indrit Buka, tha se  tashmë po punohet me një plan pune duke e përshtatur atë me kërkesat që ka për t’i paraprirë sezonit turistik. Sipas tij, vetëm për muajin shkurt janë dërguar  90 veta për “start smart”, ndërsa  e gjithë zyra e Durrësit ka 2000 punëkërkues që do t’i çojë drejt këtyre  kurseve.

Ministrja Denaj gjithashtu inspektoi punimet në shkollën profesionale “Beqir Çela”, ku zhvillohen drejtimet mësimore Eletromekanikë, Termohidraulikë dhe TIK, me një numer total 1 617 nxënës. Investimi i buxhetit të shtetit për ndërtimin e godësinë së re të kësaj shkolle kap vlerën 231.5 milionë lekë.

Sipas Ministres Denaj, “janë bizneset dhe nevojat e tyre që do të orientojnë dhe strategjinë tonë të hapjes së shkollave profesionale. Zyrat e punës i shërbejnë këtij ndërmjetësimi për të kuptuar, dhe jo vetëm sot në statusin aktual, sa vende të lira pune ka, po dhe sa këto biznese mendojnë të kenë në dy- tre vitet e ardhshme, në mënyrë që kështu dhe ne të parashikojmë dhe nevojat për të ndërtuar shkolla profesionale sipas nevojave të bizneseve në rajone të ndryshme”.

Aktualisht në qytetin e Durrësit janë dy shkolla profesionale dhe mbulojnë një zonë shumë të gjerë, ndërkohë që ka një bashkëpunim dhe kordinim me Zyrën e Punës dhe Qendrat e Formimit Profesional.